39

1.6K 87 59
                                    

  - Si ndihesh? - e pyeti ai qetë duke vështruar mjedisin përreth.

  - Mirë, jo aq keq sa ç'kisha menduar.

Nuk u ulën te stoli që gjetën pranë. Vendosën të ecnin. Iu pëlqente më shumë të ishin në lëvizje sesa të qëndronin ngulitur në një vend.

Ai si gjithmonë s'po fliste. Për Gabin, Kevini ishte personi i vetëm që nuk ndikohej për keq nga qetësia. Dukej qartë që ai as në siklet nuk ndihej kur nuk kishte se për çfarë të fliste.
Dhe duke qenë se e dinte që ai as që do ta hapte gojën i pari, vendosi të hynte direkt në temë.

  - Vërtet që nuk e di se si të të falenderoj Kevin. Të them të vërtetën, ti ishe personi i fundit që mendoja se mund të më ndihmoje. Tani, kur e mendoj se mund të kisha vdekur, më duket absurde. Sidomos tashmë që edhe Xhejdëni është gjallë. Por pse s'më tregove? Pse nuk më the që në fillim që ai ishte gjallë, po vazhdove të ma bëje të qartë faktin që kishte vdekur?

- Nuk doja të të shqetësoja Gabriela. Nëse të tregoja se ishte gjallë, atëherë do të dëshiroje ta shihje dhe nëse e shihje, do bëheshe akoma dhe më keq kur të kuptoje se në ç'gjendje ishte.

Për një kohë të gjatë s'foli. Ai kishte të drejtë. Do t'i thyhej zemra po ta shihte Xhejdënin të luftonte çdo ditë me jetën.

Disa pika shiu filluan t'ua lagnin fytyrat, por ecjen s'e ndaluan aspak. Ecnin me të njëjtin ritëm, pa u shqetësuar nga shiu që po binte.

  - Kishte raste kur mendoja se Xhejdëni s'do mund të jetonte dot, - nisi të fliste ai pas një kohe. Pikat e shiut shoqëroheshin me tingullin e fjalëve të tij. - Trembesha kur e shihja aq pranë vdekjes. Ndonjëherë përmendej vetëm për pak sekonda, thoshte emrin tënd e sërish i binte të fikët. As vetë s'e mbaj mend se sa herë e ka bërë këtë gjë.

Ajo s'fliste. I mjaftonte të dëgjonte Kevinin e të krijonte skenarë të ndryshëm në mendjen e saj dhe më pas fillonte të ndiente rrahjet e shpeshta të zemrës.

  - Por e mbaj mend shumë mirë ditën kur u zgjua. Nuk ishte shëruar akoma plotësisht. Plagët e thella s'i ishin mbyllur, po s'bënte gjë tjetër veç këmbëngulte duke thënë se ishte mirë. Donte aq shumë të të takonte. Më beso kur them se për një moment mendova edhe ta lidhja te ndonjë vend vetëm që të mos ikte, se e dija që do bëhej keq, por gjeta diçka që ia ndaloi vrullin. I tregova që ishe shtatzënë. I thashë edhe që fëmijës së palindur akoma mund t'i ndodhte ndonjë gjë prej tronditjes që ti mund të përjetoje kur ta shihje atë gjallë. Nuk deshi më të largohej pa u shëruar, ndonëse e di që largimin e ka menduar gjithë ato herë.

  - Do doja ta kisha pasur pranë, - dëshiroi me zë tepër të ulët, si të fliste me veten. - Është tepër e vështirë të ndahesh nga një person kur ai do të thotë shumë për ty. Ti je i vetmi që më kupton rreth kësaj çështjeje.

Në ato momente vendosën të mos flisnin më. Le të fliste era me shiun, pemët me lulet, retë me qiellin, ata thjesht donin qetësi.

Filluan të bënin rrugën e kthimit. U kthyen më shpejt nga ç'e kishin menduar. Xhejdëni gjendej jashtë spitalit. Ishte ulur te një stol e po bisedonte me Xhorxhin. Kur vështroi ata që po vinin, u ngrit duke buzëqeshur e i shkoi Gabit pranë duke e mbështjellë me një përqafim.

Dëgjoi zhurmën që bënte aparati fotografik kur shkrepej e lëvizi pak kokën, por pa u larguar nga krahët e Xhejdënit. Xhoi sapo iu kishte bërë një fotografi.

  - Tani do keni edhe një kujtim me tepër. Është bukur kur ke diçka të lumtur për të kujtuar.

Në ato momente i erdhi në mendje se sa kishte vuajtur kur s'e kishte patur Xhejdënin afër. Se sa keq ishte ndier. Por njeriu harron shpejt. Dallohet qartë kontrasti i kujtimeve të dhimbshme me harresën. Zemra ka vend për të gjitha stinët. Pjesa e dhimbshme do të ngelet gjithmonë si një dimër i largët e i acartë, ndërsa pjesa e lumtur do të jetë përherë si pranvera më e bukur.

FUND

I ndaluariWhere stories live. Discover now