14

336 33 90
                                    

Dedikuar fat_lume 💚
Të falenderoj që e lexon "Parajsën e pafund" dhe lë votat e tua në çdo pjesë.

Katër ditë të qeta kaloi bashkë me markezen në kështjellën e vetmuar, të rrethuar vetëm nga copëza vegimesh që i kujtonin Dorenin dhe të atin.

Nuk kishte marrë asnjë lajm prej tyre. Delioni nuk i kishte shkruar, ndonëse para se të ikte ajo i kish kërkuar ta informonte për çdo gjë që do të ndodhte, ndërsa Doreni kish dërguar vetëm një letër të shkurtër ku thoshte se do vonoheshin më shumë seç e kishin menduar. Kaq. Nuk i kishte thënë se çfarë po bënin, se pse qe shtyrë dita e kthimit dhe se ç'problem iu kishte dalë.

Atë ditë, një të mërkurë të vrenjtur si pjesa më e madhe e ditëve të tjera, e mbushur me mjegull që po zbriste si tym prej qiellit, ajo kishte dalë bashkë me të ëmën në kopshtin pas shtëpisë dhe qenë ulur të dyja në një kolltuk-lisharës.

Kishte vendosur kokën në supin e së ëmës dhe rrinte me sy mbyllur, e kënaqur prej përkëdheljeve që ajo i bënte në flokë ndërkohë që dëgjonte edhe rrëfimin e saj për një ngjarje të së shkuarës.

-Atë ditë qenë mbledhur shumë njerëz. Kuzhinieret kishin gjithë ditën që gatuanin pa pushim dhe aroma e ushqimeve nuk mundej të mos shkonte deri në hundët e Dorenit. E vura re se si shikonte përreth dhe ecte ngadalë duke u fshehur pas të tjerëve që të mos e shihja.

Margarita qeshi lehtë teksa kujtonte fëmijërinë e tyre.

-Erdhi pranë teje. Të pëshpëriti diçka në vesh dhe pastaj, pasi u kapët të dy për dore, filluat të vraponit mes për mes sallonit të mbushur me njerëz, edhe pse markezi shumë herë iu kish këshilluar të silleshit të matur kur bëheshin ballo.
Djali i baroneshës së Oksfordit u bë kurioz dhe iu ndoqi fshehurazi deri në kuzhinë, atje ku ti me Dorenin ishit futur poshtë tryezës dhe hanit kekët e vegjël me lëng luleshtrydheje. Kur më pa mua, ai bëri me gisht nga ju të dy dhe prishi fytyrën.
"Zonjë, sjellja e fëmijëve tuaj nuk përkon me titullin e tyre të lartë. Lë vërtet për të dëshiruar," - më tha me kokën lart duke imituar prindërit e tij kur kritikonin të tjerët. Doreni nuk i humbi këto fjalë. La përgjysmë kekun e tij të preferuar dhe me ty pas vetes doli prej tryezës. I kërkoi djalit të baroneshës të përsëriste edhe një herë fjalët që sapo kishte thënë. Ai ia tha të gjitha, pastaj shtoi se ti nuk do martoheshe kurrë, se asnjë mashkull nuk do pëlqente një femër llupëse që donte të hante vetëm ëmbëlsira gjithë ditën.

Adalena prishi fytyrën e pakënaqur. Nuk e dinte se kishte marrë një koment aq negativ prej një fëmije gjashtë vjeçar.

-U përpoqa ta merrja veçmas djalin e baroneshës për t'i dhënë disa këshilla, po Doreni nuk më la. Më pa si të ishte një i rritur dhe qëndroi serioz përballë djalit. "Askush nuk flet keq për motrën time," - i tha me inat para se të merrte prej tavolinës tortën katër-katëshe me të cilën kuzhinieret ishin marrë gjithë ditën dhe t'ia hidhte në fytyrë tjetrit.

Qeshi e lumtur me veprimin e vëllait ndërkohë që në mendje imagjinonte çdo skenë dhe dëshironte të kthente sërish kohën për të përjetuar atë çast.

-"Dhe jo vetëm që do martohet, po do gjejë një djalë trim që do ta dojë gjithë jetën, jo një qull si puna jote."
E dija se kisha rritur një fëmijë të veçantë, por nuk mendova kurrë se ai do t'i jepte një përgjigje të tillë, Adalenë. Edhe sot përlotem kur e kujtoj.

Ajo edhe qeshte, edhe qante, pa e ditur nëse brenda ndiente lumturi apo trishtim.

-Tani e kuptoj se ka pasur të drejtë. Isha e frikësuar në fillim për martesën tënde me Delionin, por shoh se kemi bërë gjënë më të mirë të mundshme.

Parajsë e pafundWhere stories live. Discover now