Rrëfimi i tij e bëri të ndiente një dhimbje të thellë në kraharor. I dhembi tek krijonte në mendjen e saj skenarë të së shkuarës së tij, i dhembi të mendonte një fëmijë teksa përjetonte gjithë ato ngjarje.
E përqafoi fort ndërkohë që qante pa zë. Ndihej e pafuqishme. E dinte se asgjë në botë s'do ta mbyste ndjenjën e pendimit te Kristiani, e kuptoi se sado kohë të kalonte, ai përsëri s'do t'i harronte ato që kishin ndodhur. Sigurisht, koha ecën, kujtimet bëhen më të vagullta, dhimbja edhe mund të zbutet, po boshllëku që ndien në zemër çdo herë kur kujton të shkuarën, nuk ndryshon asnjëherë.
Ai u shkëput ngadalë prej saj e i buzëqeshi. Fshiu me dorën e tij lotët në fytyrën e Lianës ndërkohë që po merrte veten prej atij lëmshi ndjenjash që kishte krijuar.
-Mos u mërzit. Çdo gjë ka kaluar, tashmë gjërat janë në rregull.
S'e kuptoi shpërthimin e saj aq të menjëhershëm. Ndoshta ato fjalë kishte kohë që dëshironte t'ia thoshte atij, ndoshta i kishte mbajtur gjithmonë përbrenda e më s'mund t'i mbante.
-Në rregull?! Në rregull edhe pse ti gjithmonë heq dorë prej lumturisë vetëm për shkak të dhimbjes të së shkuarës? Në rregull edhe pse s'e lejon veten të jesh i lumtur? Më trego se je i kënaqur me jetën që jeton. Shiko botën në sy e pastaj më thuaj mua se je mirë.
Ai heshti duke e vështruar, nuk e pengoi të fliste. Dukej sikur e dinte se fjalët e saj ishin të vërteta.
-Edhe unë humba nënën time, edhe unë nuk doja të jetoja. Dihet, është më e lehtë të mbyllësh sytë e të vdesësh sesa të jetosh me dhimbje në zemër. Por kuptova se edhe pse doja të mos ndieja dhimbje, isha pikërisht unë që nuk e lija atë të ikte. Mendoja se nëse ndihesha e lumtur, do largoja dashurinë për të, do ia harroja fytyrën, zërin, përkëdheljet. Por ajo nuk do donte kurrë të më shihte në atë gjendje. Nuk do donte të më shihte duke qarë përditë e duke tentuar të vetëvritem. E di, e kuptova shumë vonë këtë gjë, por më në fund ndihem e lirë. Njeriu nuk jeton dot duke u burgosur në të shkuarën Kristian. Ti më ndihmove, më dhe forcë të lë pas gjithçka që s'mund ta ndryshoj. Lëre edhe ti dhimbjen tënde, ndoshta ashtu jetojmë të lumtur.
I dha një vështrim të fundit të përlotur e një buzëqeshje që mezor e krijoi para se t'ia kapte duart, t'i linte një puthje të vogël e të ngrihej për ta lënë të qetësohej. Kishte nevojë të qëndronte vetëm, e kuptonte.
-Hej, ç'ka ndodhur? - dëgjoi zërin e Lilit kur u fut brenda shtëpisë.
U kthye nga ajo pa i bërë përshtypje se sytë i kishte akoma të skuqur dhe faqet akoma të njoma prej lotëve.
-Asgjë e keqe. Thjesht një bisedë e vogël me Kristianin.
-Të mërziti përsëri?
-Ndoshta e mërzita unë këtë herë.
-Ndonjë gjë serioze?
-Jo, asgjë.
U ul në kolltukun e dhomës së ndenjies dhe mori frymë thellë. Nuk deshi ta ngacmonte Lilin për punën e Kleos. Donte thjesht që Kristiani të ndryshonte mendim lidhur me ndjenjat e veta, lidhur me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Nëse ai nuk ndryshonte tani, nuk do mundej kurrë të ndryshonte në të ardhmen.
