10

1.1K 104 23
                                    

Dëgjonte zërin e tij të ëmbël t'i fliste, por nuk e gjente dot fuqinë për t'i hapur sytë. Ndihej në gjumë, në ëndërr. Ishte zëri i tij që s'e linte të flinte, ishte ai që e mbante zgjuar.

- Gabriela, hapi sytë, të lutem.

Duart e tij të ngrohta u vendosën në faqet e saj duke lëvizur ngadalë. Ngrohtësia e tyre e ngrohu edhe atë.
E lodhur, arriti të puliste sytë dhe të lëvizte gishtat fare pak. Ai kapi dorën e saj dhe e shtrëngoi butë.

Mori frymë thellë, pastaj filloi të kollitej, ndonëse mushkëritë i dhembnin dhe fyti i digjte.
Ndihej e këputur.

- Mos e bëj më diçka të tillë, më frikësove, - i pëshpëriti ai ngadalë dhe iu afrua pranë për ta ndihmuar të ngrihej.

Hapi sytë plotësisht. Zhgënjim. Nuk mund ta shihte aspak fytyrën e tij në atë natë pa yje dhe me hënën mbrapa reve.

- Dua...të të shoh, - mërmëriti me zë të ulët ngadalë.

Ai s'i tha gjë. E mori në krahë me kujdes dhe ajo vendosi kokën pranë kraharorit të tij. I dukej vetja e vogël përpara atij të panjohuri.

- Pse po e bën këtë?

- Dua të të mbroj.

Qëndroi e heshtur në krahët e tij, duke pritur për të që të ndalonte kur të arrinin te vendi i caktuar. As ai më s'foli.

- E ke idenë se ku po shkojmë? - pyeti përsëri kur ndjeu se po kalonte vërtet një kohë e gjatë dhe ata ende s'kishin shkuar në shtëpi.

- Më mirë se ti po, - iu përgjigj me një ngërdheshje.

- Dua të të shoh, - bëri përsëri të njëjtën kërkesë me zërin gati si pëshpërimë. Ai e shtrëngoi akoma më shumë pranë vetes.

- Nuk është tani koha e duhur.

- Duhej të më ndodhte diçka e keqe që të më vije pranë, kështu?

Ai ndaloi së ecuri dhe uli kokën, në dëshirë për të vështruar atë.

- Mos e bëj për herë të dytë të njëjtën gjë. Nuk mund të hidhesh në të tillë mënyrë nga shkëmbi. Është e rrezikshme.

- Përse e dëgjoj zërin tënd në mendjen time kur jam në rrezik?

U përpoq të zbuste pak situatën duke folur për një temë tjetër, por ai s'i ktheu përgjigje, ndaj heshti.

Shikoi se ishin afruar te shtëpia e saj. Asnjë dritë nuk kishte lënë ndezur para se të largohej.
Ai u fut brenda, vendosi atë në divan me kujdes dhe u bë gati të ikte.

- Qëndro edhe pak, - iu lut duke ia kapur dorën.

Ai ndaloi, u kthye nga ajo mendueshëm dhe pastaj iu afrua, duke u ulur te vendi ku ajo ishte shtrirë.

- Faleminderit, - i tha me zë të ngjirur. - Për të gjitha, - theksoi fjalën e fundit dhe më pas mbylli sytë e lodhur.

- Duhet të flesh, - foli butë.

Zëri i tij e qetësonte. Ndjeu se ai iu afrua, u shtri me të dhe vendosi dorën në flokët e saj duke e përkëdhelur ngadalë.

- Nuk dua të fle, e di që më pas do ikësh.

- Do qëndroj me ty.

- Të nesërmen jam e sigurt që s'do të të gjej kur të zgjohem. Më pas nuk do të të shoh më. Thjesht do të të dëgjoj zërin.

- Do takohemi përsëri Gabriela, të premtoj.

Zëri i tij në veshët e saj tingëllonte si melodi.
Fjeti në krahët e tij, çuditërisht duke gjetur më në fund qetësinë që e kishte kërkuar me kohë. Qetësi pranë një të huaji.

Fjeti me shpresën se të nesërmen do ta shihte përsëri, jo kur të zgjohej, e dinte që s'kishte mundësi, por ndoshta natën, në pyll, në atë vend ku ai s'donte të dukej.
Fjeti duke i besuar premtimit të tij.

I ndaluariWhere stories live. Discover now