Dedikuar arta_ges 🖤
Eleonora ish përpjekur të qëndronte e qetë kur Delioni i tregoi se çfarë kishte ndodhur, megjithatë dukës nuk i shpëtuan sytë e saj, bebja e të cilave u zmadhua prej frikës, apo ai muskul i lehtë që iu shfaq në nofull kur i shtrëngoi dhëmbët fort.
E futi menjëherë në dhomë kur ai për pak do ish rrëzuar si rezultat i errësimit të shikimit, dhe kur do vraponte për në dhomën e saj për të bërë gati çdo gjë që ishte e nevojshme, Adalena ngjiti me të shpejtë shkallët dhe e ndaloi.
-Çfarë po ndodh? Dëgjova zhurma.
Eleonora u përtyp teksa e vështronte me keqardhje, tepër e ndjeshme ndaj faktit se Adalena do kalonte një periudhë vërtet të tensionuar edhe tani që ish shtatzënë.
I vendosi duart e veta në krahët e saj dhe si fillim buzëqeshi, jo për t'u dukur e lumtur, por vetëm për të mos e bërë të zezë komplet situatën në të cilën ndodheshin.
-Delioni nuk ndihet edhe aq mirë.
-Pse? Çfarë i ka ndodhur?
Deshi të futej menjëherë në dhomë e shqetësuar që të shihte dukën, por Eleonora e ndaloi.
-Kam frikë se nuk mund të futesh kështu brenda, jo pa një maskë dhe doreza.
Adalena e kuptoi se çfarë kishte ndodhur pa qenë nevoja të dëgjonte më shumë.
Sytë i humbën energjinë që kishin pasur pak minuta më parë dhe cepat e tyre u harkuan poshtë për të treguar një merak të fortë që ia frikësoi zemrën.Duart që dridheshin, ndonëse shumë të dobëta, arritën ta largonin prej shtrëngimit të butë të Eleonorës dhe hapën me të shpejtë derën e dhomës së gjumit.
Shtrirë në krevatin ku deri një natë më parë mbante të përqafuar fort Delionin, vuri re atë që qëndronte mbështetur mbas kokës së krevatit dhe një verdhësi limoni i kishte pushtuar fytyrën.
Deshi t'i afrohej, por ai ngriti dorën ngadalë që të ndalonte qoftë edhe hapin më të vogël të saj.
-Mos m'u afro, Adalenë.
Zëri i tij vazhdonte të ishte po i njëjti, i plotë dhe i patundur, por Adalena e dinte shumë mirë se Delioni e mbante veten vetëm që të mos e mërziste atë.
Puliti disa herë sytë që të shihte më pastër, pa e kuptuar se pse mendja gjithmonë i shkonte te më e keqja. Ai do ia dilte, ishte një mashkull i fortë që shumë lehtë mund ta luftonte edhe atë sëmundje.
-Do bëhesh mirë, - i tha për t'i dhënë zemër, ndonëse Delioni kishte më pak nevojë se ajo për t'i dëgjuar ato fjalë.
Eleonora e tërhoqi Adalenën nga krahu dhe sërish i kujtoi se nuk duhej të qëndronte aty, sidomos tani që duhej të kujdesej edhe për fëmijën.
-Nuk dal që këtu, - tha kokëfortë pa denjuar t'i afrohej derës. -Më jep çka të jetë e nevojshme për të ruajtur veten, por që këtu unë nuk dal.
-Të lutem, do dëmtosh veten.
-Do i qëndroj larg, asnjë e keqe s'do më gjejë.
Eleonora u përpoq edhe për disa minuta të tjera t'ia mbushte mendjen që të largohej, por kur vuri re se Adalena qëndronte e paluhatshme në vendimin e saj, u dorëzua dhe shkoi në dhomën e vet për të vazhduar punën që kishte lënë përgjysmë.
Qëndroi në këmbë në të njëjtin vend, me dëshirën e madhe për t'i shkuar pranë Delionit që të kujdesej për të, por ai e vështronte për çdo çast dhe nuk e linte të kalonte vijën imagjinare që kish krijuar në mendjen e vet.
BẠN ĐANG ĐỌC
Parajsë e pafund
Tiểu thuyết Lịch sửVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...