31

911 84 68
                                    

Nuk kam shkruar kurrë letra të tilla dhe e di që do bëj një lëmsh të kotë këtu, por të paktën do sigurohem se do lexosh ato që kam dashur që kohë më parë të t'i them.

Ditën e parë që të pashë, u ndjeva mashkulli më me fat që mund të ekzistonte. Ishe si një engjëll, një engjëll i vrarë. Buzëqeshja jote më dha jetë, ndërsa sytë e tu më burgosën përjetësisht.

Të kërkoj falje për çdo shqetësim që të shkaktova, çdo dhimbje që të bëra të ndiesh kur qëllimi im ishte që gjithmonë të të bëja të lumtur. Jam përpjekur fort vetëm që çdo herë të shihja një buzëqeshje të sinqertë në fytyrën tënde.

Sikur të mos kisha qenë kurrë i ndaluar për ty, ndoshta tani do mund të ishim së bashku, duke u përqafuar fort e duke shijuar çdo moment. Kjo ka qenë gjithmonë dëshira ime, por e dija se ajo do mbaronte pa u nisur mirë.

E di që për ty s'ka qenë kurrë e thjeshtë çdo gjë që ka ndodhur e do doja të merrja unë gjithë peshën që ke mbajtur ti mbi supe. Çdo lot që ti ke derdhur, për mua ka qenë si të më binte qielli përsipër.

Për ty do bëja çdo gjë. Do pretendoja se isha i lumtur e do ta fshihja pikëllimin tim. Për ty do bëhesha i fortë, do paralizoja dhimbjen dhe do bëhesha mashkulli në të cilin ti mund të mbështeteshe.

Do dëshiroja që çdo gjë të ishte më e lehtë. Të paktën do të të kisha dashur ashtu siç duhej, jo me frikën se ndoshta një ditë mund të të humbisja. Për lumturinë tënde do bëja çdo gjë, do shkatërroja edhe veten time. Je e vetmja gjë e mrekullueshme që më ka ndodhur ndonjëherë.

Qesh për mua, më trego se më do.
Mos u mërzit për ato që do të ndodhin. Gjëja e fundit që dua të shoh është mërzi e dhimbje në sytë e tu.

Më ngushëllon fakti që më premtove se do më duash gjithmonë. Më duaj, por mos harro të duash të tjerët.

Të dashuroj Gabriela, mos e harro kurrë këtë gjë.

Shkrimi në fund ishte prishur e stilolapsi kishte krijuar disa vija të paplanifikuara për t'u bërë.
Ai kishte qenë keq. Kishte qenë keq ndërkohë që e kishte shkruar atë letër. E ajo s'mund të bënte gjë tjetër veçse të mendonte për atë gjë me dhimbje e ta nxirrte atë duke qarë.

Vendosi njërën dorë para gojës për të mbytur të qarat, por për dreq i dhimbte zemra! Ajo bënte zhurmën më të madhe.

Shtrëngoi letrën ndër duar dhe e largoi kur kuptoi se po e prishte me lotët që s'kishin pushim. E preku edhe njëherë lehtazi me gishta e më pas mori kutinë me duart që i dridheshin. E hapi ngadalë.
Brenda ishte një aparat fotografik. Iu kujtua dita kur kishte hedhur të sajin në oqean prej inatit. Sa afër që ishte ajo ditë e sa larg që i dukej asaj.

Nxorri aparatin prej kutisë e po e shikonte qetë. Shikoi nëse kishte ndonjë foto brenda dhe  gjeti një. Ishte Xhejdëni. Xhejdëni i saj duke buzëqeshur i lumtur. Ishte i lumtur, madje shumë. Me shumë mundësi fotografinë duhej ta kishte bërë Xhoi.

E kuptoi se sa shumë e kishte marrë malli për buzëqeshjen e tij të ëmbël. S'do ta shihte më, përveç në atë foto, në foton e vetme që kishte prej tij.
Qante ndërkohë që shikonte foton. I mungonte si dreqi. Pse ishte aq e pamundur të ktheheshin mbrapsht personat që më së shumti do dëshironim t'i kishim pranë?

I dhimbte të mendonte se s'do mund ta përqafonte dot më kurrë. S'e kishte menduar se të ndieje dhimbje do ishte aq përvëluese. E tashmë besonte në thënien se askush s'mund të flasë dot për plagët, nëse vetë nuk është prerë kurrë...

I ndaluariWhere stories live. Discover now