Me sytë gjysmë të hapur ose gjysmë të mbyllur, sidoqoftë të konsiderohej, shikonte që po ndryshonte vend, po lëvizte. Gjendej në krahët e Xhejdënit, gjë tjetër s'dinte ç'ndodhte. S'pati fuqi të shikonte se çfarë po bënte Xhoi e as për të parë atë tjetrën, emrin e së cilës s'e dinte akoma.
Shumë shpejt u ndodh në një dhomë tjetër dhe në një shtrat të butë. Xhejdëni i qëndronte pranë.
Të prerat vazhdonin t'i digjnin e t'i dhimbnin. Përveç disa rënkimeve të vogla dhimbjesh, nuk mund të nxirrte gjë tjetër nga goja. Në atë gjendje vazhdoi të qëndronte edhe për disa minuta, madje edhe kur një person hyri në dhomë duke mbajtur një çantë në dorë. E u ndesh me errësirën vetëm kur ai i bëri një gjilpërë, të cilën as që e ndjeu. Mbylli sytë ngadalë. Gjëja e fundit që ndjeu ishte dora e Xhejdënit kapur me të sajën.
Kaloi një orë e disa minuta kur e mori veten plotësisht. Sytë iu hapën ngadalë. Mundi të dallonte pak nga pak hijen e Xhejdënit, që po fillonte të bëhej çdo herë e më e dukshme.
- Ndihesh mirë?
- Pak a shumë, - i ktheu përgjigje me një zë tepër të ulët, sikur të donte që ato fjalë t'i dëgjonte vetëm ai.
- Lora s'është mirë kohët e fundit, betohem. Më duket se do më detyrojë t'i bëj ndonjë gjë për të cilën s'do ndihem aspak e penduar më vonë, - u dëgjua zëri i inatosur i Xhoit dhe Gabi lëvizi kokën ngadalë për ta vështruar.
Vetëm në ato momente kuptoi se në dhomë s'ishte vetëm me ata të dy. Pranë Xhoit ishte Xhorxhi. Ai vështronte herë nga Xhejdëni, herë nga Gabi dhe herë nga Xhoi. Disa hapa tutje qëndronin Dilani dhe Emanuela, kjo e fundit duke e vështruar Gabrielën me po atë vështrim fajtori e gati-gati duke u fshehur pas Dilanit. Ndërsa Kevini qëndronte në një cep të dhomës, me kokën ulur dhe me duart e kryqëzuara. Dukej tepër i ftohtë e i shpërqëndruar, sikur të mos e kishte fare mendjen tek ajo që po ndodhte.
- Ndoshta edhe unë duhet të filloj t'i bëj gati kartelat për në ndonjë spital të çmendurish, - bëri shaka Xhorxhi.
- Merre seriozisht këtë punë i dashur, më pëlqen. E teproi shumë me atë që bëri. Gabriela mund edhe të kishte vdekur.
Ata po bisedonin, ndërsa Xhejdëni qëndronte pa folur. E vështronte Gabin me kujdes, si të donte të kapte të gjitha reagimet e fytyrës së saj. E dukej qartë që bisedat e tyre ishin një shpërqëndrim tejet i madh për të.
- Mund të dilni jashtë nëse mbaruat? - nuk duroi dot më gjatë pa pyetur. Donte qetësi.
Xhoi pohoi me kokë e ata dolën të gjithë nga dhoma. Tashmë ishin vetëm ata të dy. Ajo e vështroi në sy dhe mori frymë thellë. Vendosi dorën në qafë, atje ku ndjeu fashot t'i binin në kontakt me lëkurën.
- Shtrihu me mua në krevat, - i kërkoi duke i kapur dorën.
Ai me një buzëqeshje të ëmbël iu afrua pranë, ngriti pak fare jastëkun dhe u shtri me të. E rrethoi me krahët e veta, veprim që i fali siguri, mbrojtje, duke e ditur se asgjë s'mund t'i ndodhte nëse pranë kishte atë. - Ajo ishte e dashura jote, apo jo?
Ai iu përgjigj me një "po" të thatë.
- Nuk do që të shkëpusë lidhjet me ty?
Një tjetër pohim nga ana e tij.
- Mund ta di përse vazhdon të qëndrojë ende në këtë shtëpi?
Ndoshta mund të dukej xheloze, por s'ishte, s'kishte pse, e dinte që Xhejdëni donte vetëm atë. Thjesht donte të dinte arsyen e qëndrimit të Lorës në atë shtëpi.
- Është motra e Kevinit, deri tani ka qëndruar këtu vetëm për hatër të tij. Por e detyrova të largohet. Do shkojë jashtë qytetit.
- Besoj se Kevini nuk e priti mirë këtë gjë.
- S'kundërshtoi.
Heshti për një çast. Lëvizi dorën në kraharorin e tij teksa mendonte.
- Po sikur ajo të kthehet?
- Është gjë që s'ndodh. Nuk ka për të ndodhur sërish ajo që ndodhi sot.
Ai uli kokën për në qafën e saj dhe e puthi lehtë pranë veshit. Edhe pak kohë të kalonte, përsëri gjithmonë do të donte të qëndronte afër me Gabin. Ishte diçka me të cilën s'do të mërzitej kurrë. E donte dhe s'do ndalonte kurrë së dashuri.
Buzëqeshi duke u ndier e përkëdhelur prej veprimeve të tij.
Mbylli sytë paqësisht dhe vendosi ballin e vet ngjitur me të tijin. Frymëmarrjet e tyre bashkoheshin dhe fytyrat iu përkëdheleshin butësisht nga ato frymëmarrje.- Të besoj, Xhejdën, - i pëshpëriti me zë të ulët dhe e puthi në buzë plot dëshirë.
E kuptonte se ishte me fat që kishte një si ai, që i gjendej pranë në çdo moment, e mbështeste në çdo veprim dhe e ndihmonte kur i jepej rasti. Por përsëri shpesh herë e gjente të vështirë t'i thoshte atij që e donte, ndaj deri në ato momente nuk ia kishte thënë kurrë ato fjalë, edhe pse ai dukej sikur mezi priste ta dëgjonte atë deklaratë të dalë nga goja e saj.- Jeto me mua, - i pëshpëriti ai ngrohtë dhe e vështroi në sy, ku i dallohej qartë shpresa e gëzimi.
I buzëqeshi në të njëjtën mënyrë.
- Në rregull.
E puthi përsëri lehtë dhe ndjeu më shumë se çdo herë tjetër ngacmime brenda trupit. E dashuronte çdo herë e më tepër pas çdo fjale, çdo veprimi, çdo puthjeje.
YOU ARE READING
I ndaluari
WerewolfIu duk sikur për disa çaste nuk mund të merrte dot frymë. Ndjeu një ngushtim në zemër, një ndjenjë faji e pendese që s'e dinte se nga i buronin. Fjalët kishin vendosur të largoheshin e po i dukej vetja memece. Hapte e mbyllte gojën, por në fund përf...