Nuk ishte hera e parë që Adalena nuk i bindej Delionit. Kokëfortë, edhe pse kjo nuk dilte shumë herë në pah, kontrolloi në të njëjtin vend ku kish kontrolluar Delioni derisa gjeti edhe një pistoletë tjetër të vogël. S'kish nevojë të mendohej dy herë para se ta merrte, për dukën mund të bënte gjithçka, mund edhe të vriste.
Doli me të shpejtë prej dhomës. Nuk kishte bërë shumë hapa kur dëgjoi bisedën e dukës me Eloizën, disa dhoma larg së tyres. Ajo i tregoi se Frederiku kish kohë që ishte duke e pritur Delionin në anën tjetër të kështjellës për të biseduar, i sigurt se herët a vonë ai do ta kërkonte.
-Mos ka ndonjë gjë që nuk shkon? Po më dukeni shumë të çuditshëm sot.
Delioni nuk i ktheu përgjigje. U largua që aty fytyrëvrenjtur pa e vrarë shumë mendjen për ato mijëra pikëpyetje që kish ngritur në kokën e së motrës. Adalena e ndoqi nga pas, duke u treguar e kujdesshme për të mos bërë as edhe zhurmën më të vogël që do ta bënte dukën të dyshonte se ajo po e ndiqte.
Po ecte pa e kuptuar se ku po e çonin këmbët. Kishte jetuar jo pak kohë në atë kështjellë, por asnjëherë nuk e kishte ditur se ekzistonin ato vende të errëta ku nuk kishte parë askënd të shkonte. Ishin korridore të gjatë, të zhveshur nga çdo lloj zbukurimi, të ndriçuar vetëm pak prej rrezeve të diellit.
Në fund të një prej këtyre korridoreve, vuri re se një derë ishte e hapur. Delioni e shtyu për t'u futur brenda, ndërsa Adalena qëndroi pas e heshtur me frymënxjerrjen që përpiqej ta kishte sa më të qetë. Disa çaste heshtjeje peshuan në dhomë, derisa një nënqeshje e vogël e Frederikut prishi gjithçka.
-Mendova se nuk do ta kuptoje, Delion. S'kam pse gënjej, e vlerësoj faktin se je i informuar për gjithçka.
-Pse e bëre? Çfarë djallin kam bërë që tenton të vrasësh Adalenën?
Vuri buzën lehtë në gaz. E adhuronte jashtëmase faktin se ai kujdesej aq shumë për të, që i dhimbte qoftë edhe mendimi se dikush donte ta lëndonte.
-Nuk jam këtu për të dhënë shpjegime, është gjëja e fundit që mendoj të bëj.
-Deshe të vrisje gruan dhe fëmijën tim! Nuk ka shpjegim për këtë?!
Ai e goditi fort me grusht Frederikun. Këtë Adalena e kuptoi nga zhurma e krijuar kur nofulla e kontit bëri kontakt me dorën e dukës. Shtrëngoi armën fort në dorë dhe mblodhi buzët për të mos lënë asnjë pasthirrmë t'i dilte jashtë.
-Nëse njeriu nuk di të mbajë vendin që i takon, fundi i tij është shumë i qartë.
Goditje të tjera pasuan, por nuk po e merrte vesh nëse ishte Delioni apo Frederiku ai që po godiste.
Nxorri pak kokën te dera sa për të hedhur një sy brenda dhomës. Zemra i buçiste si e marrë, e tronditur prej situatës në të cilën ndodhej. Nga larg vuri re se cepi i buzës së Delionit kish filluar të rridhte gjak, ndërsa mbi vetull ish krijuar një e çarë e vogël. Çdo plagë e tij ish dhe e saja, dhe ajo nuk mund të duronte dot duke parë gjendjen e tij të vështirë. Ngriti dorën me kujdes, aspak e sigurt nëse mund të godiste në shenjë apo jo dhe po aq herë sa u bë gati të shkrepte, aq herë edhe u zmbraps, derisa një e goditur e papritur e Frederikut e shtyu dukën pas dhe ia humbi drejtpeshimin. Plumbi i dalë prej armës së Adalenës çau ajrin, pikërisht në momentin kur konti kish nxjerrë një thikë për të goditur Delionin. Për ironi të fatit, plumbi kaloi mespërmes dorës së tij, duke bërë që thika t'i lëshohej poshtë e prej buzëve t'i dilnin qindra mallkime e fjalë të pista që për Adalenën ishin si të vinin nga një tjetër botë.
