21

366 26 62
                                    

Dedikuar oltamilaqi  🤍

Ditët i binin me bërryl njëra-tjetrës me një shpejtësi të pazakontë, aq shpejt sa Adalenës i dukeshin si orë. Kurrë nuk i kishte kaluar koha në të tillë mënyrë, asnjëherë s'i kishin bërë përshtypje vitet e shkuara, ditët e të cilave ishin të gjitha njëlloj të papëlqyeshme dhe ngjanin si shekuj të gjatë e të dhimbshëm.
Por prania e Delionit kish ndryshuar kryekëput gjithë jetën e saj. Koha që po kalonte tani ishte njëjtë si muaji i mjaltit që mendohej të kishte kaluar me të, dhe ajo e dinte se ashtu do ishte gjithmonë. Ishte e qartë se Delioni do vazhdonte të ishte aq i çmendur për të sa të bënte çdo gjë që ajo i kërkonte, ndërsa Adalena e dinte se askush s'kishte për t'ia falur ndjenjat, dashurinë, kujdesin siç dinte të bënte vetëm duka.

Ndonëse ai vazhdoi të ishte shumë i ngarkuar gjatë ditës me punë të cilat s'kishte si i linte pas dorës, për të cilat me qindra herë ia kishte shprehur asaj se do donte të flakte gjithçka vetëm për të qëndruar me të, sërish nuk harroi t'i kushtonte Adalenës vëmendjen që ajo meritonte.

Përpiqej të mbaronte punë sa më shpejt të ishte e mundur: ngrihej herët në mëngjes, që atëherë kur s'kishte këmbë njeriu. Lexonte letrat dhe dokumentet e reja që i vinin rregullisht çdo ditë, kthente përgjigje, organizonte takime të shkurtra dhe vazhdonte të merrej me trajnimin e rekrutëve pesë orë në ditë, pa lënë pas edhe Adalenën. I kish mësuar asaj mjaftueshëm teknika luftimi dhe herë pas here bënin ndeshje të dy për të parë se deri ku ajo kishte arritur.

Pas këtij çasti ai nuk merrej më me asgjë tjetër. Punët e tij të detyruara mbylleshin në çastin kur shkelte në kështjellë dhe i mbetej vetëm të shijonte aq sa mundej ato pak orë që kishte në dispozicion.
Kalonin kohë si familje, diskutonin, qeshnin, flisnin për gjithçka përveç luftës dhe humbjeve dhe kjo iu sillte lumturi dhe qetësi në strofkën e tyre. Pastaj, kur nata binte mbi vend, ai nuk mund të mendonte për asgjë tjetër veç Adalenës. Çdo natë ndienin të njëjtin emocion si të prekeshin për herë të parë a të fundit.

Çdo gjë po shkonte mjaftueshëm mirë, ashtu siç gjithmonë kishin dashur, derisa Delionit i erdhi një letër prej mbretit, i cili e njoftonte se ishte i lirë të niste luftën ndaj Gjermanisë sa më shpejt të ishte e mundur.

Ky lajm erdhi si një ortek për Adalenën. Pikërisht atëherë kur po kalonte periudhën më të bukur të gjithë jetës, gjërat do merrnin sërish të njëjtën rrjedhë si dikur dhe ajo do detyrohej të përcillte me vështirësi largimin e Delionit, largim që ndoshta zgjaste javë ose muaj, ashtu siç zakonisht zgjasnin luftërat.

Do nisej në drekë, dhe para se të nisej gjendeshin të dy në dhomën e tyre të gjumit. Delioni po kontrollonte në tryezë për disa letra që duhej të merrte me vete, ndërsa ajo ndiqte veprimet e tij e trishtuar dhe i lutej Zotit që diçka të ndodhte që ai të mos largohej prej saj.
Gjithmonë kështu do të ndodhte? Gjithmonë do t'i lutej të rrinte me të?

-Qëndro me mua.

Nuk mundi ta mbante atë kërkesë brenda vetes kur u ndesh me sytë e tij dhe kuptoi se vështrimi i butë do t'i mungonte për tmerr. Do ia kishte nevojën dy syve të ngrohtë dhe duarve që e përqafonin fort sikur asgjë tjetër të mos ekzistonte.

Delioni la letrat mbi tavolinë kur Adalena i shkoi pranë. U mbështet në një cep të materialit të fortë prej të cilit qe krijuar tavolina dhe kapi duart e saj.

-Sikur të ishte në dorën time diçka e tillë, - dëshiroi me gjithë zemër teksa shihte me trishtim sytë e blertë.

-Do më mungosh shumë.

Adalena e përqafoi me aq fuqi sa kishte dhe përfitoi të zhyste kokën në kraharorin e tij për herë të fundit.
Herën e kaluar kur ai qe nisur për në Liverpul, kishte ndier boshllëk në stomak, ndërsa tani i dukej sikur boshllëku i kishte përfshirë gjithë qenien dhe do e hante derisa të mos ngelej asnjë copëz e saj.

Parajsë e pafundWhere stories live. Discover now