5

1.7K 124 63
                                    

Kishte më shumë se një orë që merrej me pastrimin e kuzhinës. Disa herë kishte ndaluar kur xhamat e gotave e kishin prerë.
Çdo papastërti që kishte krijuar Kristiani dhe Megani duke hedhur ushqimet në tokë, ishte pastruar dhe tashmë gjëja e vetme që i kishte ngelur ishte të lante pjatat që çuditërisht nuk ishin thyer.

- Zonjushë, nuk është nevoja t'i lani ju pjatat! Do ta bëj unë atë punë, - foli e njëjta punonjëse që i kishte hyrë në dhomë gjatë kohës së mëngjesit.

- Jo, faleminderit për ndihmën, mund ta bëj vetë, - ia ktheu me mirësjellje duke i dhuruar një buzëqeshje të vakët.

Punonjësja bëri një hap më mbrapa, u mbështet pas një karrigeje dhe po vështronte kuzhinën pa ditur ç'të bënte tjetër, ndërkohë që Liana mbaronte ato pak pjata që i kishin ngelur.

- Si quhesh? - e pyeti kur mbaroi punë.

- Lili, zonjushë.

- Mos më thuaj më "zonjushë", të lutem. Nuk mësohem dot me atë fjalë.

Lili buzëqeshi këndshëm dhe miratoi me kokë.

- Sa kohë ke që punon këtu?

- Që kur kam qenë gjashtë vjeçe e deri tani. Plot shtatëmbëdhjetë vite punë. Ndihmoja mamin tim me punë të vogla.

- Kohë e gjatë për të duruar agresivitetin e Kristianit.

- E di, por tashmë s'më bën më përshtypje. Vitet e punës më kanë bërë të mësohem me tipin e tij. Por gjithsesi nuk ka qenë gjithmonë kështu. Është e çuditshme sesi ndryshon natyra e njeriut.

- Pse ka ndryshuar?

- Kush e di. Ndodhi shpejt, aq sa askush s'e besonte dot se në çfarë njeriu u kthye në aq pak kohë. Duket se kati i tretë i kësaj shtëpie nuk ndikoi fare mirë tek ai.

- Pse? Çfarë ka atje?

- Në këtë shtëpi ka shumë gjëra për të cilat nuk gjendet dot përgjigje Liana. Ai nuk lejon askënd të shkojë në kat të tretë. Ka disa vite që ai kat nuk është shkelur me këmbë, madje edhe prej tij. Ndonjëherë më duket sikur ka frikë të shkojë atje, por kjo është e çuditshme për atë lloj personaliteti që ai ka.

Përveshi pak mëngët kur ndjeu të nxehtin t'i përshkonte trupin e direkt sytë i shkuan te ngjyra lejla që i kishte marrë kyçi. Nuk guxoi ta prekte, e dinte që do t'i dhimbte.

- Ai ta ka bërë atë? - pyeti Lili duke bërë me kokë drejt shenjës që ajo kishte në dorë.

Miratoi me një "po" të thatë. Ishte më se e qartë që ai ishte i vetmi person që mund të bënte diçka të tillë.

- Po ty... A të ka prekur ndonjëherë? Në çfarëdo lloj mënyre?

- Jo. Mendon se do ta ulte veten aq sa të shkonte me shërbëtoren e tij?

Në zërin e saj ndihej një ironi e thellë, që përforcohej nga një çerek buzëqeshjeje.

Diçka të tillë e priste. Por s'e besonte edhe aq idenë që ai të mos e kishte lënduar. Diçka duhej t'i kishte bërë patjetër, vetëm se ndoshta Lili s'donte të tregonte.

- Më duhet të dal për të blerë disa gjëra. Dëshiron të vish?

- Sigurisht. Do shkoj ku të jetë e mundur vetëm e vetëm që të mos qëndroj në këtë shtëpi.

Dolën së bashku jashtë. U sigurua të fikte telefonin. Nuk donte që të fliste me askënd, e për më tepër me Kristianin.

Makina ndaloi në shumë vende. Blenë ushqime me shumicë e gjëra të tjera të nevojshme për shtëpinë. Lili po vendoste disa gjëra brenda makinës, ndërkohë që Liana po zgjidhte disa fruta. Ktheu kokën për të parë nëse ajo po vinte, por në vend të saj, sytë i shkuan diku tjetër. Ngriu në vend.
A të ishte vallë ai? Ishte i njëjti zë; tepër burrëror kur fliste me të tjerët, por i kujtohej se sa i butë bëhej nëse i drejtohej asaj. Ishte e njëjta buzëqeshje mahnitëse.
S'u besonte dot syve. Po sikur njerëzit që ecnin pranë tij të mos e lejonin të shihte qartë?
Qesja me portokaj i ra nga dora. S'i interesoi. Filloi të bënte hapa për t'iu afruar e ndërkohë sytë i mbante të fiksuar tek ai. S'mund t'i ikte. S'duhej.
Një dorë e kapi në krah.

- Hej, ku po shkon? - ishte Lili.

- Po kontrolloj...dikë.

Ai kishte ikur. Vetëm brenda atyre pak sekondave ai ishte larguar.

- Ç'ndodhi? - e pyeti ajo përsëri kur vuri re se Liana u zbeh në fytyrë.

- Oh, asgjë, vetëm se...m'u duk sikur...pashë dikë...

Sytë iu mbushën me lot. Ai ishte atje, dhe ajo e kishte humbur. S'kishte mundur dot t'i shkonte pas.

- Liana, je mirë? - zëri i shqetësuar i Lilit e solli në vete.

- Mos më pyet Lili, të lutem, - iu lut në dhimbje.

E si t'i thoshte? S'mjaftonte që thjesht t'i hidhje një sy dhe të kuptoje se ajo s'ishte mirë? Se kurrë s'kishte qenë?

- Le të ikim.

- Po frutat?

- Lëri fare. Shtyhet dhe pa to.

U drejtua te makina dhe hipi atje pa folur. S'ishte në humor të mirë për të biseduar me askënd, as me Lilin, as me Meganin, as me të atin dhe Nensin, as me Kristianin. Sidomos me Kristianin...

Në shtëpi mbërritën pas gjysmë ore. Ora ishte afërsisht një. Shpresonte që burrit të saj të adhurueshëm të mos i kishte shkrepur damari të mbaronte punë kollaj me Meganin e në ato momente të ndodhej aty. I kishte nervat e shkatërruara dhe me tipa si puna e Kristianit vetëm nervat mund të të mbanin një njeri normal.

- Zakonisht në ç'orë vjen në shtëpi Kristiani?

- Gjatë mesnatës. Vetëm në mëngjes na bie rasti ta shohim. Asnjëherë nuk vjen në shtëpi në orarin e darkës, prandaj dhe them se ai i shmanget shumë kësaj shtëpie.

Ja dhe një fije shpresë se ndoshta ai do vinte vonë në shtëpi, atëherë kur ajo të flinte.

- Por përsëri s'jam e sigurt. Ka mundësi që edhe mund të vijë më shpejt. Ndoshta fakti që je ti në shtëpi është një shtysë për të që ai të vijë këtu më shpesh.

Dhe ja ku shpresa u largua...

Gjërat që vihen re të parat, janë gjithmonë ato gjëra që s'do të doje t'i vije re.
Makina e Kristianit qëndronte pranë shtëpisë. Çfarë të priste vallë prej tij tani? Ndonjë uragan të madh apo thjesht ndonjë stuhi sa për të kaluar radhën?

Art i errësirës Where stories live. Discover now