35

1.5K 107 25
                                    

U zgjua orë më vonë, atëherë kur kishte filluar të errej dhe mendoi me vete e dëshpëruar se ç'dreq do të bënte gjithë natën zgjuar.
Kristiani ishte pranë saj. Përsëri e kishte zënë gjumi me të.

Buzëqeshi tek e vështronte dhe më pas u ngrit ngadalë që aty. Gjeti tualetin që ishte në dhomën tjetër, shplau sytë me ujë të ftohtë për të ardhur në vete, lau edhe dhëmbët me të shpejtë e kur mbaroi, doli kurioze prej dhomës për të vështruar pjesën tjetër të shtëpisë.

Iu bë qejfi kur nuk u ndesh me mure të zeza si të shtëpisë tjetër. Aty çdo gjë dukej ndryshe. Nuk kishte objekte tepër antike nga ato që të bëjnë të mendohesh se çfarë shprehin, s'kishte as shumë dhoma që të të ngatërronin e të të bënin lëmsh, as korridore të gjatë e të errët. Dukej bukur me atë thjeshtësine e vet që kishte.

Mori dhomat me radhë, por s'po shihte askënd e meqë s'kishte ç'bënte, hodhi krahëve një xhup të Kristianit që e gjeti në një karrige dhe pastaj doli jashtë.
Aty bora iu duk më e bukur se ç'i ishte dukur herët e tjera. Kishte një shkëlqim të këndshëm dhe ajo në ato momente kujtoi me mall ditën me borë kur ishte njohur me Arlon. Diçka i kërciti brenda në zemër, ashtu siç i ndodhte gjithmonë kur çonte atë ndër mend.

Filloi të ecte qetësisht duke marrë frymë thellë për të thithur ajrin e pastër dhe kënaqej kur shikonte flokët e dëborës që binin ngadalë në tokë.

Duke ecur paqësisht, dëgjoi disa hapa që po i afroheshin. Zhurma që krijohej kur dëbora shkelej, e relaksonte jashtë mase.

-Do të të thosha që mund të ftohesh, por shoh se i paske marrë masat, - dëgjoi zërin e Kristianit e buzëqeshi lehtë.

Ktheu kokën nga ai dhe vështroi atë që po nënqeshte. Nuk i tha gjë, vetëm priti për të që të ishin të dy në të njëjtin hap e pastaj të ecnin qetësisht.

-Këtu qenka bukur. Bëmë mirë që erdhëm.

-Çmenduri që s'kemi ardhur më parë. Do ndiheshe shumë herë më mirë.

Ai e vështroi drejt e në sy e ajo ashtu në errësirë dalloi sytë e tij të shndrisnin. E vështroi për pak sekonda, pastaj lëvizi kokën ngadalë dhe shikoi tutje.

-Nuk ka gjë, të paktën erdhëm tani, - i tha duke shkundur supet. -Është e sigurt se do ndihem më mirë se te shtëpia tjetër.

Ajo ishte gjëja më e sigurt që mund të ndodhte. Humori i ndryshonte shpejt kur qëndronte në ndonjë vend që i pëlqente. Shpresonte të qëndronin aty për një kohë të gjatë, por e dinte se Kristiani vetëm disa ditë më vonë do fillonte të nxirrte ndonjë arsye për t'u larguar.

-Përse nuk qëndrojmë këtu? Përgjithmonë?

-S'mundem. Kam punën te qyteti tjetër.

-E nëse s'do ta kishe? Kam përshtypjen se atje do qëndroje përsëri.

Ai shfryu lehtë duke mos dashur të fliste më. Frikësohej se do ta lëndonte me fjalët e nxjerra prej gojës.

-Gjithsesi faleminderit edhe për kaq, - nxitoi ajo të thoshte me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë. S'kishte dëshirë t'ia prishte humorin.

Kristiani s'mundi të mos nënqeshte lehtë prej veprimit të saj.
Buzëqeshja ishte veshja më e bukur që ai mund të vendoste në fytyrë. Ishte mëkat që ajo buzëqeshje shpesh varrosej prej ftohtësisë së tij, varrosej diku në ndonjë cep të errët të mendjes, atje ku të tjerët s'mund ta shihnin.

Ngriti kokën për të vështruar borën që binte butësisht në tokë. Kishte kohë që s'ishte ndier e gjallë si në ato momente, kohë që s'e ndiente shpirtin të thithte pak jetë.

Art i errësirës Where stories live. Discover now