Adalena kurrë nuk e kishte kuptuar sesa shpejt mund të ecte koha, derisa erdhën ditët para martesës.
Orët kalonin si të kërciste gishtat. I duhej të bënte me qindra ftesa dhe të diskutonte me Eleonorën dhe Sharlotën, përkatësisht me tezen dhe gjyshen e Delionit, për t'iu dhënë atyre një dorë në organizimin e vendit ku do ndodhte ceremonia martesore.
Duke qenë se moti premtonte nje diell vërtet të mirë ato ditë, vendi që zgjodhën ishte një shesh i madh me gjelbërim fare pranë kishës. Menduan për çdo zbukurim, për çdo ushqim që duhej të gatuhej, për pijet e ndryshme me të cilat të ardhurit do dëfreheshin.Dhe ditën e dasmës u krijua vërtet një katrahurë e madhe. Sikur Adalena të ishte e pranishme gjatë kohës kur në shesh vërtiteshin me nxitim gjithë ata njerëz dhe nuk merrte vesh i pari të dytin, do ia kishte futur të qarës me ngashërima e nuk do mundej të ndalonte dot. Por gjithçka ishte mirë. Për momentin ndodhej në një dhomëz të vogël të kishës duke vështruar veten dhe fustanin në pasqyrë. E pranonte se stilistet kishin bërë një punë vërtet të shkëlqyer dhe fine, por ajo nuk ndihej akoma gati të dilte para të gjithëve e të martohej me dukën.
Nuk deshi të qante, megjithatë nuk i ndaloi dot disa pika loti që i ranë në faqe.
-Adalenë, po vonohesh. Të gjithë po presin.
Fshiu menjëherë sytë kur dëgjoi zërin e butë të të shtrenjtit Doren.
-Sapo do dilja. Po sigurohesha se çdo gjë është në rregull.
Buzëqeshi rrejshëm, me kujdes bëri sikur po pastronte diçka te fustani.
-Shkëlqen, diamanti im, sot më shumë se kurrë.
Puthja e ngrohtë në ballë ia shtoi lotët. Shkëlqente. Por ajo që do të kishte dashur të ishte thjesht dasmë, për të ish kthyer në një funeral.
-Edhe ti, Dor, - dhe sërish buzëqeshi.
-Faleminderit, por mjaft me këto sentimentalizma. Sot duhet të qeshësh, është dita jote e madhe, po martohesh.
Atë çast i ati hyri në dhomë.
-Adalenë, eja menjëherë. Duka po pret.
Mori frymë thellë, miratoi duke u përpjekur të qëndronte e fortë.
Vendosi dorën në krahun e të atit e me kokën lart, ashtu siç i kishte hije një dukeshe të ardhshme, doli prej dhomëzës, zbritën disa shkallë, dolën jashtë e u drejtuan te sheshi ku të gjithë qëndronin.I pari që i ra në sy ishte Delioni. Ai gjithmonë vishej me të zeza dhe ajo ditë s'bënte përjashtim, por në atë moment, me atë veshje që vetëm atij mund t'i shkonte aq shumë, iu duk më i rrezikshëm se asnjëherë më parë, më i pushtetshëm. Këmisha puthej me trupin e tij në mënyrë të admirueshme duke tërhequr sytë kuriozë të të gjitha vajzave, aq sa kur dukesha e re hodhi sytë rrotull, ndjeu një farë pakënaqësie.
Iu afrua ngadalë, të dy pa ia ndarë sytë njëri-tjetrit. Ndërkohë Adalena dëgjonte njerëzit që komentonin e që lëshonin disa psherëtima mallëngjimi.
Hapat ndiqnin njëri-tjetrin, derisa Adalena i qëndroi në krah Delionit dhe markezi u largua për te vendi i tij. Qëndroi e heshtur.
Prifti filloi të fliste. Mos po thoshte lutje për trupin e saj të vdekur?
Vazhdonte dhe ajo nuk e kuptonte se çfarë ai po thoshte, derisa dëgjoi këto fjalë:-A jeni ju, zonjusha Adalenë Windsor, e lirë ligjërisht, të martoheni me dukën Delion Frost?
-Po, - filloi të fliste, duke i thënë përmendsh fjalët që të tjerët prisnin të dëgjonin. - Unë, Adalenë Windsor, premtoj ta dua dhe ta çmoj dukën Delion Frost deri në vdekje, në të mirë e në të keq, në shëndet e në sëmundje.
Pastaj erdhi radha e dukës. Ai përsëriti të njëjtën gjë si ajo, dhe në fund duhej të vendosnin unazat.
-Bekoji, o Zot, - filloi prifti,- që kjo unazë të jetë një shenjë e zotimeve me të cilat ky burrë dhe kjo grua janë lidhur me njëri-tjetrin. Unë ju jap këtë unazë si një simbol të zotimit tim, dhe me gjithçka që jam dhe gjithçka që kam, ju nderoj, në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.
