23

941 99 38
                                    

Kishte kapur dorën e Xhejdënit e ishin shtrirë bashkë në shtrat. Kishte arritur që më në fund t'ia hiqte pak mendjen nga Kevini e Lora e ai për fat të mirë dukej më i qetë.
Po luante me flokët e saj pa folur.

- Xhejdën?

- Hmm? - e pyeti ai me një hungërimë të vogël e ajo ngriti pak kokën që të shihte në sytë e tij.

- Pse s'më ke treguar më parë për shënjimin?

- Kush të tregoi? - e pyeti ai serioz e u ngrit pak duke vendosur kurrizin te koka e krevatit.

- Emanuela. Dilani s'donte ta shënjonte. Edhe ti s'do?

Shpresonte që ai të mos pohonte. Nëse e bënte, do ndihej si puna e njerëzve që vetëm sa zënë një vend kot pranë dikujt tjetër. Si për ironi të fatit, ai pohoi.

- Pse?

- Më pëlqen kështu siç je. S'dua të të ndryshoj.

- S'ke frikë?

- Për çfarë? Që je një njeri? - ai harkoi pak buzët e hodhi vështrimin diku tutje.

- Jo. Për faktin që unë edhe mund të largohem prej teje nëse ti s'më shënjon.

Ai vendosi të mos fliste. I hodhi një shikim tjetër kontrollues e më pas psherëtiu lehtë.
U vendos në të njëjtin pozicion si ai e po vështronte përballë murin e bardhë.

- Dua të më shënjosh, - i kërkoi e vendosur.

Mendonte se efektet do ishin të mira. Ajo do kthehej në një njeri-ujk, do fitonte ato cilësitë që njerëzit e tillë kishin e për më tepër do forconte akoma më shumë lidhjen me Xhejdënin.

- Ndërsa unë jo, - ishte hera e parë që zëri i tij u mbulua nga serioziteti e ajo ktheu kokën ta shihte me habi.

Edhe pse e kuptoi ndryshimin e sjelljes të tij, Xhejdëni përsëri nuk kërkoi ndjesë. Ishte i bindur që kishte të drejtë. Dhe kishte të drejtë përderisa ajo s'e dinte se si qëndronte puna.

E Gabriela vetëm në ato momente e kuptoi se ishte mësuar keq me ato përkëdheljet e fjalët e ëmbla të tij. I dukej sikur situata bëhej vërtet keq kur zëri i tij ndryshonte ton.

- Pse jo?

U përpoq të mos e shfaqte zhgënjimin, por kjo ishte diçka thuajse e pamundur.

- Nuk je i sigurt? Nuk do që të më kesh gjithmonë pranë? Ç'është?

E dinte se asnjë prej tyre nuk ekzistonte si mundësi, se Xhejdëni një mijë herë i kishte vërtetuar të kundërtën, por ndjeu një dëshirë të pyeste për çdo gjë që i shkonte në mendje.

- Sigurisht që s'është asnjëra prej tyre Gabriela. As që duhet ta mendosh diçka të tillë.

- Gabi, - e korrigjoi duke e parë drejt e në sy. Nuk i pëlqente kur ai e thërriste në emër të plotë. I dukej sikur donte të fliste për ndonjë gjë serioze që asaj s'do i pëlqente.

- Sidoqoftë, pak a shumë e njëjta gjë është.

Ajo fjali i kujtoi shumë gjëra. Shumë kujtime të padëshiruara po i fluturonin në mendje.
Ndonjëherë, gjëja e vetme që dëshironte ishte që të hiqte të gjitha kujtimet e këqija të së shkuarës së saj, t'i hidhte në një kosh e të mbante vetëm ato të mirat.
Ato fjalë që ai tha, i kujtuan pikërisht ditën kur ndodhi aksidenti.

- Sa herë duhet t'ua përsëris të njëjtën gjë? Po ju kërkoj thjesht diçka të vogël, - foli e acaruar e mbështeti kokën pas xhamit të makinës.

I ndaluariWhere stories live. Discover now