9

1.7K 128 59
                                    

Veshi rrobat që i kishin ngelur në çantë pa e pasur aspak mendjen. Ndihej bosh. Edhe fluturimin e kishte humbur. Nuk kishte asnjë arsye për të vazhduar përpara. Do donte të zhdukej dhe nëse s'mundej, të paktën të fshihej diku ku nuk do ta gjenin, ku s'do ta lëndonin, ku do t'i falnin dashurinë e merituar.

Hodhi çantën në krahë dhe vështroi paratë që gjendeshin akoma në krevat. Nënqeshi me neveri pa guxuar t'i prekte.

Doli prej hotelit e dërrmuar e me lot në sy. Megjithëse kishte qarë shumë, kjo s'e ndalonte që të derdhte lot të tjerë.
Vështroi e mpirë të dyja anët e rrugës.

Çantën, brenda së cilës gjendeshin paratë që kishte menduar se do t'i shpenzonte në Itali, e hodhi pa kujdes përballë derës së një shtëpie të vjetër. S'donte të mbante asgjë që i kujtonte ëndrrën e parealizuar.

Filloi të ecte e vetmuar nëpër rrugët e asaj lagjeje ndërkohë që shiu vazhdonte të binte me gjyma. Çdo gjë që kishte ndodhur disa orë më parë i kujtohej tepër e gjallë. I dukej sikur i ndjente akoma duart e tij të pista në trupin e saj. U drodh vetvetiu.
Një masë e lëngshme po i rridhte në faqe. Po qante përsëri. Nuk mund t'i ndalonte dot lotët.
Këmbët iu ngatërruan me njëra-tjetrën e u rrëzua. Gjuri iu vra keq, por s'i interesoi. Dhimbja që ndiente në shpirt ishte shumë herë më e madhe.

Goditi tokën me duar ndërkohë që qante me ngashërima. Pse duhej që jeta të ishte aq e ashpër? Aq e keqe? Më mirë të vdiste, të vdiste dhe të merrte fund çdo gjë që po përjetonte.

Dëgjoi një makinë që po vinte nga mbrapa. Ngriti pak kokën, por nuk u kthye për të parë. Qëndroi përsëri në tokë, me trup të vrarë e shpirt të sakatosur. Makina ndaloi pranë saj. Ndjeu frikë përsëri. S'donte t'i ndodhte e njëjta gjë për herë të dytë. Nuk mund të duronte dot.

- Liana?

Ktheu menjëherë kokën. Ishte Kristiani. E dinte që s'duhej të ndihej në atë lloj mënyre, por për herë të parë që kur e shikoi, u ndje e sigurt në prani të tij, e kuptoi se askush s'do mund ta prekte nëse do qëndronte me të.

U ngrit në këmbë e lodhur dhe shkurtoi atë pak distancë që kishte me të duke e përqafuar fort ndërsa qante. Lotët iu shtuan më shumë. Ai e bënte të mendonte se sa budallaqe kishte qenë që ishte larguar, sa budallaqe që kishte tentuar të arratisej, e bënte të ndihej akoma më keq, por të paktën i falte siguri.

E ndiente hutimin e tij në çdo frymëmarrje që ai merrte, në çdo lëvizje të vogël që ai bënte. Krahët e tij e rrethuan dalëngadalë. Ndjeu ngrohtësinë e trupit të tij në të sajin, por kurrë nuk arriti të ngrohte dot plotësisht shpirtin e saj gjatë atij përqafimi.

- Futu në makinë, - i pëshpëriti ai në vesh, as butësisht, por as ftohtë. Ishte një zë pa ndjenjë, që s'dinte se në cilën anë të shkonte. S'ishte i sigurt si të sillej.

Gjatë rrugës për në shtëpi ai s'foli fare. Dëgjoheshin vetëm të qarat e saj që përpiqej t'i bënte sa më të heshtura të mundej, gjë që s'arriti ta bënte dot.
I ndihej mirënjohëse që s'po e pyeste për asgjë në lidhje me atë që kishte ndodhur. Nuk ishte gati t'ia tregonte. S'mundej.

