12

1.1K 102 36
                                    

Ishte kthyer në shtëpi natën vonë, s'kishte dashur të ikte më shpejt. I dukej se nëse largohej, do ta humbiste atë që ndoshta mund të endej akoma në mes të atij pylli. Rrugën e kthimit e mori kur kuptoi se pritja qe e kotë.

Ishte shtrirë mendueshëm në shtratin e butë të dhomës së saj të gjumit. Mos ndoshta çdo gjë po ecte shumë shpejt? Po sikur të gabonte? A do mundej ta lejonte përsëri veten të binte pre e dashurisë në të ardhmen?

Sado që i thoshte vetes se duhej t'i merrte gjërat ngadalë, nuk mund të mos mendonte për mënyrën se si ai e bënte të ndihej. Po fiksohej pas një të huaji, pas dikujt që ia dinte vetëm ngjyrën e syve, madhësinë e trupit që dukej sikur rritej çdo ditë, formën e fytyrës që e kishte prekur kur ai kishte qenë në gjumë dhe nxehtësinë e trupit.

E më pas realizoi diçka që e shoqëroi gjatë orëve kur s'mundi të vinte dot gjumë në sy.
Djali që kishte takuar në diskotekë kishte të njëjtat cilësi; lëkura e nxehtë, sytë kafë, gjatësia e trupit, karakteri që e qetësonte. Ishte e pamundur që ata të dy të mos ishin një!

U ngrit nga shtrati dhe shkoi në kuzhinë për të bërë një kafe të fortë. Edhe nëse s'e zinte gjumi, s'i interesonte, donte të mendonte edhe gjatë gjithë natës.
S'dinte se me kë të bisedonte për atë temë; i vetmi që mund t'ia tregonte të vërtetën do ishte vetëm ai, por kjo gjë s'e përjashtonte faktin se mund të bënte një bisedë të mirë me shoqen e saj.

Mori telefonin në dorë për ta telefonuar Emanuelën. E dinte që ajo në ato momente duhej të ishte në një gjumë të thellë, por kur donte të dinte diçka, nuk i interesonte edhe nëse i zgjonte të gjithë nga gjumi.
Iu desh ta telefonte tre-katër herë të tjera para se ajo të përgjigjej.

-Çfarë ke o dreq? Një herë më zgjon në mëngjes, një herë në mes të natës! - u ankua me të drejtë.

  - Më trego se çfarë ndodhi natën në diskotekë kur shkova pranë tre djemve, - hyri direkt në temë, pa i kërkuar asaj falje që e kishte zgjuar e për më tepër pa i lënë kohë të mblidhte veten.

  - Akoma atje e ke mendjen? Nejse, prit të kujtohem, - foli përgjumësh.- Ti u rrëzove atje dhe njëri prej tyre tha se do të të çonte në një dhomë gjumi.

  - Tjetër? - pyeti e paduruar.

  - Hmm... Para se të të merrte në dhomë, më tha se kishte të dashur që të mos mendoja se mund të të bënte ndonjë gjë. Pse pyet?

  - Kot... - i tha nëpërdhëmbë dhe më pas e mbylli telefonin.

Psherëtiu thellë, krahët kryqëzuar në gjoks. Ai kish një të dashur? Nëse ata të dy ishin të njëjtët persona, ai ose ishte duke tradhëtuar të dashurën e tij, ose po tallej me Gabin.

Atë natë nuk shkoi në pyll. U drejtua atje pas dy ditësh, në destinacionin e shumëdëshiruar: shkëmbinjtë. E dinte se ai do mund ta gjente.
U ul në një shkëmb siç bënte shpesh dhe po shikonte oqeanin nën dritën e yjeve, se prej çerekut të hënës nuk vinte ndonjë dritë e madhe. S'vonoi shumë kur dëgjoi hapa mbrapa vetes dhe u ngrit për të vështruar atë, që po afrohej drejt saj në mënyrë serioze e tepër autoritare.

  - Dua të diskutojmë për disa gjëra.

  - Si je? - e anashkaloi fjalinë e saj.

  - Ti je djali i diskotekës?

Bëri një hap më pranë tij dhe u përpoq t'i dallonte ndonjë gjë në shprehinë e syve, ndonëse edhe sytë s'ia dallonte mjaftueshëm mirë.

  - Çfarë do ndryshonte po të isha?

  - Pra është e vërtetë? - pyeti e zhgënjyer. -Ke të dashur dhe ndërkohë krijon afrimitet me mua?

Në sytë e tij dalloi një largësi e ftohtësi që s'e kishte patur kurrë deri më atëherë.

  - Çfarë kërkon prej meje?

  - Është e komplikuar.

  - Çdo gjë është e komplikuar! Ne jemi të komplikuar! Por kjo s'është një arsye që të mos tregosh të vërtetën. Nuk dua të pendohem që të njoha.

Një çast heshtje midis të dyve.

- E ndiej që e kam tepruar atë natë që ndenja me ty. Për këtë kërkoj falje, e madje edhe për faktin që kam dashur me kaq shumë ngulm të të takoja. Ndoshta s'duhej ta bëja.

  - Do bisedojmë më vonë për këtë temë. Sonte nuk jam...- para se ai ta mbaronte fjalinë që po e thoshte qetësisht, ajo e ndërpreu.

  - Nuk më intereson se si je! Dua të di të vërtetën! Nëse nuk ma tregon, atëherë largohu, le të mos takohemi kurrë. Do t'i harroj shumë shpejt të gjitha që kemi kaluar.

E dinte që nuk po e trajtonte mirë, por inati e bënte të nxirrte nga goja fjalë që s'donte t'i thoshte.

Ai për një kohë s'foli, por heshtja e tij ndrydhi një ndjenjë në kraharorin e saj; një dhimbje dhe faj të çuditshëm.

  - S'jam në gjendje të mirë për të të treguar gjithçka, - i foli duke e parë në sy trishtueshëm, trishtim që depërtoi dhe në qenien e saj.

  - Çfarë të ka ndodhur? - u përpoq të dukej e largët, por dështoi.

Në buzët e tij u vendos një buzëqeshje melankolike para se të zmbrapsej prej saj.

  - Ndoshta s'erdha në vendin e duhur për t'u shprehur.

Bëri edhe një hap tjetër pas e pastaj u largua me të shpejtë, ashtu siç edhe kishte ardhur. Vështroi hijen e tij të zhdukej dhe ndjeu një sëmbim të lehtë në zemër. Mos ndoshta kishte gabuar që kishte folur aq ashpër?

I ndaluariWhere stories live. Discover now