"Vjehrra" ishte shtrirë për të bërë gjumin e natës, por sado që përpëlitej sa nga njëra anë në tjetrën për të gjetur rehat, sytë akoma i kishte filxhan dhe në mendje vazhdonin t'i silleshin mijëra ide.
-Fli, Sharlotë, - e urdhëroi Alberti.
Ai dukej mjaft i indinjuar. Kishte kaluar një ditë të gjatë dhe të lodhshme, por e kishte të pamundur t'i mbyllte sytë e të flinte qetë kur Sharlota fliste me veten gjatë gjithë kohës.
-E kupton se ç'problem të madh kemi? Adalena nuk dëshiron fëmijë.
Ai psherëtiu thellë dhe vështroi tavanin. Hoqi dorë prej gjumit, se e kuptoi që bashkëshortja s'kishte për ta lënë kurrë rehat nëse nuk nxirrte jashtë çdo fjalë që kishte në kokë.
-Mos e vendos vajzën në siklet, lëre të mësohet si fillim me ambientin dhe njerëzit e rinj. Nuk e kujton veten kur u martuam? T'u desh një vit i plotë që të filloje të flisje.
-Po, por ama fëmijën e nxorra nëntë muaj mbas martesës! Dhe unë s'kam për të qëndruar duarlidhur derisa t'i shoh ata të dy si një çift.
Çonte në mendje çdo mundësi se si mund t'i afronte ata të dy dhe ta bënte Adalenën të kuptonte se ç'njeri të veçantë kish në krah, se Sharlota e kishte dobësi Delionin. Për atë i dhimbte zemra si për fëmijën e vet. E kishte rritur me duart e saj dhe e pa tek përcillte vitet e bëhej burrë.
-Dhe ajo shërbyesja e Adalenës, Emili, do më hyjë vërtet në punë.
Sytë e saj shndritën në errësirë si të ishte duke menduar ndonjë strategji hyjnore.
-Edhe atë do ta ngatërrosh me planet e tua?!
-Ti nuk di nga këto punë! - e qortoi e zemëruar. -Më lër mua në dorë gjithçka dhe ke për ta parë se sa mirë do shkojnë gjërat.
Alberti psherëtiu sërish. Ktheu trupin nga ana e djathtë dhe mbylli sytë i pafuqishëm.
-Shpresoj, grua, shpresoj, - qenë fjalët e fundit që i tha para se një minutë më vonë të binte në një gjumë të thellë.
Sharlota mbylli sytë pas tij. Mendoi aq shumë për Delionin dhe Adalenën, sa dhe gjumi e zuri me një buzëqeshje dinake në fytyrë.
Të nesërmen do fillonte gjithçka, e kishte vendosur.
Mëngjes
-Moti është i bukur sot, apo jo, e dashur?
Adalena nuk e kuptoi se pse iu drejtua vetëm asaj për një pyetje që mund të përgjigjej prej çdokujt.
Mbylli letrën që i kishte dërguar një mike dhe e mbajti me dorë mbi prehër.
Kishte një orë që tryeza e mëngjesit ishte ngritur dhe ata kishin vazhduar ditën e tyre normalisht.
Eloiza bashkë me Frederikun dhe Xhorxhin po bëheshin gati për t'u larguar sërish në Francë për shkak të disa punëve që kishin, Alberti po lexonte një gazetë në kolltukun pranë dritares dhe ndërkohë pinte me kënaqësi një gotë me lëng të freskët boronicash, ndërsa Delioni qëndronte akoma në tavolinë me një grumbull të madh fletësh përballë tij. Sytë i mbante gjatë gjithë kohës ngulur mbi fletë, aq sa ajo u frikësua se mos ndoshta kështu i dëmtohej shikimi.-Po, zonjë, siç duket do kemi diell gjithë ditën.
E përsa i përkiste Sharlotës, sapo kishte mbaruar ushqim ishte ulur pranë zjarrit dhe kishte filluar të thurte me shtiza një triko të vogël. Merrej me mend se për kë.
-Si thua, a nuk do ishte mirë sikur të dilje për një piknik me Delionin? - u hodh ajo menjëherë duke i lënë shtizat mënjanë.
Adalena hodhi sytë nga duka, por ai nuk kishte dëgjuar gjë, aq i përqëndruar ishte në punën që po bënte.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...