Shtëpia iu duk më mikpritëse se herët e tjera, më e ngrohtë. Hyri brenda me një dëshirë që s'e kishte pasur ndonjëherë më parë. Do të donte të ishte kështu që në fillim, ndryshe asgjë e keqe s'do kishte ndodhur.

Qëndroi pranë Kristianit kur hynë në shtëpi; frikësohej po të qëndronte vetëm.
U drejtuan së bashku për në katin e dytë, por ai nuk e çoi te dhoma e saj. Hapi derën e dhomës së tij dhe la vend mjaftueshëm për të që të hynte. Ajo hyri brenda duke ndjerë trupin t'i dridhej akoma e u ul plot ndrojtje në krevat. Kokën e mbajti ulur.
Kristiani mbylli derën lehtë e i shkoi asaj pranë. Qetësia e tij po e çudiste, po e ndëshkonte.

- Çfarë të ka ndodhur? - zëri i tij, këtë herë me nota pak të rrepta e tepër burrëror, e bëri të mblidhej akoma më shumë, të dukej më e pambrojtur, më e frikësuar.

Ai e kuptoi menjëherë gabimin që bëri, por ishte e qartë kristal që e kishte të vështirë të fliste me të butë.
I ngriti mjekrën lehtë, duke dashur të ishte në kontakt të vazhdueshëm me sytë e saj. Sytë ngjyrë kafe të ëmbël i kishte të mbushur me lotë që gjenin rrugën e tyre nëpër faqe.

- Çfarë ka ndodhur? - përsëriti me zë të ulët.

Ajo lëvizi dorën lehtë për te shpatulla e saj. Uli pak bluzën me dorën që tundej lehtë andej-këndej e sytë e tij shkuan menjëherë atje ku ajo dëshironte që ai të shihte. Ishte një shenjë e vogël lejla, që mashkulli i mëparshëm ia kishte lënë atje kur përdorte trupin e saj.

Nofullat e tij u shtrënguan duke marrë një formë më mashkullore. Damari në qafë iu fry lehtë prej inatit. Sytë iu ngrysën nga pakënaqësia.

- Hiqe bluzën.

Në hezitim, ngriti bluzën e saj sipër e më pas e hoqi të gjithën, duke qëndruar përballë tij vetëm me reçipeta. U ndie në siklet, por kurrë aq sa ç'u ndje në krahët e mashkullit tjetër.

Ai analizoi të gjithë trupin e saj. Vështroi me ngulm të gjitha shenjat që i panjohuri i kishte lënë Lianës në trup. Afroi dorën e tij e preku krahun e saj pa ushtruar forcë aq sa ta lëndonte. Lëvizi dorën në barkun e saj e ajo u drodh lehtë. Ai ia preku të gjitha shenjat pa folur, i pa të gjitha teksa merrte frymë me shpejtësi duke dashur të fshihte inatin. Pa edhe sytë e saj të fryrë e të kuq prej të qarave të shumta. Ç'ndiente vallë? Mëshirë? Keqardhje?
Dora e tij e ngrohtë, tashmë e larguar nga trupi i saj, ishte mbledhur grusht.

- Kush ta bëri këtë gjë?

Ngriti kokën e vështroi në sytë e tij që shprehnin gjithë urrejtjen e botës.

- Njëfarë Maksi, - iu përgjigj duke kujtuar emrin e djalit me dhimbje. E mbante mend momentin kur ai i kërkonte asaj të thoshte emrin e tij. E mbante mend e s'do donte ta kujtonte.

- Te hoteli?

Pohoi me kokë e lodhur.

- Mos u largo prej dhomës. Qëndro këtu, - i tha ai para se të largohej.

Doli prej dhomës me furi e përplasi derën me forcë. Ç'donte të bënte këtë herë? Ç'i kishte shkrepur në mendje?

Art i errësirës Where stories live. Discover now