24

895 91 10
                                    

Ai s'e ndoqi kur ajo doli prej dhomës. E la të largohej. E kjo gjë e bënte zemrën e saj të shkërmoqej në copëza të vogla. Ai duhej ta ndiqte, ta ndalonte, ta kapte nga krahu që ajo të mos vraponte më e më pas ta merrte në një përqafim tepër të ngrohtë e ngushëllues. Por ai s'po dukej. Ku ndodhej?

Doli nga shtëpia pa e ndalur vrapin. Po vraponte prej diçkaje të cilën s'donte ta largonte. Çfarë ironie!

Shumë herë u përplas me pemët gjatë rrugës e u lëndua. Shpresoi se mos ndoshta ai do ta ndiqte kur ta ndiente se po lëndohej. E ktheu kokën mbrapa shumë herë e plot shpresë, por përveç errësirës s'shikonte gjë tjetër. Edhe zërin e tij në mendjen e saj e kishte të pamundur ta dëgjonte.

Vendosi njërën dorë te flokët prej dëshpërimit e u ul te një pemë aty pranë. Sytë i digjnin prej lotëve, i përcëllonin. I kishte bërë duart grusht e me to kishte kapur flokët fort, por s'i tërhiqte. Vetëm qante. Qante e mallkonte, jo Xhejdënin, por veten. Xhejdëni s'kishte faj për ato që ndiente. Fajet i shkonin të gjitha asaj. E dinte që ai e donte, e dinte mirë, por kishte menduar ters vetëm prej inatit që ndiente.

- E sheh? Njerëzit vuajnë kur dashurojnë Gabriela.

U tremb kur dëgjoi zërin e saj në qetësinë e natës. Kujtonte se ishte vetëm.

-E di kaq gjë, nuk jam fëmijë, - ia ktheu me seriozitet duke u përpjekur të mos qante.

-Më mirë të ishe, s'do lëndoheshe kaq shumë.

Ajo qeshi lehtë, pa tallje, aq sa Gabi u çudit nga ndryshimi drastik i saj.

- Si i kishe lidhjet me të?

- Monotone. Më përdorte vetëm për të hequr mërzinë. Më mbante ndonjëherë në dhomë e bisedonim për orë me radhë, por s'më donte për gjë tjetër. Thoshte se isha e mirë në vrasjen e kohës.

- Po ti...e doje?

- Po. Mos thuaj që s'e kam dashur ngaqë s'e kam patur të destinuar. Ndonjëherë s'ka të bëjë aspak me destinimet.
Ai sillej mirë me mua, thjesht s'më donte. Më fliste vetëm për të destinuarën që do kishte. Ishte tepër entuziast kur më tregonte për të, ndihej i lumtur, vetvetja. Ai s'e dinte që më lëndonte kur fliste për të tilla gjëra, por s'i thosha gjë. E miratoja çdo fjalë të dalë prej gojës së tij. Madje do ta miratoja edhe lidhjen e tij me ty sikur të mos ishe njeri.

- Pse? - pyeti në një gjendje apatie e mblodhi këmbët rreth vetes. Vendosi krahët rreth tyre, kokën mbi to e mori frymë thellë.

- Duhet të ta thotë ai arsyen. Ose dikush tjetër që s'është unë.

- Pse po sillesh kaq mirë? - foli për një moment e acaruar nga qetësia me të cilën ajo fliste. Donte që të tjerët t'i bërtisnin që të ndihej akoma edhe më keq seç ishte.

Lora u ngrit në këmbë, u fshi pak te vendet që ishte bërë me pluhur e bëri disa hapa përballë saj. Uli pak gjunjtë që të ishte në të njëjtin nivel me të e psherëtiu thellë.

- Mos ki merak, s'do sillem më. Për këtë kërkoj ndjesë.

Para se ajo të ngrinte kokën, Lora e goditi mbrapa qafës fort që t'i binte të fikët. Nuk pati kohë as të psherëtinte nga dhimbja, aq shpejt trupi i humbi kontroll.

Nga ana tjetër Xhejdëni qëndronte i palëvizur në kolltukun e butë të dhomës së ndenjjes. Kishte vendosur bërrylat mbi gjunj, siç preferonte të bënte shpesh kur mendohej e duart i kishte vendosur pak mbrapa kokës.

- Xhejdën, ç'dreqin bëre?! Pse e lejove të ikte? - i foli e acaruar Xhoi e i hodhi një vështrim gjykues.

- Do jetë më mirë për të nëse largohet, - iu përgjigj qetë pa dashur ta vështronte në sy. S'donte të shikonte asnjë njeri.

- Por s'do jetë mirë për ty! Mos ia bëj vetes këtë gjë, të lutem! - iu lut me një ton më të butë e i preku pak krahun duke iu ulur pranë.

- E çfarë më këshillon të bëj Xhoi? Kjo është zgjidhja e vetme. Ajo largohet, ndërsa unë...

- Vazhdo! Ti çfarë? Ti vdes? - u kthye përsëri në atë personin e acaruar e u ngrit nga kolltuku. Lotët po i mblidheshin në sy prej inatit. S'ishte e drejtë.

- Nëse bëhet fjalë për sigurinë e saj, atëherë po.

E ajo s'kundërshtoi, ndonëse heshtazi do të donte ta bënte. E dinte se nëse gjendej në të njëjtën situatë si të tij, do të zgjidhte të njëjtën gjë edhe për Xhorxhin.

- Por duhet ta shoh. Duhet t'i kërkoj falje, - foli ai në luftë me veten e Xhoi e vështroi me keqardhje. E dinte që do t'i vështirësonte gjërat nëse takohej përsëri me të, por donte t'i kërkonte falje për çdo gjë. E kishte lënduar.

Në ato momente në dhomë hyri Xhorxhi duke gulçuar. Kishte vrapuar shumë. Duart i vendosi te ijët që po fillonin t'i sëmbonin e po përpiqej të mbushej me frymë.

- Xhejdën... - u përpoq të fliste por s'ishte në dorën e tij. Ishte në dorën e atyre dreq mushkërive që kërkonin me ngulm të rregullonin ritmin para se të punonin normalisht.

- Ç'ka ndodhur?

U ngrit nga kolltuku e po vështronte nga ai i përqëndruar. E dinte se diçka po shkonte keq.
Kishte mbyllur në mendje çdo mundësi për të dëgjuar zëra, ndaj edhe nuk e dinte nëse ajo ishte në rrezik. Dhimbjet e saj fizike s'po i ndiente. Trupi i dukej i paralizuar. Por mund të ndiente dhimbjen e saj shpirtërore. Ajo i rëndonte më tepër.

- Gabriela... Atë... E kapi... - kaq mjaftoi që ai të kuptonte çdo gjë pa qenë nevoja që Xhorxhi të fliste më tepër.

U ul përsëri rëndshëm në kolltuk e mbylli sytë në dhimbje. E dinte se kjo gjë së shpejti do të ndodhte, por sërish s'ndihej i përgatitur. Po e kuptonte se nuk i kishte shijuar aq shumë sa ç'duhej ato momentet e qeta. Tashmë s'i ngelej të bënte gjë tjetër, veçse të priste derisa të merrte ndonjë lajm prej saj.

I ndaluariWhere stories live. Discover now