Një gjumë i lehtë e kish kapur gjatë të menduarit. E lodhur prej vorbullës së kujtimeve që ia shkundën të gjithën qenien, nuk e kishte marrë me mend se kur ndodhi që qepallat t'i rëndoheshin e sytë të mos i shihnin më. Vetëm kur u zgjua e kuptoi se kishte qenë në gjumë për më tepër se gjashtë orë, orë gjatë të cilave asnjë e re s'kishte ndodhur.
Vuri re se në tavolinën që fillimisht kish qenë bosh, tani qenë vendosur disa ushqime për të. U ul të hante qetësisht, nuk donte ta lodhte trupin e vet dhe foshnjën që duhej të ushqehej vazhdimisht. Shihte jashtë dritares teksa përtypej ngadalë dhe mendueshëm. Dhe disa orë e më pas do shihte lindjen e diellit, një lindje dielli pa Delionin në krah.
Diçka iu ngushtua në kraharor. Për herë të parë pas ardhjes në atë vend e ndjeu fuqishëm ndjenjën e frikës dhe të vetmisë.
Toka e huaj nuk e donte aspak, aq sa i dukej sikur dyshemeja poshtë tundej e bëhej gati të hapej për ta thithur të gjithën.Shkundi kokën dy-tre herë që të largonte mendimet e errëta prej mendjes dhe pastaj lagu fytin e thatë me lëngun e portokallit që i kishin lënë në tavolinë. Me aq e mbylli vaktin e saj, ndonëse e pranonte shumë mirë se në raste normale do kish konsumuar gati dyfishin e asaj që konsumoi në ato momente.
U ngrit prej karriges, shkoi pranë dritares dhe mori frymë thellë. Një ajër i ngrohtë iu përplas fytyrës. Mbylli sytë për të marrë veten teksa në mendjen e vet imagjinonte një të ardhme të lumtur me Delionin, imagjinonte buzëqeshjen e tij që i jepte shpresë, sytë e kaltër që e ngrohnin edhe në mes të të ftohtit më të madh, duart që e shtrëngonin fort dhe e mbronin nga çdo e keqe.
Mendonte dhe pa e kuptuar buzëqeshte me veten, aq të forta ishin ato momente të vogla që Delioni e bënte t'i përjetonte çdo ditë. Dhe mendoi për një kohë të gjatë, aq sa shpirti iu zbut sërish dhe shpresa iu riformua siç riformohej feniksi prej hirit të vet. Mirëpriti me një qetësi të thellë rrezen e parë të diellit, e cila ia preku fytyrën dhe ngadalë filloi t'ia ngrohte lëkurën e ftohtë. Nga ajo përhumbje aq e dashur do ta shkëpusnin disa hapa galopantë në drejtim të dhomës ku ndodhej. Ktheu kokën menjëherë, shumë mirë duke e ditur se i njëjti burrë thatim do futej brenda; e mbante mend mirë se si tingëllonte ecja e tij në heshtjen e rëndë të anijes.
Dera u hap. Sytë e tij të nxehur e vështruan një çast me përçmim para se buzët e mbledhura prej inatit të hapeshin për të krijuar një fjali të shkurtër.
-Eja, duhet të largohemi.
U përtyp ndërkohë që shkonte në drejtim të tij në mënyrë robotike. Ç'mund të bënte Rajmondi tani? Ta torturonte? Ta vriste përballë gjithë francezëve?
Nuk i kërkoi burrit t'i tregonte se çfarë kishte ndodhur, nuk donte të dukej frikacake para tij. E la atë ta nxirrte jashtë rezidencës e ta hipte sërish në të njëjtën karrocë e cila e kish çuar fillimisht në atë vend.
E sado që ajo qëndroi e qetë, vinte re se tjetri mezi qëndronte në vendin e vet. Një herë hidhte këmbën e majtë mbi të djathtën, çastin pasardhës bënte të kundërtën, pastaj të dyja këmbët i çeknin tokën, ndërsa dora i shkonte të kollarja që i shtrëngonte qafën dhe e lironte nga pak që të largonte ndjesinë e mbytjes. Një situatë vërtet e pazakontë.
-E di çfarë? - nisi ai të fliste pak më vonë pa e duruar dot atë heshtje të tillë. Mjaft i kishte mendimet e veta që e copëtonin të gjithin, nuk donte që dhe heshtja të bënte të njëjtën gjë. -Më erdhën disa fjalë se bashkëshorti yt ndodhet në bregun francez.
E vështroi menjëherë në sy pas atyre fjalëve, pa e luftuar dot buzëqeshjen që iu shfaq vetvetiu në fytyrë.
-Të shohim se ç'ka për të thënë. Presidenti pret një kompromis.
VOCÊ ESTÁ LENDO
Parajsë e pafund
Ficção HistóricaVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...