Po ecte qetësisht në shëtitoren e vogël pas kështjellës, mbushur me lule orkideje, trëndafila të të gjithë llojeve dhe disa jargavanë. E gjendur në paqe midis asaj natyre të dashur dhe pranisë së kontit Eduard të Notingamit, Adalena buzëqeshte lehtë me veten.
-Gjendja është duke u vështirësuar, Adalenë, jemi duke kaluar kohë jo aq të mira.
Ai ecte pranë saj, duke ia mbajtur krahun në të tijin si të ish një mbretëreshë. Do të donte që ashtu ta mbante gjithë jetën. Për të, Adalena ishte femra e vetme që ai mund ta shihte përditë e të mos mërzitej kurrë prej pranisë së saj.
-Duhet të tregoheni vërtet të kujdesshëm. Im atë më tregoi gjithçka për disfatën e përpjekjeve detare britanike për të përshkuar dardanelët dhe për të kërcënuar Stambollin. A duhet të merrni vërtet pjesë në çdo luftë të organizuar? Nuk më pëlqen aspak të mendoj se ju kam larg dhe diçka e keqe mund t'ju ndodhë.
Ai vuri buzën në gaz kur ktheu kokën dhe vuri re shikimin e saj të menduar të hedhur përtokë, apo edhe faqet e skuqura lehtë prej shqetësimit që e mundonte.
Ndaloi, e kapi në belin e hollë që zbukurohej tejmase prej korsesë së fustanit ngjyrë vjollcë, dhe i la një puthje në ballë.-Për të qëndruar pranë jush jam i gatshëm të lë pas gjithçka, por s'mundem. Jo kur mbreti e kërkon me patjetër pjesëmarrjen time.
Ia përkëdheli lehtë faqen ndërkohë që ajo psherëtiu dridhshëm.
-Kur do t'iu tregojmë prindërve për lidhjen tonë? Nuk duroj dot më të të takoj me frikë.
E qetësoi duke i thënë se së shpejti do ishin së bashku. Mendonte se ato ditë do t'i tregonte markezit Luis se donte të merrte për bashkëshorte vajzën e tij të mrekullueshme, por kur po e mbushte mendjen e vet me ide të këndshme që ndoshta s'kishin për të ndodhur kurrë, dëgjuan disa fëshfërima gjethesh pak më tutje.
U largua disa hapa prej Adalenës dhe të dy vështruan në drejtimin prej nga dëgjoheshin zhurmat. Ishte Doren, vëllai i Adalenës.
-Më vjen mirë që ju shoh këtu, kont, - e përshëndeti ai Eduardin me një përkulje të hijshme.
Pasi mori përshëndetjen edhe nga ana e tij, iu drejtua të motrës që qëndronte pa folur.
-Ndjesë që ju ndërpreva bisedën, por duhet të vish në kështjellë për të biseduar me prindërit. Kanë diçka të rëndësishme për të të thënë.
Adalena ndjeu një sëmbim në kraharor. Diçka kishte dëgjuar prej shërbyeses së saj Emili, por kishte menduar se kishte shumë pak gjasa që i ati ta martonte me kontin hokatar Çarli.
Megjithatë u përpoq të dukej sa më e qetë. Vendosi një buzëqeshje në fytyrë dhe pohoi ngadalë.I uroi kontit një ditë të këndshme dhe e la në shoqërinë e Dorenit, ndërsa vetë u largua me Emilin.
-Çfarë ka ndodhur? Bëhet sërish fjalë për Çarlin, apo jo?
-Mesa duket po, zonjushë. Vura re se markezi dukej vërtet i tensionuar.
Adalena nxitoi hapat. Fustani iu kap në disa gjemba të trëndafilave dhe e tërhoqi pa kujdes, pa ndonjë interes të madh nëse e kishte prishur.
Kur hyri brenda kështjellës, filloi të ngjiste shkallët e shumta derisa shkoi te salloni i pritjes. Atje i gjeti të dy prindërit. Nëna e saj qëndronte ulur në kolltukun me lëkurë pranë oxhakut, ndërsa i ati, i cili edhe atë dhomë e kishte shndërruar në zyrë të tijën, kish përhapur në tavolinë një duzinë letra dhe shikonte i foksuar mbi to.-Më kishit kërkuar.
