Afërsia që kishin nuk e lejonte Adalenën të shihte tjetërkund veç syve të tij. Patën një kontakt vërtet të gjatë sy më sy dhe sa më tepër e shihte, aq më shumë ajo kuptonte se bluja e tij ishte më e bukura që kishte parë ndonjëherë. Ishte si një qiell i hapur pas shiut të zymtë e të gjatë të Londrës, si qielli i një dite të bukur vere.
E hutuar mbas tij, kishte harruar të fliste, derisa hoqi shikimin për disa milisekonda për t'u përqëndruar dhe më pas e vështroi sërish.
-Ju falenderoj për pak më parë. Më shpëtuat nga një situatë vërtet e sikletshme.
-Nuk do t'ju shqetësojnë më. Të paktën pas mbarimit të kësaj darke jo.
E kush mundej t'i afrohej asaj me qëllime jo të mira kur të gjithë do ta dinin se do martohej me Delionin? Do ish njësoj sikur të donin të vdisnin, se gjëja që duka urrente më shumë ishte t'i afroheshin dhe ta preknin atë që ai e kishte të tijën.
-Më thanë se ju kishin sulmuar banditët.
-Nuk ishte gjë. Kisha mbrojtësin tim me vete, - i tha teksa buzëqeshi me krenari për vëllanë e saj.
-Më pëlqen admirimi juaj për lord Dorenin.
Zëri i tij ishte i qetë dhe tërheqës, aq sa ajo filloi të çuditej se si njerëzit flisnin aq keq për të. Mos ndoshta e ngatërronin me dikë tjetër?
Dora që Delioni i kish vendosur në bel lëvizi ngadalë dhe Adalena ndjeu disa dridhje të çuditshme në trupin e saj. Vuri re se qenë afruar disa centimetra më tepër. Fryma e tij e ngrohtë përplasej në fytyrën e saj butësisht dhe ajo s'mundej ta largonte vështrimin prej syve të tij të veçantë. S'ia kishte idenë nëse muzika kishte ndaluar apo jo, nëse njerëzit përreth flisnin apo qëndronin heshtur, megjithatë e dinte shumë mirë se sytë e të gjithëve ishin ngulur mbi të dy ata. Vështrimeve kurioze dhe të imta nuk mundej t'iu shpëtonte dot afria ndërmjet tyre dhe ai sinkron i mrekullueshëm.
-Vallëzoni shumë bukur, Adalenë.
Ai vuri buzën në gaz, ndërsa ajo ndjeu trupin t'i nxehej.
-Faleminderit, dukë. Edhe ju gjithashtu.
-Më flisni pak për veten, - i tha ai më vonë kur kuptoi se ajo e kishte shumë të vështirë të fliste e para.
Dinte mjaftueshëm gjëra për vajzën e markezit, madje shumë herë më shumë seç të tjerët mendonin, por thjesht donte t'i dëgjonte prej gojës së saj.
-Për çfarë? Do më pëlqente më shumë sikur të saktësonit diçka.
-Pse jeni kaq e distancuar prej njerëzve? Kam vënë re se shpesh preferoni të qëndroni vetëm.
Nëse nuk do ishte e çuditur me faktin se Delioni ishte i vetmi mashkull që i kishte bërë një pyetje të tillë, ndoshta do t'i kishte shkuar ndërmend ta pyeste se ç'do të thoshte me "kam vënë re", kur ai e kishte takuar vetëm dy herë gjatë gjithë kësaj kohe.
-Sepse është e kotë të qëndroj pranë personave me të cilët s'më përputhen interesat.
-Çfarë interesash keni ju?
-S'kam shumë, - u tregua disi e kursyer, edhe pse e dinte se ai e kuptonte kur gënjente. -Thjesht më pëlqen të mos jem pjesë e mendjemadhësisë së rrethit shoqëror.
Për disa çaste ai nuk foli, vetëm sa e vështroi në sy për një kohë të gjatë, ndërkohë Adalena vriste mendjen se çfarë tjetër kish kuptuar ai prej shikimit të saj.
-Tani mundem t'ju bëj unë një pyetje?
Delioni pohoi pas disa sekondash, ndoshta duke menduar se pyetja e saj s'kish për të qenë e vështirë për t'i dhënë një përgjigje.
-Të gjithëve iu ka bërë përshtypje zotësia juaj, sidomos në luftë, por jam kurioze të di, cila është dobësia juaj më e madhe?
Sytë e Adalenës shndritën për një moment dhe zemra filloi t'i rrihte çrregullt. Delioni siç dukej s'priste një pyetje të tillë.
