10

378 28 85
                                    

Disi e qetësuar nga ajri i ftohtë që i depërtoi në çdo qelizë, Adalena vendosi të futej brenda. Sapo kishte vendosur këmbën te parmaku i derës kur dëgjoi një karrocë të vinte. Ndaloi dhe ktheu kokën.  Ishte Emili. Nuk mundej të mos e merrte edhe atë me vete në kështjellën e re. Donte të kishte një mbështetje të fortë, një vend ku të fliste, se asaj mund t'i tregonte gjithçka pa frikën se fjalët do shpërhapeshin.

Karrocieri nxorri gjërat e Adalenës prej karrocës dhe ajo thërriti një shërbyese që ta orientonte për te dhoma e saj, ndërsa vetë filloi t'i ndiqte nga pas ngadalë bashkë me Emilin.

-Ishin mirë prindërit dhe Doreni? - pyeti edhe pse kishte vetëm një ditë që s'i kishte parë.

-Dukeshin pak të trishtuar. Nuk shkëmbyen as edhe një fjalë gjatë mëngjesit.

Emili nuk deshi t'i tregonte për të qarat e markezes, as për Dorenin që u nis në Liverpul për fushatën ushtarake vetëm ngaqë donte të merrej me diçka tjetër.

-Ju si keni kaluar, zonjushë? Shpresoj të jem duke gabuar, por më dukeni shumë e mërzitur.

Adalena heshti. Ishin nëpër korridore dhe nuk kishte dëshirë që ndonjë vesh të kapte fjalë që s'duhej.

-Do diskutojmë më vonë. Kjo do jetë dhoma jote, - dhe i bëri me shenjë te dhoma përballë. -Çlodhu pak.

Emili pranoi, ndërsa Adalena u fut te dhoma e vet dhe i tha shërbyeses tjetër të largohej. Donte t'i vendoste gjërat sipas dëshirës dhe rregullit së saj, por e pati të vështirë kur vuri re se Delionin e kish pranë.

I lutej Zotit që sytë e saj të mos flisnin shumë, por ai kish qenë i aftë të lexonte gjithçka edhe kur asaj vetja i dukej libër i mbyllur.

Mori frymë thellë dhe hapi valixhet me kujdes për të nxjerrë veshjet e saj.

-Më lër të të ndihmoj, - ofroi ai ndihmën e vet duke i ardhur më afër.

-Nuk është nevoja, dukë, mundem t'i rregulloj vetë.

Nuk e ngriti kokën. Vazhdoi t'i nxirrte fustanët me duart që mezi i punonin prej ftohtësisë.

-Adalenë.

Dora e tij e ngrohtë u vendos mbi të sajën. E kapi butë dhe detyroi trupin e saj të përkulur të qëndronte drejt përballë të tijit.

-Nuk jam këtu për të të parë në këtë gjendje. Jam bashkëshorti yt, dhe nuk dua të ndihesh e ndrojtur para meje.

Trupi i tij fizikisht i madh iu afrua akoma dhe më tepër. Njërën dorë ai e vendosi në faqen e saj për ta përkëdhelur butë. Në atë çast Adalena ndeshi shikimin me të tijin. E dinte se sytë i qenë përlotur, por donte të shihte në atë blu të pastër që e çonte tjetërkund.

-Çfarëdo që ndodh në jetën tënde, mos hezito të ma tregosh. S'kam pse të të gjykoj, dua thjesht të të gjendem pranë në çdo çast.

Lotët i rrodhën faqeve. Nuk mundej më, kishte duruar mjaftueshëm.

Në atë moment dobësie, e përqafoi fort dhe shtrëngoi duart e veta në trupin e tij. Kokën e vendosi në sup, atje ku i la të gjithë lotët t'i rridhnin pa ngashërima, ndonëse donte të nxirrte çdo gulç prej zemrës.

Delioni njërën dorë ia vendosi në bel, ndërsa tjetrën në kokën e saj ku e përkëdhelte ngadalë.

-Mos e mbaj brenda, lër çdo gjë të dalë jashtë, - i pëshpëriti kur ndjeu kraharorin e saj që ngrihej shpejt dhe takonte të tijin.

Ajo e shtrëngoi më fort. Trupin e ndjeu të rëndë dhe këmbët iu këputën. Atëherë ia krisi të qarit me dënesa ndërkohë që i bashkohej tokës, por krahët e tij nuk ia bënë të dhimbshëm takimin me të.

Parajsë e pafundWhere stories live. Discover now