12

372 31 76
                                    

Dedikuar __DETI ❤

Sharlota e kish marrë Emilin te dhoma e vet dhe qenë ulur të dyja në një kolltuk kaf. Bisedën e kishte filluar me një ëmbëlsi të tepruar dhe dinakëri ekstreme, ashtu siç vetëm ajo dinte të bënte.

Kishte filluar ta pyeste për familjen, për arsyen se pse shkoi te kështjella e markezit për të punuar, pastaj se sa kohë i kishte shërbyer Adalenës dhe çfarë nuk i kishte pëlqyer në tipin e saj.

-Dukesha është perfekte, - i tha ajo me vetullat e mbledhura nga pakënaqësia. -Është njeriu më i mirë që kam njohur ndonjëherë.

Sharlotës i vinte mirë tek dëgjonte fjalë të tillë për Adalanën, se donte të sigurohej që ajo ishte vërtet e denjë për Delionin e saj.

-Po ndonjë mashkull tjetër ka pëlqyer?

Ajo ngriti vetullat kurioze dhe sytë iu zmadhuan nga kërshëria.

-Njerëz jemi të gjithë fundja-fundit, jemi krijuar për të pasur ndjenja.

Emili shkundi kokën ngadalë me vetëbesim, edhe pse e dinte shumë mirë historinë e Adalenës me kontin e Notingamit.

-Jo, edhe pse të shumtë kanë qenë ata që kanë dashur ta kenë në krah.

Bashkëbiseduesja mbeti e kënaqur përsëri. Drejtoi trupin pishë dhe kroi fytin me kujdes.

-Tani unë kërkoj diçka prej teje, e dashur Emili. Duhet ta kesh vënë re se Adalena është shumë e stepur në marrëdhënien me Delionin. Diçka e tillë nuk është normale, apo jo?

-Keni të drejtë, zonjë.

-Më vjen mirë që më kupton. A nuk është për të ardhur keq që një çift i ri të sillet në të tillë mënyrë? Unë, si gjyshja e Delionit, dëshiroj të shoh vetëm lumturi dhe dashuri midis tyre, ndaj kërkoj ndihmën tënde që t'i afrojmë ata më tepër me njëri-tjetrin.

Vajza e re nuk foli për disa çaste, akoma e paqartë për rolin që duhej të luante.

-Dhe çfarë saktësisht duhet të bëj unë?

Sharlota nënqeshi dhelpërisht. Aty filloi t'i tregonte me përpikmëri çdo plan që kishte dhe nuk vonoi shumë që ta bënte Emilin për vete: disa minuta më vonë të dyja gjendeshin duke qeshur në fshehtësi me planet e thurura.

Ndërkohë që flisnin, dëgjuan zëra dhe hapa në katin poshtë dhe kuptuan se çifti kishte ardhur. Emili u largua në dhomën e vet pa u vënë re prej askujt, ndërsa Sharlota u ndesh me Delionin dhe Adalenën kur ata ishin bërë gati të hynin në dhomën e tyre.

Ishin bërë të dy qull. Rrobat iu pikonin ujë dhe fytyra iu kishte marrë ngjyrë të zbehtë prej të ftohtit, sidomos Adalenës, e cila dukej sikur do merrte një ftohje të mirë që brenda asaj dite.

-Fëmijë?! - iu drejtua të dyve me shqetësim si t'i kishte vërtet bijtë e saj. -Ndërrohuni menjëherë para se të sëmureni! Do t'i them shërbyeses t'ju sjellë diçka të ngrohtë për të pirë.

Ajo nxitoi t'i zbriste shkallët me aq shpejtësi sa mundej, ndërsa duka bashkë me Adalenën u futën në dhomë.

Atje ishte ngrohtë. Shërbyesja ish kujdesur që zjarri të qëndronte ndezur gjatë gjithë kohës, diçka për të cilën Adalena ish aq mirënjohëse.

Pasi u ndërrua në veshje të thata dhe tepër të ngrohta, mendoi të merrte sëndukun e saj të fshehtë duke qenë se Delioni po bënte një dush dhe ajo ishte vetëm në dhomë.

Letrën drejtuar kontit e kish lënë akoma te libri "Xhejn Er" prej harresës. E mori librin prej bibliotekës bashkë me sëndukun dhe u ul pranë zjarrit në tapetin e shtrenjtë persian.
Hapi sëndukun me kujdes. Prej atje nxorri një grumbull letrash që i kishte shkruar që në moshë të vogël, aq e vetmuar dhe e pakuptuar prej të tjerëve ndihej.

I vështroi pa mundur dot të mbante brenda një psherëtimë. Për çudi, ndonëse ato kohë s'kishin qenë perfekte, sërish ndjeu një farë nostalgjie në shpirtin e saj, ndoshta për ato momente kur qëndronte me të ëmën dhe Dorenin pranë zjarrit dhe ajo iu tregonte histori nga e shkuara teksa i përkëdhelte butë për t'i vendosur në gjumë, ose për ato herë kur prisnin miq në shtëpi dhe ajo bashkë me të vëllanë futej vjedhurazi në kuzhinë për të provuar tortën.