Por ajo s'mund të jetonte pa të, s'mund të duronte dot edhe një ndarje tjetër, se tashmë Kristiani kishte zënë një vend unik në zemrën e saj.-E ke parë Klaudion?
-Po, është në katin e dytë.
Ngjiti shkallët me nxitim. Me Klaudion u përplas te shkallët e fundit.
-Oh, më fal, e kisha me të shpejtë, s'të vura re.
-S'ka problem. Të nevojitet ndonjë gjë?
-Desha të flisnin pak. Ke kohë?
-Po, sigurisht.
Ngjiti edhe ato pak shkallë që i kishin ngelur e shkoi te një dhomë së bashku me të. Mbylli derën pas vetes, s'donte që Kristiani të dëgjonte bisedën e tyre nëse i rastiste të vinte aty rrotull.
-Kristiani më tha se prindërit e tij kanë vdekur, po jam e interesuar të di nëse personat që ia vranë prindërit janë gjallë akoma. Ke dëgjuar gjë rreth tyre?
-Jo, personat që pyeta s'dinin gjë. Do kontrolloj edhe njëherë tjetër, ndoshta gjej dikë që di diçka.
-Po Kristiani s'ka ndonjë të afërm me të cilin shoqërohet shpesh? Besoj se me dikë duhet të ketë folur.
-Kurrë s'e kam parë të shoqërohet me njerëz. Ai s'para e pëlqen shoqërinë.
Shfryu e mërzitur. Do ta kishte më të lehtë me të sikur ai të ishte tip më i afrueshëm.
-Ndoshta Kleo... Ai mund të ketë folur me ndonjë para se të ndërronte jetë.
-Ai ishte më keq se i vëllai. Ishte dyfish më i ftohtë sesa është Kristiani tani, - i tha Klaudio e ajo s'mund ta imagjinonte dot se si mund të ishte Kleo, se Kristiani i dukej sikur ishte në nivelin më të lartë të ftohtësisë.
Shfryu përsëri. Mos ishin gjë si fis të ftohtë ata?
-Do të të isha mirënjohëse nëse merr vesh diçka rreth vrasësve.
-Çfarë do bësh nëse ata janë gjallë?
-S'e di. Nga njëra anë më duket çudi që ata të jenë gjallë. S'ma merr mendja se Kristiani do qëndronte kaq qetë po ta dinte se vrasësit endeshin diku.
-Ai gjithmonë i qetë ka qëndruar edhe kur gjërat janë kthyer përmbys. Mos e shiko atë anën e tij shpesh shpërthyese, në shumicën e rasteve është gjakftohtë.
-Gjithsesi, më informo nëse merr vesh ndonjë gjë rreth tyre. Vetëm mos e hap këtë temë në prani të Kristianit, me shumë mundësi ai s'do ta presë mirë.
-Në rregull.
Buzëqeshi lehtë e pastaj u largua prej dhomës. Zbriti shkallët ngadalë teksa mendonte për fjalët e Kristianit e të Klaudios. Gjërat ishin të ngatërruara. Nëse përfshihej në to, të paktën shpresonte që të mos i bënte lëmsh më tepër se ç'ishin.
Kristiani nuk ndodhej në dhomën e ndenjies. Me shumë mundësi ishte akoma jashtë, duke shpresuar që i ftohti t'ia ngrinte përsëri ndjenjat, t'ia hiqte mendimet negative e t'i linte vetëm ato të qetat.
Ndjeu një dëshirë të papërshkrueshme që të ndryshonin rrënjësisht të dy, të shihnin vetëm të tashmen, të mos kapeshin pas vuajtjeve dhe së ardhmes. U betua se do ta vazhdonte ndryshimin e mirë që kishte nisur, se jeta s'mund të shtyhej në atë mënyrë të tillë. S'mund të jetohej duke mos e dashur. Do ta ndryshonte edhe mendimin e Kristianit. Do ndryshonin së bashku.
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...