"Mendova se të kisha pranë... Dhe pikërisht atëherë të humba. Ndiej një boshllëk të frikshëm të më rrethojë ngadalë, ndërsa brenda vetes s'gjej gjë tjetër veçse një humnerë dhimbjesh.
Pse s'mundem të të shoh? Të ta dëgjoj sërish zërin? Të të prek sërish? Të ndiej përqafimin tënd të fortë dhe të marr forcë prej asaj buzëqeshjeje rrëzëllitëse? Pse nuk të kam më pranë?Nuk do qesh më me batutat e tua, nuk do ta shoh më librin mbi tryezën pranë kolltukut tënd të preferuar. Më duket sikur je akoma aty. Sikur nëse hap derën, do të të shoh duke lexuar i përqëndruar. Dhe unë do përpiqem të ec ngadalë për mos të të shkëputur, do të të vij pranë dhe do ulem përballë teje... Por kur ulem, nuk shoh asgjë, veç një zbrazëtirë që më ha përbrenda. As harkun nuk e shoh të preket më prej duarve të tua, as shpatën, as veten.
Më mungon. Atëherë kur fillova të ndihesha e lumtur, gjithë bota m'u kthye përmbys. Dua të të shoh, të të prek, të të dashuroj. E si mundem të jetoj unë pa ty? Pa sytë e tu? Pa buzëqeshjen tënde të ngrohtë?
I urrej premtimet. Më premtove se do ktheheshe për mua, se do jetonim të dy, se do kalonim vitet e mbetura të jetës së bashku. Atëherë pse më lë vetëm?... Ku është ai premtim që më sigurove se nuk do ta thyeje?
Merrmë. Merrmë sërish në krahët e tu e mos më lësho më kurrë..."Nuk mundi të shkruante më tepër. Shikimi iu turbullua dhe dora vetëm sa po krijonte disa shkarravina të pakuptueshme.
Mori frymë thellë. Ajri ia shpoi hundët fort e ia ftohu gjithë brendinë. U drodh, por jo prej të ftohtit; ishte kujtimi i Delionit ai që i jepte vibrime në gjithë trupin.
Mbylli sytë duke i lënë lotët t'i gjenin shteg në faqe, pastaj në mjekër, e pastaj në fustanin e zi. Akoma pa vështruar preku me dorë vendin pranë vetes, atje ku ulej gjithmonë Delioni i saj, në shkëmbin vetmitar mbushur me kujtime që ia bënin shpirtin vrer. E përkëdheli me dashuri, dëshpërimisht duke dashur që të prekte vërtet Delionin.
E midis lotëve të hidhur, midis vorbullës së dhimbshme të kujtimeve, realizoi sërish se atë nuk e kish më pranë e nuk do ta kish më kurrë.
E kishte humbur. Bashkë me të kishte humbur dhe veten dhe ishte e sigurt se nuk do ta gjente më asnjëherë, nuk do t'i plotësohej kurrë vendi që ai kish lënë bosh, vendi që kish vjedhur prej zemrës së saj në mënyrën më të bukur të mundshme.
Si mund të ndihej e qetë kur as dy vite të plota nuk arriti të gëzonte pranë dashurisë së tij?Disa pika të brishta shiu ndjeu t'i binin në lëkurë.
"Jam pikë e shiut që ëndshëm lag tokën."
Lotët iu shtuan më tepër, aq sa u sigurua se nuk do mund t'i ndalonte dot për një kohë vërtet të gjatë.Ngadalë, dhimbshëm, ndërkohë që shiu vazhdonte të binte mbi të si ta përkëdhelte me dashuri, kuptoi se në atë periudhë të shkurtër me Delionin kishte përjetuar gjithë jetën e saj, buzëqeshjet më të sinqerta, dashurinë më të ëmbël, prekjet më të zjarrta, shikimet më të ngrohta. I dhimbte të mendonte se nuk do t'i përjetonte kurrë më, por të paktën i kishte ndier dikur, kishte shfrytëzuar çdo moment për të qenë pranë Delionit, e kishte puthur sikur të ishte hera e parë, e kishte përqafuar sikur të mos i kishte ndier kurrë krahët e ndonjë njeriu tek e shtrëngonin të gjithën në gjoks.
Ai ishte parajsa e saj. Gjallë apo vdekur, gjithmonë do të ishte. Mund ta harronte se si i buzëqeshte, se si e prekte, se si e puthte, por nuk do ta harronte kurrë mënyrën se si e shihte, se si sytë e tij e përfshinin të gjithën në një botë që s'ekzistonte. E ata sy ajo gjithmonë do t'i mbante në zemër, vetëm ashtu do sigurohej se do ta mbante përherë pranë vetes.
YOU ARE READING
Parajsë e pafund
Historical FictionVetëm tre-katër centimetra e ndanin prej fytyrës së tij. S'mundej ta hiqte shikimin prej atyre dy syve që i dukeshin si e gjithë bota, nga ajo blu perfekte që ia boshatisi gjithë trurin. -Kujdes, Adalanë, mund të ishe rrëzuar, - i pëshpëriti ai pa m...