Një boshllëk i madh në bark që nuk e linte Adalenën të mendonte qartë, ia hoqi edhe oreksin. Refuzoi të hante mëngjes me të tjerët, ndaj qëndroi e heshtur gjatë gjithë kohës dhe nuk iu bashkua bisedës që ata kishin hapur.
Ata të tre, Alberti, Sharlota dhe Eleonora, ku kjo e fundit erdhi rreth gjysmë orë pas largimit të Delionit, po diskutonin ndërkohë që shijonin biskotat me tërshërë përzier edhe me copëza çokollate.
-Njerëzit po infektohen nga një sëmundje vërtet e çuditshme, - qenë fjalët e Eleonorës që i shkuan në vesh. -Nuk ia kemi idenë nga se është shkaktuar, dimë vetëm se po merr jetë njerëzish para se të kemi mundësi të veprojmë.
Adalena vetëm nga ajo bisedë kuptoi se tezja e Delionit ishte infermiere në spitalin më të mirë të Londrës, i cili siç dukej qe mbushur plot me njerëz që lëngonin nga dhimbja.
-Kur të vjen e keqja, hapja derën, - tha Alberti i tensionuar. -Nga njëra anë gjermanët, nga tjetra sëmundja.
Sytë e Adalenës e shfaqën shqetësimin para se të qe e aftë ta fshihte. Shpresonte që Delionin të mos e gjente asnjë e keqe dhe t'i kthehej pranë së shpejti, i fortë, me shikimin e mprehtë dhe gjithë energji.
-Kështu erdhën kohët. Edhe pse është e frikshme të pranohet, duhet ta kemi të qartë se do kemi shumë humbje. Na mbetet vetëm të lutemi që të mos humbasim asnjë person të afërt.
Mbështeti mendimin e Sharlotës duke lëvizur kokën ngadalë, edhe pse askush nuk e shihte.
Ndërkohë që ata vazhduan bisedën, shërbyesja solli disa letra. Rreth dhjetë të tilla ishin për Sharlotën, ndërsa një për të, e dërguar nga e ëma.
-Adalenë, mund t'i lexosh pak edhe letrat e mia, të lutem? - i tha gjyshja me një vështrim të butë, disi e lodhur me mendimin se i duhej të vendoste syzet e të lexonte shkrimin e dendur në letrat e dërguara.
-Po, patjetër.
Të sajat i hapi të parat. Ishin nga zonjat fisnike të Londrës, të cilat i kërkonin ndjesë që s'mund të vinin për vizitë e të uronin çiftin e ri. Frika e sëmundjes ngjitëse i kishte stepur dhe udhëtimet që dikur i kishin aq shumë qejf, tashmë nuk iu ngjallnin aspak kënaqësi.
Adalena u lehtësua, se nuk ndihej aspak e gatshme të rrinte mbi gjemba gjatë gjithë kohës, ndonëse shoqëria e tyre nuk mund të ishte aq e keqe sa mendonte.
Në fund hapi me kujdes letrën e dërguar nga markezja. Kaloi gishtin në shkrimin e saj të vogël kaligrafik dhe buzëqeshi lehtë.
"E dashur Adalenë,
Shpresoj të jesh duke kaluar mirë në familjen e re dhe ta ndiesh veten sadopak ngrohtë në praninë e tyre.
E di se kanë kaluar pak ditë që prej largimit tënd, por më ka marrë malli të të shoh rrotull kështjellës së bashku me Dorenin. Tashmë nuk të kam as ty, as vëllanë tënd, as markezin.
Ata të dy u larguan për në Liverpul. Kam një ndjenjë të keqe, më duket sikur diçka e pakëndshme do të ndodhë, ose ndoshta vetmia dhe lajmet e këqija që kam dëgjuar më bëjnë të mendoj gjëra që s'duhen.
E di që fjalët e mia do të të shqetësojnë, por e kam të vështirë të mbaj gjithçka brenda.
Më shkruaj pas leximit të kësaj letre. Dua të di se ç'po ndodh me ty."Teksa lexonte e pikëlluar, dëshironte me veten e saj të largohej që aty e të shkonte tek e ëma për disa ditë që të ngushëlloheshin të dyja me praninë e njëra-tjetrës. Do t'i bënte mirë një përqafim i fortë me të dhe një bisedë e gjatë që s'do kishte të sosur. Aty nuk do t'i gjente këto gjëra. Ndoshta Sharlota dhe Eleonora mund të tregoheshin shumë të mira me të, por kurrë nuk do mundeshin të zinin vendin e markezes, dhe për më tepër nuk do ta zëvëndësonin dot as mungesën e Delionit.
-Gjithçka mirë?
Ktheu kokën nga ana e djathtë e saj, atje ku qe ulur Alberti. Ai po e vështronte që poshtë syzeve rrethore me xham të trashë si të kishte vënë re një ndryshim të thellë në fytyrën e saj.
Adalena palosi letrën më dysh para se të fliste qetë.
-Mora një letër nga ime më. Është shumë e shqetësuar për gjërat që po ndodhin.
-Markezi është në Liverpul, kështu?
-Po.
Ai u mendua për disa momente, ndërsa Adalena e hoqi mendjen tjetërkund, thjesht vështronte jashtë shiun që binte me gjyma dhe nuk mundej të mos mendonte se ç'rrugë të vështirë kish marrë Delioni.
-Mund të shkosh tek ajo nëse dëshiron, - foli më në fund duke tërhequr vëmendjen e saj. -Nuk do bëje mirë sikur ta lije vetëm, mund të ketë nevojë për ty.
-Por ndoshta...
-Mos u bëj merak, do t'i sqaroj çdo gjë Sharlotës. Ti shko bëhu gati.
Buzëqeshi e gëzuar dhe e falenderoi me sinqeritet burrin shtatëdhjetë vjeçar që e mbante akoma mirë veten, aq sa dukej se ajo paraqitje dhe energji e rinonte disa vite.
Shkoi në dhomën e saj me hapa të shpejtë. Shumë lehtë arriti të bënte gati një çantë të vogël që do ta merrte me vete.
Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, kishte rregulluar çdo dhe gjendej brenda karrocës së bashku me Emilin. Një udhëtim disa orësh e priste, por gëzimi me të cilin qe nisur e bënë t'i dukej sikur do arrinte atje vetëm brenda disa minutave.
Nuk e dinte se qëndrimi në shtëpinë e dikurshme do ta përballte me një fatkeqësi të madhe. Nuk ia kishte idenë se ajo buzëqeshje do t'i zhdukej e do t'i zëvëndësohej me një trishtim gllabërues. Sikur ta dinte, do bënte çdo gjë për ta parandaluar.
Por ajo nuk dinte asgjë.Ndonjë ide se ç'do ndodhë? Dhe ndonjë ide se kë do ta zërë sëmundja? Se nuk e futa kot atë, kuptohet😌
Dheeee... Nesër pjesë ekstra, sërish😂
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...