Të nesërmen, që herët në mëngjes, shkoi në cepin e fshehtë të saj dhe të Eduardit në shëtitoren pas kështjellës. Po priste nervoze ulur në karrigen me jastëk të butë, që gjendej në një vend të vogël të rrethuar me pemë të larta dhe bimë që përqafonin muret e forta të kështjellës. Ishte nëna e saj e cila kish hedhur idenë e vendosjes së një tavoline rrethore dhe dy karrigeve të vogla pranë saj, por Adalena nuk shqetësohej nëse aty mund të vinte dikush. Përveç nënës askush nuk e dinte, dhe markezja më tepër se gjithçka preferonte të qëndronte në bibliotekë duke lexuar.
Lëvizi kokën kur dëgjoi hapa përreth. E dinte se ishte Eduardi, ndaj u ngrit në këmbë gati për ta përqafuar kur ta shihte.
E kish lajmëruar me anë të Emilit. Donte t'i tregonte gjithçka e t'i jepte përshëndetjen e fundit, sepse ajo e dinte se që pas atij çasti do ta kishte të pamundur ta takonte.Ai u shfaq i buzëqeshur. Siç dukej s'kish kuptuar gjë. E përqafoi njëjtë si herët e tjera dhe e puthi lehtë në faqe.
Ajo u drodh. Nuk e dashuronte, por e pëlqente shumë, e sërish e kishte të vështirë t'ia tregonte të vërtetën e hidhur, se e dinte që ai ish gati të bënte gjithçka vetëm për të jetuar me të, aq shumë e donte.
Eduardi e dalloi ngurtësinë e saj dhe e vështroi në sy dyshues.
-Ka ndodhur gjë? Nuk më dukeni mirë.
Adalena vështroi përreth për të marrë forcë dhe për të kujtuar çdo gjë që kishte përsëritur me veten e saj gjatë gjithë natës.
-E di se do t'ju lëndoj, por mendoj se është më mirë të merrni vesh gjithçka prej meje sesa prej të tjerëve.
Bëri një pauzë të vogël për t'i dhënë atij kohë të përtypte ngadalë fjalët.
-Unë... do martohem me dukën e Londrës, Eduard.
-Çfarë?
Zëri i tij mezi doli. E gjithë fytyra i ndryshoi shprehje brenda çastit dhe ajo u pendua që ia tregoi në të tillë mënyrë të vërtetën.
-Nuk dua, por jam e detyruar, - i tha me zërin e dridhur duke ia vendosur ngadalë dorën në faqe. -Është e kotë të kundërshtoj, im atë s'ka për të ndryshuar mendje.
-Por është e drejta jote Adalenë. Nuk është fjala për një udhëtim të shkurtër, është fjala për një jetë.
Ai përpiqej të hiqej i qetë, por ajo e dallonte mërinë dhe zhgënjimin që bënin furtunë në shpirtin e tij.
-Një jetë me dikë që nuk e dashuron.
-Më vjen vërtet keq.
Sytë e të dyve qenë përlotur.
-Më fal që të bëra të mendosh se mund të kishim një të ardhme së bashku.
Uli kokën fajtore dhe një lot i rrodhi në faqe. Ai e përqafoi fort si të ishte hera e fundit. Mund t'i thoshte të iknin të dy fshehurazi në një shtet tjetër, pa i bërë të ditur askujt se cilët ishin dhe nga vinin, se pse kishin ardhur dhe sa do qëndronin, por më shumë se gjithçka ai donte sigurinë dhe dinjitetin e saj. Nëse largoheshin, e dinte se që të dyja nuk do kishte mundësi t'i ruante. Do gjendeshin në mes të rrezikut dhe njerëzit në Angli do flisnin për aktin e tyre të turpshëm që do ju ngelej njollë e zezë gjithë jetën.
-Gjithë çka dua është lumturia juaj, Adalenë. Nëse ai arrin t'ju bëjë më të lumtur se unë, atëherë mos u shqetësoni për mua, dijeni se do jem i lumtur bashkë me ju.
