27

244 23 73
                                    

Dedikuar KelaLami5 💕

U zgjua në mes të natës, atëherë kur gjithë të tjerët kishin rënë në gjumë. Edhe Eleonora, e cila pas darkës ishte ulur në kolltuk për t'u çlodhur për vetëm pesë minuta, kishte përfunduar në një gjumë të thellë.

Adalena shkoi me hapa të qetë pranë Delionit, sigurisht pasi kishte marrë masat e duhura që i ishin bërë tejet të zakonshme deri tanimë.

U ul në një cep të shtratit dhe ia kapi dorën e nxehtë valë. Vuri re se buzët e tij qenë tharë, ishin bërë dy ditë që nuk kishte pirë ujë.

Ia shtrëngoi dorën dhe u mbush thellë me frymë. Do të donte t'i shtrihej pranë, ta përqafonte, të ndiente trupin e tij ngjitur të sajit e të qëndronte ashtu deri në agim, deri atëherë kur rrezet e diellit të shkriheshin mbi ta e t'iu falnin energjinë e një ditë të re.

-Të gjithë po presim shërimin tënd, Delion.

Ai nuk dëgjonte, vetëm vazhdonte të djersinte  e të zverdhej akoma dhe më tepër.

-Kam shumë nevojë për ty.

Në atë moment ai lëvizi. Adalena vështroi e ngrirë për një çast, si të donte të sigurohej se sytë nuk e kishin gënjyer, pastaj një lot i rrodhi në faqe kur kuptoi se Delioni po përpiqej të hapte sytë.

Buzëqeshi e prekur prej atij çasti, me vështirësi po e mbante veten që të mos i hidhej në krahë nga lumturia.

Buzët e tij deshën të lëviznin për të nxjerrë ndonjë tingull, por përveç emrit të saj asgjë tjetër nuk tha.

Adalena e mblodhi veten. Fshiu sytë me pjesën e parakrahut dhe prej kanës së madhe mbushi me ujë gotën e tij.

-Pi pak, të lutem, - i tha me përgjërim kur ai lëvizi kokën për të mohuar, i lodhur edhe për të hapur buzët sado pak.

Megjithatë u bind kur vuri re trishtimin e madh të dukeshës. Uji ia ftohu gjithë gojën dhe me vështirësi ia kaloi grykën, për t'i rënë në stomakun bosh si të ishte një kafshatë e madhe e papërtypshme.
Filloi të kollitej. Prej sforcimit kraharori i dogji i gjithi sikur t'i kishin futur acid brenda.

-Oh Zot, Delion. Çfarë të bëj?- filloi të fliste me veten në panik, por kur deshi të ngrihej, ai ia shtrëngoi dorën fare butë.

-Qëndro.

Zëri i tij i ngjirur dhe i ulët ia vrau shpirtin. Nuk ishte mësuar ta shihte ashtu, kishte fiksuar në mendjen e saj vetëm atë Delionin e fuqishëm që nuk përkulej para asgjëje.

Iu bind spontanisht. U ul sërish në krevat dhe e përkëdheli lehtë në faqe. Lëmshi në grykë iu formua përsëri.

-Ke ndenjur mjaftueshëm shtrirë. Nuk mendon se ka ardhur koha të ngrihesh?

Ai u përpoq të buzëqeshte, por veç një përkulje të vogël të cepave të buzëve arriti të realizonte.

-Çfarëdo që do të ndodhë... dije se je e vetmja gjë me vlerë që kam pasur ndonjëherë në jetë.

-Mjaft fole kështu.

Lëvizte kokën si të mohonte atë çka fjalët e tij nënkuptonin, e çuditur se si zëri akoma nuk po i humbiste, edhe pse trupi po i dridhej dhe shikimi i turbullohej herë pas here.

-Ti je i fortë, do shërohesh së shpejti.

Por ai vetëm sa buzëqeshi cekët me fjalët e saj përgjëruese para se disa dridhje të tjera trupi t'i fillonin dhe sytë t'i mbylleshin ngadalë.

Parajsë e pafundWhere stories live. Discover now