Të shohim a do të të pëlqejë pjesa Gisela_P xp
Shtratin e gjeti bosh kur u zgjua. Mendoi se Delioni ish ngritur shpejt, por kuptoi se kishte qenë ajo që kishte fjetur shumë. Akrepi i madh i orës qëndronte te nënta, ndërsa tjetri sapo kish arritur të kryente çerekun e gjithë lëvizjes së tij.
U ngrit ndryshe atë ditë, me një ndjenjë të këndshme në kraharor që e bënte të mendonte se diçka e bukur do të ndodhte.
Veshi një fustan me një ngjyrë të bukur të blertë, i cili bënte një kombinim mahnitës me sytë e saj, një pjesë të flokëve i kapi pas me një karficë argjendi, ndërsa pjesën tjetër e la të lirë dhe disa fije të vogla përpara ia tregonin fytyrën më të vogël e të hijshme.
Në qafë vendosi një varëse me gur smeraldi që ia kish dhuruar e ëma, ndërsa veten nuk harroi ta spërkaste disa herë me parfumin e saj të preferuar.Kur Sharlota e pa të zbriste shkallët me një gjallëri dhe bukuri të freskët, buza i shkoi vesh më vesh. Mendonte se planet e saj do ishin të domosdoshme për afrimin e Adalenës me Delionin, por ndonjëherë ishin momentet e dhimbshme ato që bashkonin fort dy njerëz. Tashmë asaj i mbetej vetëm të kënaqej duke i parë ata aq të lumtur dhe tek e shihnin njëri-tjetrin me dashuri, vështrime që nuk e dinin se i hidhnin, por Sharlota, analizuese e gjithçkaje, nuk mund të mos i vinte re.
-Dukesh shumë e bukur, Adalenë. Më pëlqen të të shoh përditë kështu.
Adalena buzëqeshi lehtë dhe e falenderoi për komentin e saj të sjellshëm, pastaj, kur nuk e pa në dhomë Delionin, e pyeti për vendndodhjen e tij.
-Është te stalla e kuajve. Besoj se e di ku ndodhet, apo jo?
Pohoi para se ta falenderonte sërish dhe të largohej. Përciptazi ia kishin zënë sytë stallën ditën e djeshme kur shkonte te vendi i trajnimit. Ndonëse kishte ndier një dëshirë të madhe për të hyrë brenda e për të hequr mallin që kishte ndaj kalit të saj, sërish kishte vazhduar rrugën që kishte nisur.
Nuk vonoi shumë derisa stalla e kuajve i doli para syve. Ishte një vend i pastër në formën e një kuboidi, i lyer me një ngjyrë qumështi që qetësonte sytë, ndërsa disa trarë të tjerë të veçantë qenë lyer me një kafe të butë.
Vuri re menjëherë Delionin kur hyri brenda. Qëndronte pranë kalit të tij të bardhë dhe po ia krihte lehtë lëkurën me një furçë të butë. Ia vendoste dorën herë pas here në kokë dhe e përkëdhelte. Kali, i kënaqur me prekjen e tij, lëvizte kokën aq sa mjaftonte që krifa e bardhë të valëvitej majtas-djathtas.
I shkoi pranë qetësisht, megjithatë ai i ndjeu hapat e saj të lehtë.
E vështroi për një kohë të gjatë kur ktheu kokën, e sado që sytë e tij vazhdonin të dukeshin neutralë si çdo herë tjetër, brenda vetes nuk mund të mos mrekullohej nga ajo thjeshtësi që e tregonte dukeshën aq të bukur, aq të dëshirueshme për ta prekur e për ta mbajtur në krahë gjithmonë.-Kali yt është shumë i bukur, - i tha ajo me zërin e saj të ëmbël si përherë, pa dashur të fokusohej aq shumë te shikimi i Delionit sa të fillonte të skuqej.
Ai nënqeshi. Vështroi sërish kalin për pak kohë, pastaj vendosi furçën te vendi i vet para se të fillonte të fliste.
-Më duhet të të tregoj dikë tjetër.
Duka vuri buzën në gaz, por Adalena sërish nuk e kuptoi se për kë ai e kishte fjalën.
Ecën pak më tutje derisa filloi të dëgjonte hingëllima të vogla dhe troke të njohura kali. Zemra i rrahu fort e lumtur dhe këmbët vetvetiu i lëvizën më me nxitim.
Atje u has me Stuhinë, me kalin e saj të dashur që i kish munguar aq shumë.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...