Gënjente. Ajo e dallonte shumë mirë këtë gënjeshtër në sytë e tij të pikëlluar e në mënyrën se si ia kish kapur trupin, si të donte të mos e linte kurrë t'i ikte.
-Për çdo gjë do më keni pranë. Mund të më shkruani kur të keni nevojë, mirë?
Pohoi me kokë, pastaj ngadalë ndjeu duart e tij të largoheshin prej saj.
-Kur do martoheni?
-Pas dy javësh.
Fjalët e thëna me zë fajtor nuk e zbutën dhimbjen e kontit. I zhgënjyer prej shumë gjërave në jetën e tij, kujtoi lutjen e të atit disa ditë më parë. Të shkonte në Liverpul me anijen "Lusitania" dhe të ndihmonte për një fushatë ushtarake. Anija do nisej prej Nju-Jorkut drejt Liverpulit, do bënte një ndalesë të shkurtër në Fishgard, atje ku Eduardi jetonte, dhe më pas do vazhdonte udhëtimin. Në fillim kishte kundërshtuar, por tani nuk kishte asnjë arsye se pse të mos shkonte.
-Nuk mundem të jem i pranishëm. Më duhet të shkoj në Liverpul.
Adalena e vështroi e trishtuar. E dinte se ai po e bënte gjithë këtë vetëm për të shmangur takimin me të dhe Delionin, ndaj nuk mund t'i kërkonte të mos largohej.
-Martesa juaj ka për të qenë e mrekullueshme. Ju uroj një jetë plot lumturi.
Nuk mundi t'i fliste. Grumbulli i ngatërruar që i kishte qëndruar në grykë ia bënte të pamundur atë gjë. Ai i tha "mirëmbetshi" e më pas u largua me nxitim.
Vetëm atëherë Adalena u shemb në karrige dhe vendosi duart në kokë e dëshpëruar. I la lotët t'i rridhnin në qetësi e të ndiente zemrën t'i kërciste prej dhimbjes. Megjithatë aty nuk qëndroi shumë. Nëse rrinte më tepër, e ëma do dyshonte dhe do dilte për ta kontrolluar.
Por hyrja në kështjellë s'qe aspak e këndshme për të. Në korridorin e mbushur plot dritë u has menjëherë me markezen.-Ah, Adalenë, ku ishe? Kam shumë kohë që të kërkoj.
-Dola për të marrë pak ajër, - gënjeu si gjithmonë dhe kokën po e mbante ulur që askush të mos ia shihte sytë e skuqur.
Pavarësisht përpjekjeve të kota të saj, Margarita e kuptoi se ajo kish qarë, por u hoq sikur s'kishte vënë re gjë.
-Eja, duhet bërë gati fustani i dasmës. Rrobaqepëset kanë kohë që kanë ardhur.
Në heshtje ndoqi pas të ëmën. U futën në një dhomë me mure të larta e dritare të mëdha dhe pas një bisede të shkurtër Adalena qëndroi përballë pasqyrës, ndërsa vajzat e reja që do qepnin fustanin iu afruan me copën në duar. Ndërkohë që ato flisnin dhe merrnin masat e saj, Adalena mbante sytë ngulur te vetja në pasqyrë. A vërtet do martohej disa ditë më vonë? Do t'i përkiste një mashkulli me të cilin kishte shkëmbyer vetëm dy fjali? Do lejonte prekjen e tij në trupin e saj kur asnjë fije dashurie s'kish midis tyre?
Shihte e tronditur veten dhe nuk reagonte ndaj asgjëje. Sytë i kishte bosh. Tashmë asgjë s'dallohej brenda tyre.
Ndihej e humbur.
Ndihej e huaj dhe e vetme.
Nesër ka një pjesë bonus meqë kjo ishte e shkurtër xp
ŞİMDİ OKUDUĞUN
Parajsë e pafund
Tarihi KurguVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...