5

1.3K 104 32
                                    

Hodhi xhaketën në krahë dhe iu afrua dritares. Jashtë kishte filluar një shi i shtruar. Nga dritarja e hapur nuhati aromën e tokës pasi laget nga shiu. Mbylli sytë në kënaqësi. Ajo aromë e qetësonte.

Doli jashtë dhe bëri disa hapa në tokën e lagësht. U mbështet pranë një peme ku kryqëzoi krahët si të donte të ngrohej. Nxorri telefonin nga xhepi i xhaketës dhe filloi të ecte për të gjetur valë, problemi i vetëm me të cilin hasej në atë vend.
Telefonoi Emanuelën dhe ajo e hapi menjëherë pas ziles së parë.

- Ku je? - e pyeti teksa vështronte rrotull.

- Sapo u nisa për në punë. Pse?

- Ke kohë në darkë të dalim bashkë?

- Po. Dhe do bëj përsëri të njëjtën pyetje. Pse?

- Dua të shkojmë prapë në diskotekë. Shpresoj ta gjej atje atë djalin. Mos hajde po të mos duash, nuk ka problem.

- Do vij nëse s'më del ndonjë punë e paplanifikuar, edhe pse s'besoj se do ta gjejmë tipin që kërkon. Shihemi.

Mbylli telefonin dhe e vendosi përsëri në xhepin e xhaketës. Mori në dorë aparatin fotografik që e kishte vendosur në qafë dhe hodhi një sy përreth.
Punonte si fotografe. Bënte foto në vende të ndryshme e shpesh udhëtonte nga njëri vend në tjetrin. Ishte e dashuruar me punën që bënte. Agjencia i blinte fotot e saj dhe kështu fitonte para mjaftueshëm sa për të mbajtur jo vetëm veten, por edhe familjen po ta kishte.
Prandaj dhe donte të eksploronte në pyll, që të gjente ndonjë kafshë ose ndonjë pamje interesante për ta fotografuar. S'e dinte në do ta kishte guximin për të shkuar përsëri atje gjatë natës, por do përpiqej. Pamjet më të bukura mendonte se merreshin gjatë perëndimit ose nën dritën e hënës. Por edhe një arsye tjetër se pse donte të shkonte në pyll edhe nëse e vendoste veten në rrezik, ishte sepse donte të dinte në do ta dëgjonte përsëri zërin e tij apo jo.

Orët që pasuan i kaloi në shtëpi. Shiu që binte nuk e lejonte të dilte jashtë për më tepër se deri te pema ku kishte shkuar pak më parë. Sigurisht, mund të dilte po të donte, por vetëm po të kishte dëshirë të humbiste në pyll e të përfundonte në ndonjë gropë me ujë.

Gjëja e vetme për të cilën kishte menduar gjatë atyre orëve, s'ishte djali që donte të takonte, por zëri që kishte dëgjuar. S'mund të mendonte për gjë tjetër. Zëri i tij i dukej aq real, sa s'e vinte aspak në dyshim faktin se ai vërtet ekzistonte.

- Kush je ti? - pyeti duke vështruar që nga dritarja e hapur shiun që binte, me shpresën se mos ndoshta e dëgjonte përsëri zërin e tij t'i përgjigjej, por edhe pasi priti mbi dhjetë minuta, asgjë s'ndodhi. Turfulloi e inatosur.

Jashtë ishte errësuar. U ngrit nga kolltuku e filloi të ndërrohej në disa veshje të tjera. Nuk shkoi te dhoma e gjumit. Ishte në rregull atje, askush s'mund ta shikonte. Hoqi bluzën e hollë që kishte veshur e veshi një tjetër më të trashë. Kur u kthye për të marrë xhinset, pranë pyllit, midis pemëve të larta e të frikshme, dalloi dy sy blu si të oqeanit që vetëtinin. Bëri disa hapa mbrapa e frikësuar ku u përplas me tavolinën. E menaxhoi veten të mos binte dhe hoqi me njërën dorë flokët që i kishin rënë në fytyrë. Nëse pompimet e shpeshta të zemrës do shkaktonin dhimbje e të prera, atëherë kraharori i saj do ishte çarë më dysh.
Ngriti kokën për të parë jashtë. Nuk vështroi asgjë. Sytë ishin zhdukur.

- Mos më thuaj që më duhet të mendoj për të ndërruar shtëpinë, - pëshpëriti me zë të ulët dhe shkoi te dhoma e saj për të veshur xhinset.

Doli prej shtëpisë duke vështruar nga të gjitha anët për ndonjë rrezik. Por ishte qetë. S'dëgjohej as edhe një ulërimë. S'dukej as një njeri. Prandaj mori frymë e lehtësuar dhe hipi në makinën e saj të bardhë me qetësi. Ndezi makinën kur ndërkohë mori një mesazh nga Emanuela.

"Gabriela, shefi po më mban edhe disa orë të tjera në punë. Ka shumë lëvizje, s'mund të largohem, më vjen keq. Po deshe mund të dalim nesër."

"S'ka problem, do shkoj e vetme," - i ktheu përgjigje dhe më pas vazhdoi rrugën.

Në diskotetë arriti pas njëzet e dy minutash. Parkoi makinën dhe doli jashtë duke e mbyllur atë me butonin automatik.
Brenda, ashtu si gjithmonë, kishte shumë njerëz. Nuk e kuptonte se ç'kishte dashur që ishte dehur në një vend si ai, ku më e keqja mund ta gjente prej çdo të alkoolizuari.

Shkoi te baristi.

- Përshëndetje. Më mbani mend? - pyeti e vendosur në siklet për gjithë atë punë të çuditshme që duhet të bënte.

Tjetri pohoi duke i shkelur syrin. E shpërfilli veprimin e tij dhe vazhdoi të fliste.

-Dua të di nëse është këtu djali që pardje më pagoi lekët e dhomës ku fjeta.

Ai bëri me shenjë disa metra larg saj. Ktheu kokën. Ishin tre djemtë që kishin qenë atje kur ajo u deh. Dhe që të tre ishin duke e vështruar.
Falenderoi baristin para se të largohej. Shkoi pranë tryezës së tyre.

- Më falni për shqetësimin, - nisi bisedën ftohtë, aspak ngjashëm me tonin që kishte përdorur dy ditë më parë. -Nuk dua t'i bie rrotull. Cili nga ju ishte djali që më çoi te dhoma e diskotekës?

Ndërkohë që fliste, sytë ia kishte ngulur djalit me sy blu. Ishte e njëjta ngjyrë që kishte vështruar në pyll. U përpoq të kuptonte ndonjë lidhje midis saj dhe atij, por s'nxorri gjë në dritë.

- Është ai, - foli më në fund djali që qëndronte në mesin e tyre, një brun i lezetshëm e miqësor.

Ktheu kokën nga djali që kërkonte dhe vështroi në sytë e tij. Ndjeu një dridhje të menjëhershme t'i përshkonte trupin, madje për disa çaste harroi arsyen pse ndodhej atje.
Vështroi në sytë e tij për një kohë të gjatë. Ç'po i ndodhte?

I ndaluariWhere stories live. Discover now