Markezi Luis ngriti menjëherë kokën.
-Eja Adalenë, ulu, duhet të bisedojmë.
Ajo u ul përballë së ëmës, pranë së cilës shumë shpejt u ul edhe markezi.
-Ti e di pirgun me kërkesa që kanë ardhur për ty. Shumë kontë kanë dashur të të kenë në krahë, shumë baronë, por s'ke pranuar asnjë prej tyre. Duke qenë se nuk ke pëlqyer asnjë, unë dhe nëna jote menduan të zgjidhnim dikë për ty.
Këto ishin pikërisht fjalët që ajo kishte menduar pikë e presje në mendjen e saj. Tani priste vetëm që ai t'i thoshte për Çarlin dhe gjithçka do merrte fund.
-Të denjë për ty pashë vetëm dikë. Dukën Delion të Londrës.
-Cilin?! - bërtiti duke brofur menjëherë prej vendit ku qe ulur.
Harroi rregullat e mirësjelljes që e kishin detyruar të mos i thyente kurrë. Në atë çast s'mund të mendonte dot asgjë.
Sytë i kishte hapur në pabesi dhe fjalët po i ngatërroheshin me njëra-tjetrën.-Dukën Delion?! Kjo është marrëzi! Ai... Ai është i pamëshirshëm! Është mizor!
Duart kishin filluar t'i dridheshin. Këmbët mezi po e mbanin. Donte vetëm të shembej sërish në kolltuk, por nuk ia lejonte vetes atë dobësi.
-Është shkatërrues! -vijoi sërish me të sajën e terrorizuar.
-Është i pushtetshëm, -theksoi i ati thatë dhe u ngrit edhe vetë prej kolltukut me një ftohtësi vrastare. -Është punë e mbaruar Adalenë. Duka Delion Frost do jetë bashkëshorti yt i ardhshëm dhe asnjë fjalë e jotja s'e ndryshon dot këtë fakt. Bën mirë të mësohesh tani e tutje.
Ai u largua që aty pa pritur kundërshtime. Kur Adalena, e cila po ndiqte me sy çdo hap të tij, vuri re sesi dera u mbyll, u drejtua me trup nga e ëma dhe u ul gati duke rënë në këmbët e saj. Ia kapi duart duke i lënë lotët e kristaltë t'i rridhnin faqeve.
-Të lutem nënë, bëj diçka, unë s'mund të martohem me Delionin. Ai... do jetë shkatërrimi im! Të lutem.
Ia shtrëngonte duart pa i ndalur ngashërimat, por e ëma, në sytë e së cilës feksnin pika të vogla loti, shkundi kokën ngadalë e pafuqishme dhe ia puthi duart e bardha së bijës.
-Më vjen keq Adalenë, por ti e di se unë s'mundem të bëj dot gjë. Luisi i ka dërguar letër Delionit, tashmë kjo është çështje e mbyllur.
Adalena shkundte kokën si të donte që ato fjalë të mos ishin të vërteta. Vendosi kokën në prehërin e nënës dhe e la kraharorin t'i ngrihej e t'i ulej pa kontroll.
-Qetësohu bijë, gjithçka po e bëjmë për ty. Mendojmë se Delioni do arrijë të të mbrojë më mirë se ne. Tashmë sulmet prej ushtrive të huaja janë bërë të zakonshme dhe...
-Më mirë të vdes sesa të ma bëni diçka të tillë.
Margarita psherëtiu gjatë. E përkëdheli bijën në kurriz dhe i përsëriti edhe një herë që të qetësohej.
Asgjë nuk mundej të ndryshonte në vazhdim. Dita e martesës ishte vendosur, fustani i saj ish paramenduar dhe përgatitjet kishin nisur që herët.Pas disa ditësh, Adalena s'do t'i përkiste më asaj shtëpie. Do ndodhej me dikë tjetër. Me dikë që e urrente dhe do ta urrente përjetësisht. Me dikë që do thërrmonte qenien e saj në mijëra copa dhe do ia bënte të pamundur të ringrihej.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...