19

1K 100 39
                                    

Atë ditë të gjitha gjërat që dëshironte të merrte nga shtëpia e saj, u vendosën te dhoma e tij. Mori vetëm veshjet që kishte dhe një fotografi ku kishte dalë me familjarët. Çdo gjë tjetër ngeli e paprekur në shtëpinë pranë pyllit. Edhe nëse mund të ndërronte mendje e të donte të shkonte te shtëpia e saj përsëri - s'besonte të dëshironte diçka të tillë - do ta kishte çdo gjë gati.

Në ato momente ishte errësuar e ajo po qëndronte te dhoma e ndenjjes me ata të gjashtë. Ishte mbështetur te shpatulla e Xhejdënit e qëndronte qetësisht. Ai s'fliste, dukej që mendohej. Gabi s'donte ta ndërpriste me bisedat që donte të kryente me të, ndaj dhe vendosi të bisedonte me të tjerët. I kishin hyrë një muhabeti të gjatë rreth botës së njerëzve-ujqër e s'kishin ndërmend ta mbaronin shpejt atë temë.

- Çfarë të veçantash ka në botën tuaj? Gjëra që te bota jonë s'ndodhin? - e hodhi llafin larg e larg për të ditur arsyen se pse dëgjonte zërin e Xhejdënit në mendje.

- Janë disa gjëra të veçanta në fakt.

- Por që mua vetëm një më tërheq më shumë se të tjerat, - ia ndërpreu fjalën Xhoi Xhorxhit e ky i fundit e vështroi me atë shikimin "seriozisht?!". S"i kushtoi vëmendje, vendosi të vazhdonte të fliste. - Kur kuptova që mund të dëgjonim zërat e njëri-tjetrit në mendjen tonë kur ishim në rrezik, e mora shumë më me qejf të qenit një njeri-ujk.

- Si ndodh kjo gjë? - e pyeti pa humbur kohë duke shfaqur entuziasmin që ndiente.

- Po ja, jo rrallë herë ndodh kur dikush mund të vendoset në rrezik. I destinuari i atij personi sheh vegime, e kupton se çfarë po ndodh. Dhe në ato momente i flet për të shmangur rrezikun ose për ta qetësuar, me raste edhe për ta shtyrë të mos bëjë ndonjë marrëzi a diçka të ngjashme. Është diçka e bukur, apo jo?

Pohoi ngadalë teksa shtrëngoi butë dorën e Xhejdënit.

- Çfarë tjetër është e veçantë në botën tuaj? - këtë herë ishte Emanuela ajo që pyeti dhe Gabi e kuptoi se ajo s'dinte as më pak e as më shumë gjëra se ajo vetë.

-Të destinuarit e ndiejnë dhimbjen e njëri-tjetrit.

Ishte Xhorxhi ai që foli. Dilani dhe Kevini qëndronin shumë të qetë, deri në ato momente s'e kishin hapur fare gojën.

- Nëse dikush nga palët lëndohet, edhe sikur personi tjetër të jetë me kilometra larg, do ta ndiejë dhimbjen e tij. Është diçka që ndodh vetvetiu.

- Nuk mund të bësh ndonjë gjë për ta ndaluar ?- pyeti Gabi.

- Asgjë nuk e ndryshon këtë fakt, - iu përgjigj ai me një buzëqeshje të vakët. - Asgjë. Kjo është e keqja. S'është në dorën tënde.

- Po nëse dikush prej tyre vdes?

Mendimet po i ngatërroheshin. Kjo gjëja e të ndjerit dhimbjen e njëri-tjetrit sikur nuk po i pëlqente. I dukej e tepruar. Si pak që do ndiente dhimbje fizike apo shpirtërore për vete, çfarëdo që të ishte, po do ndihej akoma më keq kur të kujtonte se atë dhimbje po ia përçonte edhe atij.

- Atëherë do të vdesë edhe tjetri.

Toni i qetë i zërit të tij asaj i futi të dridhurat. Si mund të ishte aq i qetë?

- Marrim rastin tim. A mund të vdes unë nëse vdes Xhejdëni?

- Jo, për ty është shumë herë më e lehtë. Mjaftojnë disa muaj ose ndoshta vite për të zbehur kujtimin e tij, varet se si e përjeton zemra.

Shtrëngoi më fort dorën e Xhejdënit prej frikës. Të jetonte pa të do t'i dukej gjëja më e pamundur në botë. Diçka të tillë s'do e duronte dot. Do shuhej plotësisht.

- Por mos u shqetëso për punën e dhimbjes. Ti je plotësisht njeri, ai jo, kjo gjë bën që ai ta ndiejë shumë herë më pak dhimbjen tënde, shtojmë faktin që është njeri-ujk. Ka tepër forcë për të përballuar dhimbjet. Dhimbjet fizike, - shtoi fjalinë e fundit, si të donte t'ia bënte asaj të qartë se ata ishin shumë të dobët para dhimbjes shpirtërore.

- E zemë se unë mund të vdes në një mënyrë... paqësore, pa vuajtje. Ai do vdesë përsëri?

- Po. Humbja është tepër e rëndë për t'u përballuar. Madje nëse për ty vdekja është paqësore, për të do të jetë shumë herë më e dhimbshme. Do duhet të jetojë për ditë me radhë në vuajtje derisa zemra dhe ujku i tij të mos durojnë dot më.

- Kjo nuk është e drejtë.

- Për ne është më mirë të vdesim, sesa të jetojmë pa të destinuarit tanë Gabriela, - foli Xhoi me të butë dhe përqafoi fort Xhorxhin plot dashuri.

- Por prapë...

- Më beso. Më mirë të vdesësh sesa të jetosh duke e ndier ditë për ditë zemrën bosh e botën ta shohësh pa ngjyra. Për ne rrallë herë ka shanse të dyta. Në njëfarë mënyre kjo gjë na ka bërë më të përgjegjshëm për t'i vlerësuar të gjitha gjërat.

Ranë në heshtje. Gabi filloi t'i mendonte edhe njëherë të gjitha gjërat nga fillimi. Ajo mënyrë e tillë jetese i dukej shumë e dhimbshme dhe shumë e padrejtë, shumë.

Nuk e imagjinonte dot se ç'mund të bënte nëse e humbte Xhejdënin. Do preferonte edhe për vete vdekjen, s'mund të jetonte dot pa të, pa praninë e tij.
Ngriti kokën për ta vështruar. Ia ngulën sytë njëri-tjetrit në heshtje e ajo u qetësua në sytë e tij.
E si mund të jetonte pa e parë atë kafen e ëmbël të syve të tij? Pa ndier ngrohtësinë që i përcillte ai shikim?

I ndaluariWhere stories live. Discover now