Buzëqeshi e përmalluar ndërkohë që gishtat e hollë i çoi në spangon ngjyrë rozë me të cilën kish lidhur letrat. E zgjidhi ngadalë vetëm sa për të krijuar pak hapësirë për letrën e fundit, se nuk kishte dëshirë të përballej sërish me çaste të vetmuara.

Vendosi sëndukun atje ku ishte dhe u ul sërish pranë zjarrit për të lexuar me endje. Po kthente faqen kur Delioni doli prej tualetit minuta më vonë. Hëngrën të dy darkën që ua sollën në dhomë, pinë çajin e nxehtë dhe pastaj ranë sërish në heshtje. Ajo vazhdoi leximin e saj, herë pas here duke ndaluar për të teshtirë, ndërsa Delioni mori sërish letrat që s'i kishte përfunduar dot në mëngjes. Priti që ai të përfundonte e të shtriheshin të dy për të fjetur, por puna nuk zgjati pak. Delioni vazhdoi të lexonte dhe të shkruante deri në mesnatë, dhe kur pasi përfundoi ngriti kokën për të vështruar Adalanën, vuri re se atë e kish zënë gjumi me libër në prehër pranë zjarrit të shuar.

U ngrit i lodhur prej karriges dhe shkoi pranë saj me hapa të qetë. Ia hoqi librin pa shumë zhurmë, pastaj e mori Adalenën në krahët e veta dhe e shtriu në krevat. U sigurua që e kish mbuluar mirë, u shtri edhe vetë pranë saj dhe e vështroi për një kohë të gjatë. Ngadalë i largoi disa fije floku prej fytyrës, iu afrua, e mori në përqafim e pastaj mbylli sytë. Ashtu edhe fjeti.

Të nesërmen ngjarjet rrodhën shpejt. Eloiza bashkë me bashkëshortin dhe Xhorxhin u larguan që me zbardhjen e ditës, ndërsa Delioni u bë gati dhe po priste ardhjen e Xhasperit për t'u nisur. Ushtari, ndonëse i zënë me detyra të tjera, kish kërkuar ta shoqëronte mikun e tij të ngushtë deri në Liverpul e ta ndihmonte me çka ai të kishte nevojë.

Tashmë Delioni po qëndronte në kopsht, me kalin e tij të bardhë pranë, duke iu përgjigjur çdo pyetjeje të Sharlotës. Ajo vetëm në atë moment ishte kujtuar ta bombardonte nipin me pyetje sikur ai të ishte duke ikur për në anën tjetër të botës.

-Nuk harrove asgjë, apo jo? E more me vete çantën që të dhashë? Edhe dokumentet e tjera që të duhen për në mbledhje? Edhe...

-Po, Sharlotë, mora gjithçka, mos u shqetëso.

Ai i la gjyshes një puthje në ballë dhe ajo e përqafoi fort.
Adalena i vështronte duke buzëqeshur. Njerëzit kishin thënë broçkulla, vërtet. Delioni i dukej njeriu më i kujdesshëm dhe më i dashur kundër familjes së tij dhe me thënë të drejtën, asaj nuk i bëhej shumë vonë se si sillej ai me të tjerët kur në familje kishte një sjellje që s'kishte të sharë.

Pas bisedës me Sharlotën, Delioni u kthye për të parë bashkëshorten. Gjyshja u largua me të shpejtë me justifikimin se Alberti po e thërriste, ndonëse asnjëri prej tyre s'kishte dëgjuar ndonjë gjë.

-Tani duhet të largohesh? - pyeti ajo kur roja tha se Xhasperi kish ardhur dhe po qëndronte jashtë kështjellës.

Delioni pohoi me kokë. Do kishte dashur aq shumë sikur në ato momente Adalena ta përqafonte fort dhe t'i thoshte se mezi do ta priste ardhjen e tij, por qenë gjëra që nuk ndodhën. Ajo vetëm sa buzëqeshi disi e trishtuar dhe sytë i morën një hije mërzie.

-Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.

"Dhe shpresoj që mos të të ndodhë asgjë e keqe," - i foli një zë tjetër i heshtur brenda vetes.

-Mos u shqetëso, nuk do hasim probleme.

Ai i hipi kalit mjeshtërisht. Adalena ndoqi me sy veprimet e tij të shkathëta dhe në atë moment ndjeu frikë brenda vetes, sikur diçka vërtet e keqe të ndodhte pas largimit të dukës.

-Delion...

Fjalët e saj ndaluan vrullin e tij. Ai ktheu kokën dhe e vështroi Adalenën në sy. Meraku që dalloi në shikimin e saj i pëlqeu.

-Thjesht...Kthehu shëndoshë e mirë, në rregull?

-Do tregohem i kujdesshëm, Adalenë.

Ai u largua pasi i dha një buzëqeshje të fundit.
Dukesha e vështroi teksa ikte, sërish me të njëjtën ndjenjë të plogësht në kraharor.

-Kthehu me po këtë buzëqeshje në fytyrë, dukë, - mërmëriti për herë të fundit para se të futej në kështjellë e të ndihej bosh pa praninë e tij.

Parajsë e pafundWhere stories live. Discover now