Lianën në krevatin e tij e zuri gjumi shpejt, por Kristianin jo. Ai kishte frikë të flinte, se e dinte që kujtimet do t'i shfaqeshin më fuqishëm se më parë. Ishte përpjekur aq shumë gjatë atyre viteve që të harronte, kishte ndryshuar edhe veten, por plagët e së shkuarës nuk mbyllen kurrë, vetëm se burgosen në një kuti harrese që ti e mban të mbyllur me forcë e kurrsesi s'e lejon të hapet, qoftë edhe për pak.
Ndjeu trupin e saj të lëvizte e një dorë e ngrohtë ia preku kurrizin butësisht. U kthye ngadalë. Ajo dukej sikur kërkonte të mbrohej; i ishte afruar Kristianit fare pranë e qëndronte atje e mbledhur.
E vështroi me sy pa shprehje e duke u treguar tepër i ngurtë. Qëndroi po ashtu edhe kur ajo iu afrua më tepër e vendosi kokën e saj në qafën e tij ndërkohë që dorën ia mbante në kraharorin e zbuluar. Ndjeu kraharorin t'i digjte prej prekjes së saj dhe mori frymë thellë. Ndihej çuditshëm. S'ishte mësuar të flinte në atë mënyrë.Largoi atë prej trupit të tij e pastaj u ngrit prej shtratit i lodhur. E ndiente veten të dobët e s'dinte ku ta gjente energjinë për t'u ndier më mirë, por e dinte se do pësonte ndryshim të mirë qoftë edhe po të largohej prej asaj shtëpie.
U vesh në qetësi, pa zhurmë, pastaj doli nga shtëpia si hije, si dikush që kërkon të mos duket, si dikush që kërkon të shpëtojë prej hijeve që e ndjekin.***
Kur u zgjua disa orë më vonë, e gjeti shtratin bosh. Kristiani ishte larguar. Vendosi njërën dorë para fytyrës e dëshpëruar. E dinte se ai tashmë do bënte çdo gjë për ta shmangur atë. Ndoshta donte të harronte natën e mbrëmshme duke shkuar për të bërë qejf me Meganin.
Shkoi në dhomën e saj, shplau fytyrën me ujë të ftohtë brisk për t'u kthjelluar, lau dhëmbët, u vesh me rrobat më të trasha të mundshme në mënyrë që t'i rezistonte të ftohtit dhe doli prej dhomës. Nuk deshi t'i hidhte sytë në shkallët e katit të tretë; kujtimet i kishte akoma të freskëta.
Në dhomën e ndenjjes gjeti Lilin, që po pastronte orenditë e shtrenjta.- E ke parë gjë Kristianin? - e pyeti nxitimthi.
- Jo, kur u zgjova nuk kishte asnjë shenjë të tij. Mendova mos ishte duke fjetur.
Psherëtiu e trishtuar.
- Mëngjesi është gati. Eja të hash.
- Jo, faleminderit, por s'kam uri.
- Mesa duket Kristiani as që ka provuar të të ndihmojë të ndihesh më mirë.
Por si mundej ta bënte ai diçka të tillë, kur ishte ai që në fakt kishte vërtet nevojë për t'u ndier ndryshe, më i gjallëruar? A mundet ta ndihmojë një njeri i thyer një person tjetër që është në po të njëjtën gjendje?
- Bëri aq sa mundi.
- Por jo aq sa duhej.
- Aq sa e lejova unë, - iu përgjigj me zë të ulët e të pasigurt.
Shkoi përsëri në dhomën e saj e po qëndronte ulur te dritarja. Priste të shihte makinën e tij të zezë t'i afrohej shtëpisë, por ajo gjë po vononte shumë. Kaluan orë dhe ajo qëndronte akoma duke vështruar. Shiu i madh që po binte e bënte të ndihej më e mërzitur se ç'ishte në të vërtetë.
Mori telefonin dhe e çoi te kontaktet. Shtypi mbi emrin e tij e po priste me durim që ai t'i përgjigjej. Por asgjë. Dukej sikur atë e kishte përpirë dheu brenda atyre orëve.Shqetësohej për Kristianin më shumë se ç'do dëshironte të bënte, por s'e ndalonte dot veten, ishte diçka që i ndodhte natyrshëm.
U shtri në krevat dhe e mori përsëri në telefon. Zilja ndaloi. Sa do të fliste e gëzuar, por gjithë entuziasmin ia ndërpreu zëri në anën tjetër.
- Po? - ishte Megani.
Iu desh pak kohë të kuptonte se çfarë po ndiente. Duhej të ishte trishtim i përzier me zhgënjimin. Përmbante disa pika inati që i pikonin drejt e në zemër. Ajo shqetësohej për të dhe ai ç'bënte? Gjente ngushëllim te dikush tjetër, te disa prekje më të ngrohta se të sajat, te disa fjalë më të ëmbla se ç'mund të dilnin prej gojës së saj. S'e kuptoi se pse u lëndua kur edhe vetë e dinte se diçka e tillë mund të ndodhte.
E mbylli telefonin pa pikë fuqie. Zhurma e pikave të shiut i ushtonte ndër veshë. U mblodh e gjitha kruspull prej të ftohtit dhe ndjeu një lot t'i rridhte ngadalë në faqe.
Jashtë po fillonte të errej dhe shiu vazhdonte të binte. Ashtu si jeta që vetëm ecën dhe dhimbja që e shoqëron atë. I ftohti vazhdonte ta torturonte akoma. Dhe ai s'po kthehej...
Atë natë e priti shumë. I shkoi edhe në dhomë me mendimin se kur ai të kthehej s'do mundej ta shmangte bisedën me të. Gjatë mesit të natës e zuri gjumi me shpresën se ai do shfaqej në dhomë kur ajo të zgjohej. Prej maktheve u zgjua, por akoma ishte e vetme, s'dinte ku të gjente një pikë mbështetjeje.
Në mëngjes shkoi përsëri te dhoma e saj. Ishte përsëri e njëjta rutinë; shplau fytyrën me ujë të ftohtë së bashku me dhëmbët, bëri edhe një dush të ngrohtë për t'u relaksuar dhe shkoi te dritarja për të vështruar jashtë.
E mori në telefon edhe disa herë të tjera Kristianin. Ai s'iu përgjigj, por të paktën u ndie mirë që s'doli Megani ashtu si herën e parë. Sa thirrje të humbura kishte në telefonin e tij? Në fund të ditës ishin bërë dhjetë. Po sikur t'i kishte ndodhur diçka vetëm për faj të saj?- Ke nevojë për ndonjë gjë? - pyeti Lili kur hyri në dhomën e Lianës pasi kishte trokitur.
- Jo, faleminderit, - ndenji pak pa folur. - Ke dëgjuar ndonjë gjë nga Kristiani? - i tha pas disa çastesh heshtjeje.
Lili shkundi kokën në shenjë mohimi, ndërsa Liana uli kokën e dëshpëruar. Ai s'do të vinte. As atë natë jo.
Shiu ndërkohë vazhdonte të binte.
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...