Delioni ktheu kokën për të vështruar në drejtim të saj, por vetëm pak milisekonda zgjati ai shikim. Në momentin tjetër kish nxjerrë armën prej brezit të vet dhe goditi dy herë mbi trupin që tentoi të merrte sërish thikën e rënë poshtë.
Frederiku u përplas ashpër me tokën. Dorën e plagosur e vendosi mbi dy plagët e marra në trup dhe kraharori po i pomponte sipër si të donte të nxirrte jashtë shpirtin e zi sterrë. Adalenës filloi t'i përzihej kur prej gojës së tij filloi të dilte gjak dhe ai, edhe pse në atë gjendje, nënqeshte dhe përpiqej të fliste.
-Ky qe një gabim, Delion....Presidenti nuk do rrijë duarkryq pas kësaj që bëre.
Një tjetër e shtënë doli prej armës së Delionit, që mjaftoi për të ngrirë shikimin e Frederikut në tavanin e lartë dhe të ndalonte përpëlitjet e trupit të tij një herë e përgjithmonë.
Adalena nxitoi t'i shkonte pranë. E shqetësuar vendosi gishtat e vet në plagët e vogla që ai kish marrë në fytyrë.
-Je mirë? Të lëndoi shumë?
Ai hodhi armën poshtë dhe e mori në krahët e vet. E ledhatoi lehtë në kokë dhe një puthje tjetër i la në ballë për ta qetësuar, teksa krahët e Adalenës e shtrëngonin fort e më fort e koka i prehej mbi zemrën e tij që rrihte vetëm për të.
-Jam mirë.
-Ai tha se presidenti do bëjë me patjetër diçka pas gjithë kësaj që ndodhi. Po nëse dërgon ushtarë kundër teje? Nëse...
-Shshsh... Gjithçka do shkojë mirë.
Dhe Adalena nuk mundi të mendonte ndryshe kur gishti i tij qëndroi butë mbi buzët e saj dhe sytë e qiellit mbajtën një ngrohtësi e ngushëllim të papërshkrueshëm.
-Çfarëdo që të ndodhë, do jem pranë teje. Në rregull?
Miratoi me lëvizjen e kokës pa hapur sytë. Nuk donte të shihte rrotull, as nuk donte të largohej, se e dinte që ky ishte çasti më i qetë që po kalonte me Delionin para se të tjerët të kuptonin se çfarë kishte ndodhur. Dhe përballja me Eloizën do ish vërtet e tmerrshme. Sado që ajo e njihte shpirtin lakmitar të të shoqit, kjo nuk ishte arsye mjaftueshëm e fortë për t'ia shuar dashurinë e sinqertë që ndiente.
-Të falenderoj, Adalenë, - foli pas pak duke e çarë mespërmes heshtjen drithëruese të dhomës. -E di se nuk do isha gjallë në këto momente sikur ti të mos kishe ardhur.
-Atëherë mos më mbaj kurrë larg vetes, pavarësisht çdo gjëje.
Mërmërima e saj e ëmbël shkaktoi një të qeshur në buzët e tij.
-Ti e di se kjo është e pamundur, apo jo?
-E di, megjithatë sërish do më pëlqente po të ma bëje pak qejfin.
Kohët e fundit sjellja e saj kish filluar të merrte shumë shpesh trajta fëminore, me kërkesa dhe lutje që vetëm një fëmijë mendon se mund të plotësohen. Megjithatë e dinte se tani nuk ishte çasti i duhur për të bërë biseda të tilla. Çuditej që s'po i bënte përshtypje fakti se po qëndronte me një të vdekur në dhomë, por s'mund të anashkalonte gjakun e zi e të trashë që po përhapej me shpejtësi në pllaka e po iu afrohej këmbëve të tyre.
-Si do t'i tregosh Eloizës? Nuk ka për ta pritur aspak mirë.
-Nuk ka rëndësi si e pret, do t'i tregoj të vërtetën.
Zëri i tij ishte i ftohtë, duke e bërë Adalenën të kuptonte mirë se ai ishte mishërim i dy skajeve të largëta brenda vetes: njëri i ngrohtë e tjetri i akullt.
Dolën të dy prej dhomës së ngushtë, me hapat që po i orientonin drejt dhomës së ndenjies, atje ku Eloiza do merrte lajmin tronditës. Dhe sa më tepër afroheshin, aq më shumë Adalena ndiente t'i rëndonte diçka në stomak dhe ndërkohë një shije e hidhur t'i krijohej në gojë, si të ishte lajmërim për atë që do ndodhte. Asgjë e mirë s'kishte për të ndodhur, asgjë. Ishte e bindur për këtë.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...