"Gjermanët na krijuan kurth. Kemi pësuar shumë humbje."
Leximi i dy rreshtave bëri që të shtrëngonte buzët fort për të mos nxjerrë asnjë pasthirrmë, sidomos në ato momente që nuk ishte vetëm. Në krahun e saj të djathtë qëndronte Sharlota, në të majtin Alberti, në kolltukun përballë Eleonora me Eloizën, dhe herë pas here Xhorxhi që herë dilte e herë hynte në dhomë duke lënë gjithë dyert hapur.
-Oh Zot, - dëgjoi Sharlotën të thoshte e frikësuar kur mezi kishte arritur t'i lexonte fjalët në letër. -Oh Zot i madh, - përsëriti sërish e tronditur.
-Çfarë ndodhi?
Eleonora u ngrit menjëherë prej kolltukut dhe para se të merrte letrën që po dridhej në dorën e Adalenës, mbushi një gotë me ujë për Sharlotën.
-Mundem?
Adalena e la fletën e papeshë në dorën e zgjatur të Eleonorës.
Vetëm dy fjali. Dy fjali të mallkuara. Asgjë më tepër. Asgjë për gjendjen e tij, nëse ishte mirë apo ishte lënduar, nëse do vonoheshin për një kohë të gjatë apo do ktheheshin shpejt, nëse kishin nevojë për ndihma të tjera apo jo. Asgjë.U ngrit prej vendit ku qe ulur dhe ashtu, me atë shprehinë e ftohtë dhe të ngurtë në fytyrë që fshihte gjithë frikën që ndiente, shkoi pranë Dorenit që po flinte te karroca në cep të dhomës. Ndoshta vetëm shikimi në fytyrën e tij të paqtë dhe sytë e mbyllur mund t'ia hiqnin tmerrin që ndiente përbrenda.
-E parandjeva se do ndodhte diçka e tillë, - tha Alberti duke psherëtirë rëndë, siç dukej tepër i shqetësuar për gjendjen në të cilën ushtria britanike ndodhej.
Dhe Adalena atëherë u sigurua plotësisht që gjendja ishte me të vërtetë keq. Nëse një kolonel që kishte qenë shumë herë në luftë kishte një qëndrim të tillë, atëherë ç'mund të pritej prej saj?
-Zoti qoftë me britanikët.
Mërmërima e frikësuar e Eleonorës mezi arriti të shkonte deri në veshët e të pranishmëve. E përsa i përket Eloizës, asnjë fjalë nuk dëgjuan prej gojës së saj. Vetëm sa shtrëngoi letrën fort në dorë dhe Adalena vuri re se lëvizi buzët si të ishte duke u lutur apo duke folur me veten.
-Shpirt, eja këtu, - i tha të birit që, ashtu siç kish bërë për më tepër se njëzet herë, u fut në dhomë me nxitim me mendimin se po imitonte një aeroplan.
Ai i shkoi pranë dhe Eloiza e shtrëngoi fort në krahët e veta, si të kishte frikë se e keqja do arrinte deri te ta e do mund t'i ndante.
-Po nëse nuk ia dalin? Nëse gjermanët arrijnë t'i mundin?
-Mos mendo menjëherë të keqen Sharlotë. Qetësohu. Delioni di se çfarë të bëjë, së bashku me gjeneralin do ta udhëheqë ushtrinë siç duhet.
-Biri im, - vazhdoi ajo me të sajën, pa e fshehur aspak faktin se frika i kish shkuar deri në palcë.
Adalena s'foli më. Mori në krahë djalin që kish filluar të qante dhe po e tundte ngadalë, e lumtur me faktin se mjaftonte t'i këndonte disa herë një ninullë para se gjumi ta zinte sërish.
Mbajti sytë ngulur jashtë dritares, atje ku hapej një qiell i kaltër madhështor që nuk linte aspak përshtypjen se diku, kilometra larg tyre, një luftë e ashpër po ndodhte. U tret vështrimi i saj në paanësinë e frikshme. Jetonte nën të njëjtin qiell bashkë me miliarda njerëz të tjerë. Çka po shihte ajo, s'ishte duke e parë dikush tjetër. E çka po përjetonte një tjetër, ajo as që ia kish idenë.
-Qielli sheh shumë, - i mërmëriti vetes mendueshëm para se të shihte fytyrën e vogël të Dorenit e të hiqte mallin e Delionit, se djali kish marrë të njëjtën ngjyrë sysh si i ati, atë ngjyrë që e përhumbte Adalenën.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...