17

339 29 93
                                    

Dedikuar MavjolaJola 💜

E informuan se ai ishte jashtë kështjellës, në vendin ku trajnonte ushtarët. Ky vend ishte një hapësirë e madhe e mbushur me barin që sapo ishte kositur dhe që mbante akoma disa pika vese që prej mëngjesit të freskët. 

Ndërkohë që ecte çuditërisht e lehtësuar dhe me një buzëqeshje në fytyrë, pa harruar të ishte falenderuese për gjithë të mirat që kish në jetë, vuri re Delionin. Ai po trajnohej vetëm.

U afrua disa hapa sa për ta parë më qartë, pastaj ndaloi që të mos ndërpriste punën e tij. Në dorë ai kish një hark dhe në atë çast sapo kishte marrë shënjeshtër në tabelën rrethore. S'e kishte parë ndonjëherë aq të përqëndruar dhe të përhumbur vetëm pas një mjeti të tillë të pajetë, megjithatë i pëlqeu ta shihte dhe të analizonte pamjen e tij, apo mënyrën se si lëshoi shigjetën e cila goditi mesin e tabelës. Njëjtë si me shpatën, edhe në këtë çast kishte diçka vërtet të veçantë në mënyrën se si ai gjuante. Adalena nuk mund ta thoshte dot se çfarë saktësisht ishte, dinte vetëm se e admironte mënyrën e tij të të luftuarit dhe lidhjen që krijonte me çdo gjë që prekte.

Filloi t'i shkonte pranë. Ai i dëgjoi hapat e saj, por vazhdoi të bënte të njëjtën gjë me shigjetën tjetër. Ishte ky momenti kur Adalenës i erdhi një ide e marrë dhe njëkohësisht e mirë në kokë: të mësonte të luftonte. Dorenin nuk do ta kish më pranë që ta mbronte, edhe Delionin nuk do ta kishte gjithmonë mbi kokë, ndaj duhej të dinte si të vetëmbrohej që të ishte e përgatitur ndaj çdo sulmi.

-Ka ndodhur ndonjë gjë, Adalenë? - e pyeti pasi hodhi edhe shigjetën tjetër, e cila përfundoi duke çarë drurin e shigjetës së parë dhe duke kaluar mes për mes tabelës.

-Më mëso si të luftoj.

Ai po rregullonte harkun në vendin e vet. Kur dëgjoi këto fjalë, ngriti kokën disi i surprizuar, pa mundur të mos e ngrinte edhe vetullën për të shprehur habi.

-Të luftosh?

-Po. Përveç teje askush tjetër nuk mund të më mësojë siç duhet.

Disa çaste ai vetëm sa e vështroi në sy me të njëjtën shprehje, aq sa Adalena u bë kurioze të dinte se çfarë shkonte në mendjen e tij, por ai nuk foli. Vetëm sa mori sërish harkun që kishte vendosur te vendi i vet dhe i tha asaj të afrohej. E ndihmoi ta mbante siç duhej, por duart e saj të pa mësuara me të tilla gjëra e kishin të vështirë aq sa s'thuhej, ndaj Delioni i qëndroi pas dhe vendosi duart e tij mbi të sajat. Përveç dy rasteve kur ishin përqafuar dhe atëherë kur gati e kishte puthur, ai asnjëherë tjetër nuk e kishte pasur aq pranë.

Flokët e saj të ndritshëm preknin kurrizin e tij dhe ai mund të shihte vetëm disa milimetra larg vetes qafën e saj të bardhë borë. Kurrizi i saj i drejtë ia prekte kraharorin, ndërsa kontakti me duart e ngrohta dhe të buta i falte një ndjesi të ëmbël brenda vetes.

-Mos harro të qëndrosh drejt, - i pëshpëriti në vesh, në vështirësi të madhe për t'u fokusuar tek ato që thoshte. -Vetëm kështu krahët dhe shpatullat do ruajnë formën "T" kur të tërheqësh fijen. Dhe relaksohu, duhet të jesh tepër e rehatshme dhe vigjilente për ta mbajtur këtë pozicion për njëfarë kohe.

Zëri mashkullor e njëkohësisht i butë shkonte si notë muzikore në veshët e Adalenës, ndërsa fryma e tij vazhdonte t'ia bënte mishin kokrra.

-Tani mbaje harkun drejt objektivit tënd. Bërryli duhet të jetë paralel me tokën, ndërsa harku gjithmonë duhet të qëndrojë vertikalisht.

Lëvizi ngadalë duart e saj me një shtrëngim të lehtë.

-Para se ta lëshosh shigjetën, sigurohu që të ndërhysh sa më pak që të jetë e mundur, ndryshe harku mund të rrëzohet ose të ndryshojë drejtim. Relaksoji gishtat ngadalë, qëndro pa lëvizur.

Parajsë e pafundDonde viven las historias. Descúbrelo ahora