22

350 27 176
                                    

Dedikuar xheeneta 💙

-Adalenë, je e sigurt që dëshiron të dalësh? Mos ndoshta do ishte më mirë sikur të prisje që situata të qetësohej pakëz?

Sharlota dukej shumë e shqetësuar që Adalena, pasi kishin kaluar dy javë dhe disa ditë që nga largimi i Delionit, do dilte bashkë me Xhasperin në rrugët e Londrës.

-Mos u bëni merak, do kthehemi shumë shpejt, - i tha për t'ia hequr disi frikën, ndonëse e dinte se disa orë të mira do kalonin jashtë.

-Jo, nuk të lë dot vetëm, do vij edhe unë me ty.

Ajo u ngrit prej kolltukut dhe i shkoi Adalenës mbrapa. Kjo e fundit sapo ishte bërë gati dhe po orientohej jashtë kështjellës për në karrocën Frost që po e priste. Kur dëgjoi fjalët e gjyshes, ndaloi për pak sekonda për të pritur ardhjen e saj, pa e patur aspak problem faktin se ajo do e shoqëronte.

-Londra nuk është aq e bukur dhe e sigurt sa mund të jesh duke menduar. Do ta shohësh, njerëzit s'kanë për të të pëlqyer.

Kjo ishte pjesërisht e vërtetë. Duke qenë se pjesa më e madhe e shtresës së lartë aristokrate qe izoluar në të mirë të shëndetit, rrugëve nuk mund të shihje njerëz të tjerë veç atyre që lypnin, që vidhnin apo që kishin probleme mendore. Brenda disa ditëve Londra nuk ishte më qyteti i bukur dhe plot jetë, por vendi i frikshëm dhe i zhurmshëm në të cilin as që duhej të mendoje të dilje vetëm.

Xhasperi po priste jashtë karrocës. Takoi ato me një finesë të hollë që bënte jo pak përshtypje, madje Sharlota vuri buzën në gaz e impresionuar nga sjellja e tij. E kishte qejf atë djalë, Delioni kish folur shumë mirë për të.

Hipën të tre brenda në karrocë dhe karrocieri në po atë çast nisi kuajt. Adalena po qëndronte pa folur kur dy të tjerët hapën një bisedë mbi luftën, ushtrinë dhe pastaj sëmundjen. Do të donte të mos përfshihej në bisedë, vetëm kështu do vazhdonte të mendonte qartësisht nëse vërtet ia vlente kjo lloj shëtitjeje apo jo, por Sharlota nuk e la në vetminë e saj. E preku lehtë në krah dhe me një buzëqeshje të madhe në fytyrë filloi të qeshte.

-Harrova të të thosha, Adalenë. Njoh një mikeshën time që punon rrobaqepëse. Si thua, shkojmë atje për të qepur disa fustanë të bukur për ty?

-Si të dëshironi ju, zonjë.

Kishte mjaftueshëm fustanë në garderobën e saj, të tjerë që qëndronin nëpër valixhe dhe akoma dhe më shumë fustanë që ia kishin dhuruar pas martesës, por nuk ia vlente të kundërshtonte kur e dinte se diçka e tillë do prishte humorin e gjyshes.

Vuri re se jashtë filluan të shfaqeshin shtëpitë e njerëzve dhe pak nga pak filluan të dukeshin edhe banorët e Londrës. Njerëz të mbajtur nxitonin për në punë, burra me kapela serioze që nuk i hiqnin ato as në verë e as në dimër, pak zonja të veshura me fustanë të hollë me ngjyra, të shoqëruara nga bashkëshortët e tyre, dhe pothuajse asnjë fëmijë.
Teksa vazhdonin ecjen, më tepër shihnin njerëz me veshje të grisura, rrecka të cilat as për t'u shkelur nuk i shkelje dot. Fytyrat e tyre qenë të papastra, të nxira prej pluhurave dhe baltës, ndërsa shikimet aspak të buta dhe miqësore.

-E sheh? Këtë doja të të tregoja kur të thashë se do ishte më mirë të kishim qëndruar në kështjellë, - foli sërish Sharlota tek i bashkohej vështrimit të saj. -Kjo këtu është pjesa më e keqe e gjithë Londrës. Nëse ndalojmë, as një hap nuk do mundemi të bëjmë dot, do rrethohemi nga gjithë këta njerëz të çuditshëm.

Karroca vazhdoi më tutje, në kërkim të një vendi më të qetë me njerëz më të civilizuar se ata që kishin lënë pas.
Kur arritën qendrën, ndaluan në një qoshe të qetë dhe dolën të tre. Xhasperi për çdo rast mbante dorën në thikën e tij të fshehur në xhepin e xhaketës, ndërsa ato të dyja vazhdonin ecjen e tyre të ngadaltë në rrugët e populluara.

Parajsë e pafundWhere stories live. Discover now