-Çfarë? Çfarë je duke thënë? Frederiku deshi të të vriste?
Fytyra e Eloizës kish ndryshuar menjëherë shprehje. Biseda e qetë që kishte qenë duke bërë me Sharlotën ish lënë përgjysmë, tashmë e sigurt se s'kishte për t'iu gjetur fundi kurrë.
-Ku është tani? Kam nevojë të flas me të me patjetër.
-Nuk mundesh. Është i vdekur.
Heshtje. Gjatë gjithë këtyre çasteve Adalena e kishte mbajtur shikimin poshtë, disi duke ndier keqardhje për mënyrën e ngurtë me të cilën Delioni po i jepte një lajm aq të trishtë së motrës. E dinte se do ndihej dhjetë herë më keq sikur të shihte fytyrën boshe të Eloizës, të mbushur vetëm me dhimbjen që ato fjalë i krijuan.
-Ç'marrëzi je duke folur? Më thuaj ku gjendet Frederiku!
-E vrava, Eloizë, - i përsëriti sërish thatë teksa i kapi krahun që ajo të mos largohej në kërkim të të shoqit.
E motra ngriu në vend si statujë, ndërsa Sharlota nxorri një pasthirrmë prej buzëve para se të vendoste dorën para gojës e habitur me veprimin e nipit.
-Fati i atyre që synojnë komplot ndaj Britanisë është mëse i ditur, nuk ka nevojë për koment mbi këtë çështje. Ushtarët do ta çojnë trupin e tij në Francë, Britania as në dhe nuk i mban eshtrat e një tradhtari.
Eloiza hoqi me forcë krahun e vet prej të tijit dhe Adalena vetëm në atë moment ngriti kokën për ta vështruar; kurioziteti qe i madh. Menjëherë vuri re se sytë e vajzës qenë skuqur dhe nga momenti në moment prej tyre do vërshonin si lumë lotët e kripur, ndërsa fytyra i ishte zbardhur e gjitha si letër e pashkruar.
-Ti vrave tim shoq? Ti... Ti...
Ajo nuk dinte ç'të thoshte. Ta quante Frederikun të pafajshëm do dilte si gënjeshtarja më e madhe, ta quante vëllanë vrasës do ishte e padrejtë. Por dhimbja bënte të vetën. Dhe për më tepër Delionin e kish përballë, ndërsa bashkëshortin të prehur në një dysheme të ftohtë.
-Në djall të shkojë çdo gjë! Më vrave bashkëshortin! Vrave babanë e fëmijës sim!
-Eloizë, qetësohu, kishte një arsye se pse e bëri këtë gjë.
-Më lër të qetë Sharlotë! - iu kundërpërgjigj ashpër, shoqëruar edhe me një shikim të egër si asnjëherë më parë. -Pse e bëre këtë?! Pse duhej të prishje gjithçka pikërisht tani që gjërat po shkonin mirë?!
-Po shkonin mirë? - ndërhyri Adalena me të shpejtë tashmë e acaruar. Askush s'kishte të drejtë t'i fliste në të tillë mënyrë dukës së saj, pavarësisht privilegjeve që mund të gëzonte. -Pra ti e quan "mirë" përgatitjen e atentatit ndaj dukës së Londrës? "Mirë" edhe për helmin që deshën t'i jepnin? Të jemi realistë, Eloizë, asgjë nuk po shkonte mirë në këtë mes.
-Mjaft! Nuk dua të dëgjoj asnjë prej jush! - dhe ajo vazhdonte të mos e ruante qetësinë, njëjtë si bishat kur lëndohen. -Frederiku nuk e meritonte këtë gjë! Veprimet e tij me patjetër e kanë pasur një arsye, ai kurrë nuk ka dashur ta lëndojë Delionin!
-Të lutem, nuk dua të debatoj me ty, - ia preu Delioni shkurt pa u interesuar shumë se ç'dhimbje po përjetonte.
Ai dinte vetëm se nëse Eloiza vazhdonte të fliste akoma, nervat do t'i ngatërroheshin të gjitha dhe durimi i tij do arrinte cakun, përtej të cilit asgjë e mirë s'mund të pritej.
-Nuk më intereson më se çfarë dëshiron e çfarë jo! Je një vrasës! Je mizor! Njerëzit kanë të drejtë për çdo fjalë që të thonë, ti nuk e meriton të jesh dukë i Londrës!
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...