Kjo pjesë është për argi2017 meqë nuk i pritej deri nesër😝 Lexim të këndshëm!
Trupi i dridhej i gjithi. Në pamundësi për të lëshuar lotët, se nëse mbytej në të qara do ishte e pamundur të justifikonte sytë e skuqur para të tjerëve, vetëm mbushej me frymë dhe kraharori i bënte ulje-ngritje të dëshpëruara për pak oksigjen.
Donte të shtrihej në krevat, të qante gjithë ditën e natën bashkë e të mbyllej pa dalë më që aty.
Lëvizi me vështirësi prej vendit ku ndodhej, duke u mbajtur në ç'të gjente pranë. Shkoi te dhoma tjetër e filloi të kontrollonte disa komodina për të gjetur një fletë e një penë me të cilën të shkruante. I hapte ato me nxitim, lëvizte çdo gjë brenda pa patur aspak kujdes, derisa syri i kapi një grumbull me fletë të verdha dhe një kuti me bojë brenda së cilës qëndronte mjeti i shkrimit.
I mori, u shemb mbi kolltuk e lodhur dhe derdhi në letër çdo ndjenjë dhe dhimbje të zezë që i mbante shpirti. Shkrimi i doli i pjerrët dhe shkronjat jo aq të rrumbullakosura si gjithmonë, se dora nuk mundej të mos i dridhej. Pastaj, kur po i hidhte një shikim të fundit për të parë ç'kishte shkruar, nuk mundi t'i mbante dy-tre lot të rëndë brenda syve. Ata rrodhën me trishtim dhe u përhapën bashkë me bojën.
Adalena në atë çast dëgjoi derën e dhomës së gjumit të hapej. Fshiu me të shpejtë faqet dhe letrën e futi brenda librit që akoma qëndronte mbi tavolinë. Deshi ta vendoste atë në raft që askush të mos e gjente, por nuk pati kohë.
Dera u hap pikërisht në çastin kur u ngrit prej kolltukut. Ishte Eloiza.-Adalenë? Ndihesh mirë?
Ajo iu afrua me shqetësim. Adalena e përfytyronte veten e saj tejet të zbehtë, të verdhë si limon, sytë e lodhur dhe të pajetë, ndërsa trupin tepër të ngathët për të lëvizur.
Eloiza i vendosi njërën dorë në krah dhe deshi ta shihte në sy, por Adalena e çoi kokën nga ana e dritares dhe nuk foli, se iu formua një komb i tillë në grykë që iu duk sikur do ta mbyste.
-Të mërzitën fjalët tona? Nuk doja të ndiheshe keq, më beso, nuk mendova se biseda do merrte atë rrjedhë.
Gjëja më e vështirë që kishte bërë Adalena në gjithë jetën e saj, ishte të buzëqeshte në atë çast sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
-Jo, nuk është kjo arsyeja. Vetëm se...kisha një të afërmen time në anijen që u fundos.
-Ohh, e dashur, më vjen vërtet keq.
Ajo e përqafoi dhe ia rrahu shpatullat ngadalë.
-Dëshiron të dalim pak jashtë? Ke nevojë të marrësh ajër.
Adalena pohoi pa folur. Tashmë e kishte të qartë se nëse fliste, nuk do mundej t'i mbante dot lotët.
Dolën jashtë kështjellës pa u vënë re prej të tjerëve dhe Eloiza filloi të ecte me të në krah rreth kopshtit të gjelbëruar.
-Je e sigurt se e njohura jote ka ndërruar jetë? - e hapi bisedën me idenë se do ta bënte të ndihej më mirë po t'i jepte pakëz shpresë, pa e ditur se tashmë ishte e kotë për Adalenën që të shpresonte. -Delioni tha se një pjesë e pasagjerëve kishin arritur në breg me varkat e shpëtimit.
Shkundi ngadalë kokën që gjatë gjithë kohës e mbante ulur, si të donte të shihte çdo gjë që shkelte.
-Ajo iu frikësohej varkave të vogla, jam e sigurt se ka refuzuar të qëndrojë në to, - gënjeu e dëshpëruar.
Eloiza nuk foli. Ishte e kotë të përpiqej ta ngushëllonte më tepër, se dhimbja për humbjen e dikujt nuk mund të ndreqej brenda çastit, ndaj heshti dhe e la në vetminë e saj.