E si një padrejtësi e madhe ndaj saj, muzika përfundoi. Të dy i ngadalësuan lëvizjet dhe u shkëputën ngadalë. Pas kësaj Adalena e kuptoi se nuk kishte për të marrë një përgjigje për një kohë të gjatë. As që ia kishte idenë nëse do t'i binte rasti të kishte një tjetër bisedë si kjo me bashkëshortin e ardhshëm, por nuk u mërzit. Buzëqeshi me delikatesë dhe mendoi se do vinte koha e duhur për gjithçka.-Ejani, duhet t'i njoftojmë të tjerët për martesën tonë, - i tha ai sikur të mos i kishte dëgjuar kurrë fjalët e saj.
Shkuan pranë familjarëve të tjerë. E ëma e vështroi duke qeshur dhe Adalena arriti t'i shihte sytë e saj të përlotur, ndërsa Doreni i pëshpëriti në vesh se dukeshin si një çift i vërteta teksa kërcenin. Ajo nuk tha asgjë, vetëm uli kokën e vendosur në siklet dhe shkoi pranë Delionit, ashtu siç ai i kish kërkuar. Duka filloi të fliste.
-Uroj që të gjithë të jeni duke kaluar një mbrëmje të këndshme.
Fytyrat e të gjithëve u kthyen drejt tij.
-Ju falenderoj që i pranuat ftesat dhe që pata nderin t'ju kem këtu. Në këtë ballo dua të ndaj me ju një lajm të gëzuar, - dhe pas këtyre fjalëve ai vendosi dorën në belin e Adalenës dhe e afroi pranë vetes. -Pas një jave do kurorëzohet martesa ime me zonjushën Adalenë, vajzën e markezit Luis Windsor.
Të gjithë u dukën të habitur, salloni u mbush me pëshpërima dhe me shikime të mprehta.
Rastësisht Adalena kapi vështrimin e Çarlit. I erdhi për të qeshur nga reagimi i tij qesharak, por e mbajti veten mirë.-Jeni të ftuar të jeni miq të nderuar në ceremoninë tonë të dasmës.
Për sonte, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë e të shijoni çdo moment të kësaj balloje.Pas fjalimit të tij të shkurtër, filluan të vinin me radhë të gjithë të pranishmit për t'iu shprehur urimet e tyre dhe për të bërë ndonjë bisedë të vogël. Gjatë gjithë kohës Delioni e mbajti Adalenën pranë vetes, me dorën në po të njëjtin pozicion si në fillim. Sa herë që ai e lëvizte dorën ngadalë në belin e saj, po aq herë ajo ndiente rrëqethje të lehta dhe kuptonte se sa pranë e kishte trupin e tij muskuloz.
Mesnata kaloi në ballo, madje edhe në orët në vijim salloni ishte po aq i mbushur sa në fillim. Vizitorët filluan të largoheshin vetëm atëherë kur erdhën orët e para të mëngjesit, në çastin kur qielli akoma ish i errët dhe s'ish ndriçuar shumë prej rrezeve të diellit.
Atëherë u largua edhe ajo, por para se të ikte, për një çast tejet të vogël u gjend vetëm me Delionin. Aty ai iu afrua ngadalë. Adalena deshi të zmbrapsej, por nuk i lëvizi dot këmbët. Thjesht u përtyp dhe vështroi drejt tij me një shikim ndryshe prej herëve të tjera.
Kur iu afrua akoma dhe më tepër, ndjeu se zemra ia goditi kraharorin më fort.Duka nënqeshi. I la një puthje në ballë dhe, para se të largohej prej saj, i pëshpëriti pranë veshit me zë të ulët që ia drodhi gjithë trupin:
-Dua të të kem pranë, Adalenë.
Rrëshqiti dorën në krahun e saj të zhveshur. Kënaqësinë që merrte kur ia shihte reagimet nuk i pëlqente ta ndërronte me gjë tjetër.
-Adalenë? Ku ndodhesh?
Nga ajo situatë e sikletshme do ta shpëtonte zëri i vëllait që erdhi që nga jashtë disa metra tutje.
U shkëput menjëherë prej tij duke marrë frymë thellë dhe nuk guxoi ta shihte. Deshi të paktën t'i jepte një përshëndetje, por as për të folur s'mundi. U largua me hapa të shpejtë dhe shkoi në karrocë bashkë me Dorenin. I tha vëllait se u vonua duke takuar pjesëtarët Frost, ndërsa për faqet e skuqura gjeti justifikimin se u bënë ashtu nga të nxituarit. Ai s'dyshoi.
Adalena s'tha asnjë fjalë tjetër. Vetëm sa e fokusoi vështrimin jashtë dhe kyçi gojën për disa orë, por s'mundi t'i kyçte mendimet për të mos fluturuar drejt Delionit. Fjalët e tij i kumbonin akoma në vesh, ndërsa prekjen i dukej sikur ia ndiente ende.
"Ndalo,"- i tha vetes, por sërish s'mundi.
DU LIEST GERADE
Parajsë e pafund
Historische RomaneVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...