Kur në gishtin e hollë iu vendos një unazë shkëlqyese, me diamantë vezullues rreth e rrotull, Adalena ndjeu një therje në kraharor.
-Dhe tani, çifti shpallet burrë e grua. Mund ta puthni nusen.
Delioni ia ngriti ngadalë vellon dhe ajo ndjeu buzët e tij t'i linin një puthje të lehtë në ballë. I hodhi një vështrim depërtues, i cili bëri që mendimet t'i vlonin të gjitha e trupi t'i nxehej. Megjithatë, sfiduese, s'e hoqi shikimin. Ish një femër, e për më tepër, që nga ai moment, një dukeshë.
Dhe një dukeshë si ajo kurrë s'do ta ulte kokën.***
Konti Eduard qëndronte i menduar në kuvertën e anijes. Qe mbështetur pranë njërit prej direkëve të fortë dhe shikonte dallgët e lehta të oqeanit tek përplaseshin mbas kiçit.
Mendja dhe zemra e tij larg, trupi vetëm sa e mbante në këmbë dhe i jepte emrin "njeri".
Adalena tashmë duhej të ishte duke u martuar. Do prekej prej një dore që nuk ishte e tija, do shkëmbente puthje në buzët që s'i përkisnin atij. Do ishte e tjetërkujt, vetëm e tij jo.-Kont, më dukeni shumë i përhumbur, - i tha kapiteni i anijes duke e zgjuar prej atij gjumi të dhimbshëm.
-Jo, vetëm se më dukej... sikur po shihja diçka tjetër atje tej.
Ajo që në fillim e nisi për gënjeshtër i doli e vërtetë. Iu afrua akoma dhe më tepër bashit të anijes dhe hodhi shikimin larg. Ndjeu në krah të vet praninë e kapitenit. Të dy fokusuan sytë në pikën e vogël që herë ulej dhe herë ngrihej në det.
-Keni të drejtë. Duket si nëndetëse.
-Britanike? Për çfarë mund të ketë ardhur?
-Nuk është britanike.
Kapiteni s'foli. Picërroi sytë dhe disa çaste nuk u ndje fare.
-Djallin, është një nëndetëse gjermane!
Këto fjalë do të thoshin shumë.
-Shpejt, lajmëroni të tjerët, - i tha konti duke nxituar për të lëshuar varkat e shpëtimit.
Po përpiqej të qëndronte i qetë, por paniku dhe britmat e njerëzve të tjerë kur kuptuan se ç'po ndodhte nuk e ndihmuan aspak.
U çorientua krejt kur një zhurmë shurdhuese dhe një tronditje e gjithë anijes e bëri të përplasej me disa fuçi e të humbte kontrollin.Gjermanët kishin qëlluar. Anija po fundosej.
-Shpejt! Merrni fëmijët!
Veshët e tij u çanë nga të qarat çjerrëse të të vegjëlve dhe të thërriturat e grave të pashpresa. Vuri re se si një grumbull me njerëz filluan të rrëshqisnin si rezultat i këndit të pjerrët që kishte marrë anija. Ankthi e pushtoi të gjithin kur me sytë e tij pa sesi njerëzit po binin në det pa arritur dot t'iu afroheshin varkave të shpëtimit.
-Kont, merrni varkën, largohuni! - i bërtiti baroni i Uorkingtonit.
Por Eduardi s'kish ndërmend të largohej, sidomos kur vuri re se një gjerman kish hipur në anije dhe ishte duke vrarë disa fëmijë. Mori në dorë thikën e vet dhe nxitoi drejt tij për ta vrarë. Me disa manovra të lehta arriti ta mundte, por nuk e vuri re gjermanin tjetër që i erdhi pas vetes, se kishte marrë në krahë një vajzë të vogël dhe po i vendoste jelekun e shpëtimit para se ta hidhte mbi varkë.
Atëherë kur ktheu trupin, një valë e nxehtë ia kaploi kraharorin. Thika i qe ngulur në gjoks. U mundua ta mbante fort armën e tij të ftohtë e ta ngrinte për të qëlluar, por ajo i ra prej duarve dhe përfundoi në ujë.
Gjermani e tërhoqi thikën dhe e goditi sërish në qafë. Eduardi ndjeu sesi gjaku që i doli prej gojës u bashkua me atë të qafës dhe filloi të rridhte në trupin e tij.
Shikimi iu err i gjithi dhe sytë iu mbyllën ngadalë. Para se të binte prej anijes dhe trupi t'i godiste fort ujin, përballë syve iu shfaq fytyra e Adalenës. Buzëqeshi i lumtur.
I gjendur në thellësi të detit, jeta e tij mbaroi me përfytyrimin e saj në mendje.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...