Ndërkohë, brenda kështjellës, Delioni ish duke ngjitur shkallët që e çonin për te dhoma e tij dhe e Adalenës. Reagimi i saj kur tregoi për kontin Eduard i bëri përshtypje, dhe do i dukej vetja një fëmijë naiv sikur të mos e kuptonte se diçka kish pasur midis të dyve; kjo ishte e qartë, pikërisht si një njollë e zezë në një sipërfaqe të bardhë.
Donte të shihte nëse ajo ishte mirë, por nuk e gjeti as te dhoma e gjumit, as në bibliotekë. Arriti ta shihte vetëm kur iu afrua dritares dhe hodhi një sy jashtë, megjithatë nuk deshi ta shqetësonte.
U ul te kolltuku i tij i preferuar, i cili pa e ditur ish kthyer edhe në të preferuarin e Adalenës, dhe po e vështronte imtësisht me një qetësi të çuditshme për tipin e tij, mijëra ngjarje dhe mendime duke i kaluar në mendje. Pastaj syri i kapi librin në tavolinë kur lëvizi kokën lehtë. Zgjati dorën për ta marrë e për ta shfletuar, ndonëse e kish lexuar edhe më parë; kjo gjithsesi s'e pengonte të ndiente sërish shijen e mirë që ai i kish lënë gjatë leximit.
E kur po lëvizte fletët për të gjetur diku aty në mes një shprehje që i kish pëlqyer jashtëmase, fleta e verdhë ra poshtë duke u lëkundur disa herë sa nga njëra anë në tjetrën, para se të prehej në tapetin e errët. Përkuli trupin që ta merrte, i sigurt se ajo s'kishte qenë aty më parë.
Vetullat automatikisht iu rrudhën kur lexoi fjalinë e parë, derisa diçka i trokiti në mendje: ish letra e Adalenës. Për disa çaste vetëm sa e mbajti në dorë, i pasigurt nëse bënte mirë ta lexonte apo jo. Pastaj vështroi sërish jashtë, e në fund fare sërish letrën.
"Zemra më ndali për një çast. Nuk e kuptova nëse bota po rrotullohej apo ishin thjesht sytë e mi që po gënjenin. Doja të besoja se nuk ishe ti, por buzët e tij s'kishin arsye pse të mos thoshin të vërtetën.
Ahh, sikur mos të të kisha treguar gjë. Jam e bindur se do të të shihja sërish, se do buzëqeshje dhe do vazhdoje të jetoje për vite me radhë.
Mizoria ime mori jetën tënde, i dashur. Duhet të isha unë në atë anije, le të më merrnin mua dallgët e ashpra të detit, le të shkoja në thellësirat më të ftohta e të harronte e gjithë bota se dikur kam ekzistuar.
Si mundem të jetoj kështu? Si mundem të frymoj duke e ditur se për shkakun tim frymëmarrja jote ndaloi?Më fal, më fal për shpresën e kotë që të bëra të ushqesh, për ëndrrat e shumta që krijove bashkë me mua dhe për thikën që të dhashë mbas shpine.
Falmë, shpirti im s'gjen qetësi me gjithë këtë barrë.Jam mëkatare, por shpresoj që Zoti të më dëgjojë: u prehsh në paqe, dashuria ime e parealizuar kurrë..."
Trupi i dukës u ftoh gjatë leximit të asaj letre. Mbajti sytë ngulur në shkrimin e vogël dhe në vendet e lagura prej lotëve, por nuk reagoi. Asnjë shprehi tjetër nuk vendosi në fytyrë, asnjë veprim që do ta bënte të dukej i acaruar apo i inatosur. Asgjë. Vetëm një qetësi solemne që prishej prej cicërimave të zogjve.
Palosi letrën me kujdes, e vendosi në të njëjtën fletë ku Adalena e kish lënë dhe pastaj mbylli librin ngadalë, i sigurt se ajo s'kishte për ta kuptuar kurrë që letra ish lexuar prej tij.
Psherëtiu thellë dhe nuk mundi të mos i hidhte sytë jashtë për të disatën herë. Ajo tashmë ishte ulur në një stol dhe në dorë po mbante një trëndafil të cilit i mbante erë e përhumbur.
E vështroi për një kohë të gjatë, ngadalë duke e kuptuar se ç'kujdes të madh duhej të tregonte me atë shpirt të vrarë.Ajo ishte e brishtë. Një gabim nga ana e tij dhe ai do ta humbiste përgjithmonë, dhe kjo ishte gjëja e fundit që donte të bënte.
Rifreskoi edhe një herë qëllimin e vet. Kish premtuar se do t'i bënte ata sy të qeshnin sërish. E më mirë vdiste, sesa ta linte këtë punë përgjysmë.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...