24

1.6K 123 44
                                    

- Nuk largohem që këtu pa folur me Lianën, - konstatoi Arlo ashpër duke shtrënguar dhëmbët për të ekuilibruar inatin.

Dhe Kristiani ndërkohë po çmendej. Deri para disa orësh i ishte dashur të dëgjonte Lianën teksa e detyronte t'i hapte derën që të shihte Arlon, ndërsa tani që në pikë të mëngjesit po prishte terezinë me tekat e tij.

- Jo më shumë se pesë minuta, - ia preu i dorëzuar. -Por s'do jeni vetëm, ta kesh të qartë.

Në zë i ndihej lodhja. Kishte qëndruar gjithë natën zgjuar, s'kishte mundur të vinte gjumë në sy pranë Lianës. I dukej sikur ishte shtrirë në shtrat me makthin më të sigurt të mundshëm. Ishte i pashpjegueshëm fakti që ajo arrinte t'ia ngjallte kujtimet e së shkuarës pa qenë nevoja t'ia përmendte fare.

Arlo pohoi me kokë e u drejtuan në dhomën e Kristianit që s'ishte më e mbyllur. Liana i kishte premtuar se nuk do dilte prej dhomës; ishte zgjuar çuditshëm atë mëngjes.
E gjetën atë duke vështruar nga dritarja motin e mjegulluar. Ktheu kokën kur ndjeu derën që u hap.

Kishte menduar se ajo do shkonte ta përqafonte direkt Arlon, por si për çudi s'bëri asnjë lëvizje. E la Kristianin të hutohej.
Përveç një gjysmë buzëqeshjeje, në fytyrën e saj s'dallohej ndonjë shenjë tjetër lumturie. Arlo ose s'e vuri re, ose s'deshi ta vinte, ose ishte aq i zoti sa të mund ta fshihte faktin se kishte vënë re gjithçka. Duhej të ishte e dyta me shumë mundësi. Ashtu siç të gjithë të dashuruarit bëjnë, apo jo?

Ata të dy u ulën në një kolltuk dysh që ishte aty në dhomë, ndërkohë që Kristiani preferoi të qëndronte mbështetur te dera e hapur duke i vështruar imtësisht. Ndiqte çdo shprehi në fytyrat e atyre të dyve, a thua se kishte frikë mos i shpëtonte ndonjë gjë.

- Dëshira jote ishte që të martoheshe me këtë? - foli ai për Kristianin si të fliste për ndonjë gjë të keqe. Ky i fundit e vështroi i bezdisur.

- Jo, ti e di që babi me Nensin gjithmonë e kanë pasur atë dëshirën që të bëjnë gjëra pa më pyetur mua.

Arlo e vështroi i mërzitur. S'i kishin pëlqyer asnjëherë prindërit e saj, ishin shumë të dhënë mbas parasë, luksit, shtirjes. Liana s'ishte si ta.

Për pak momente ajo nuk tha ndonjë gjë, vetëm sa për të shtyrë kohën po luante me mëngën e gjerë të bluzës që kishte veshur.

Pesë vite. Pesë vite kishin kaluar që kur e kishte parë Arlon për herë të fundit dhe e mbante mend fare mirë kur ai i kishte thënë se një ditë do të kthehej përsëri. Sikur ai të mos largohej atë ditë për të shkuar në një vend tjetër për punë, ata do ishin akoma të lidhur, të dashuruar marrëzisht pas njëri-tjetrit, ndoshta edhe të martuar. Ai i kishte premtuar se do ta bënte atë të lumtur kur të kthehej, do ta bënte të përjetonte të gjitha çastet e bukura që mund të ekzistonin. Dhe ajo e urrente veten që tashmë ndjenjat e saj për Arlon po ndryshonin, e urrente që ai vazhdonte ta donte si i çmendur. Ajo s'mund ta donte më ashtu. Po përpiqej, po detyronte trup e mendje e zemër ta donin njëjtë si dikur, por s'mundej.

Nuk po dinte ç'të thoshte. Arlo e vuri re sikletin e saj e buzëqeshi ngadalë duke e përqafuar. I pëshpëriti në vesh se do ta shpëtonte nga Kristiani, se do qëndronin përsëri bashkë. Deshi të gëzohej. Kjo ishte ajo që kishte dashur gjithmonë, apo jo? Ajo për të cilën kishte luftuar me kohë.

Sforcoi një buzëqeshje perfekte kur ai u shkëput prej saj e sytë e tyre u ndeshën, por zemra iu thye kur ai e puthi ngadalë në buzë, ashtu si dikur, ëmbël, madje pa e prishur terezinë prej pranisë së Kristianit.

Priste të dëgjonte një Kristian të inatosur të fliste, por s'i dëgjoi as zërin, as hapat e tij. S'e kishte kuptuar që Kristiani, pas gjithë asaj kohe që ishte marrë me fshehjen e ndjenjave të veta, arrinte ta kuptonte dikë tjetër kur përpiqej të bënte të njëjtën gjë. E kishte kuptuar dyzimin e saj, e kishte vënë re në çdo lëvizje që ajo bënte e tashmë donte ta shihte si do reagonte, ndonëse me thënë të drejtën, ajo që po shihte s'i dukej gjë e bukur për t'u parë.

Liana e largoi butësisht Arlon duke shtyrë kraharorin e tij lehtazi. I dukej sikur po e tradhëtonte dhe për këtë i thyhej zemra. Ai ishte sjellë aq mirë me të.
I buzëqeshi ëmbëlsisht, duke sjellë kujtime të bukura në mendjet e të dyve.

-Mirupafshim Liana, - i pëshpëriti ai duke ia përkëdhelur flokët dhe u ngrit nga kolltuku për t'u larguar nga dhoma.

Tashmë qe vetëm me Kristianin. Ai nënqeshi kur sytë e të dyve u takuan.

- Ti nuk e do më Arlon, - i tha me zë të qetë, ku s'u kuptua nëse shprehte gëzim apo ndonjë ndjenjë tjetër.

Fjalët e tij e vranë. Do të donte të mos kishte folur. E bëri të kuptonte edhe vetë plotësisht se tashmë ndjenjat për Arlon ishin zhdukur, por donte ta mohonte përsëri, t'ia mohonte vetes, t'ia mohonte atij.

- S'është e vërtetë, - zëri iu drodh e teksa fliste u ngrit nga kolltuku duke vendosur duart përballë fytyrës. - S'është e vërtetë, - përsëriti për të dytën herë e dëshpëruar.

Fytyra e tij shprehu pakënaqësi. E kapi nga krahu e ajo ndaloi së bëri ecejake. Sytë e saj me lot u ndeshën me sytë e tij të ftohtë.

Ai përkëdheli fytyrën e saj me dorë ndërkohë që i afrohej më tepër. Liana mbylli sytë duke dashur të luftonte dëshirën për ta pasur atë më pranë, por i doli krejt e kundërta.
Vendosi gishtin në buzët e saj paksa të hapura dhe e lëvizi ngadalë. Pastaj e puthi, por jo si herët e tjera. Ishte një puthje sipërfaqësore, një puthje që të linte të kërkoje më tepër, një puthje që thjesht përkëdhelte buzët, jo shpirtin.

- Nuk e do më atë, Liana, - i pëshpëriti pastaj në vesh me një buzëqeshje në fytyrë, si të donte ta bënte të besonte fjalët e tij, se ajo ishte e vetmja e vërtetë absolute.

Ajo s'foli. S'mundej. Ndoshta e kuptoi se ndjenjat që përpiqej të fshihte më shumë, do të ishin gjithmonë më transparentet.

Art i errësirës Where stories live. Discover now