14

1.6K 120 53
                                    

Në korridor dëgjoi hapa. Shtrëngoi letrën në dorën që e bëri grusht e instiktivisht u kthye për të parë nga korridori.
E frikësuar, mori shpejt një shkop bejsbolli që me shumë mundësi Kristiani dikur kishte luajtur me të dhe u fsheh mbrapa derës.

Lili s'kishte gënjyer kur kishte thënë se do t'i thoshte Kristianit. Ai tashmë gjendej aty, disa hapa larg saj, me shumë mundësi i xhindosur që ajo kishte thyer rregullin e tij më të rëndësishëm në atë shtëpi.

  - Liana, - dëgjoi zërin e tij të thellë dhe e ndjeu që ai ndaloi te dera. Nuk kishte asnjë grimcë inati në zërin e tij; dukej i lënduar. - E di që je këtu, - tha me një pëshpërimë tepër të dobët dhe bëri një hap tjetër me hezitim brenda dhomës.

Kur arriti ta shihte, e goditi në qafë me shkopin që mbante në dorë, por jo fort, s'donte ta lëndonte, thjesht donte ta shpërqëndronte që më pas të largohej.

Doli mbrapa tij me të shpejtë e po ecte e frikësuar në atë korridor të tmerrshëm. Donte të dilte sa më parë që aty, donte të merrte ajër, por më shumë se të gjitha do donte që e gjithë ajo që kishte parë të mos ishte e vërtetë.
Zbriti shkallët si të ishte duke vrapuar dhe s'e kuptoi se si s'u rrëzua në to. Hapi derën që të dilte jashtë dhe kur u ndesh me ajrin e pastër, e kuptoi se ç'do të thoshte të ndiheshe aq keq sa të doje të merrje frymë përsëri si më parë.

Filloi të lëvizte kokën me të shpejtë për të parë ndonjë vend ku të fshihej. Dëgjoi përsëri hapat e qetë të Kristianit e u tremb nga qetësia e tij.
Doli mbrapa shtëpisë ku gjeti një  kopsht në formë labirinti. Drita e zbehtë që vinte që para shtëpisë s'e ndihmonte shumë, por ndoshta sytë do t'i mësoheshin me errësirën, ndoshta do të mund të gjente ndonjë vend të përshtatshëm atje brenda për t'u qetësuar.

  - Do humbasësh po shkove atje.

Ai qëndronte vetëm pak hapa larg. Zemra gati sa s'i ndaloi kur e pa të ishte aq pranë saj. Bëri hapa mbrapa, shkundi kokën duke mohuar e duke dihatur u fut brenda në atë lloj labirinti.
U pengua shumë herë, dy-tre herë edhe u rrëzua, por ngrihej përsëri duke vazhduar të qante. I dukej sikur aty në errësirë filloi të dallonte gjak. Mendja po i punonte rrengje të padëshiruara dhe të frikshme. U ul në tokë e shtrëngoi kokën fort me duar. Kudo i shfaqej gjak. Dëgjonte të bërtitura, kërkesa për ndihmë. Koka po i pëlciste. Shikoi dy persona të vdekur dhe një fëmijë të vogël të tronditur. Mendja s'pushonte dot duke krijuar versione të ndryshme te vrasjeve, ajo vetëm punonte e punonte pa u lodhur.
Për një çast çdo gjë pushoi. Por më pas filluan kujtimet.

Disa ilaçe gjendeshin të përhapura në dhomë dhe kjo e fundit ishte e gjitha rrëmujë. Rrobat ishin të shpërndara kudo, jastëku dhe mbulesat e krevatit gjendeshin të prerë me gërshërë në tokë. Librat ishin të shkalafitur plotësisht; faqe të grisura gjeje kudo që shkoje. Dhe aty pranë gjendej një person i rrënuar duke qarë.

Goditi kokën lehtë me dorë për të ndaluar kujtimet, pa dashur të kthehej sërish në të shkuarën e saj që me ngulm kërkonte ta mbante tutje vetes.

Një dorë e preku në sup duke e shkundur. Hapi sytë nxitimthi.

  - Liana, qetësohu.

Duart e tij ishin të vendosura të dyja në fytyrën e saj e ia largoi flokët që i ishin ngjitur në faqet e lagura.

E përqafoi fort pas vetes duke e shtrënguar pa e kuptuar. Ngjeshi kokën në qafën e tij e po mbytej në të qara.
Gjatë jetës e kishin përndjekur kujtimet e këqija, por kurrë s'kishte qenë aq keq sa atë ditë.

  - Më vjen keq Kristian. Më vjen keq për të gjitha, - i tha duke ndaluar disa herë prej të qarave.

Ai s'iu përgjigj dhe ajo e përqafoi akoma më shumë. Edhe në atë gjendje që ishte donte që ai t'i thoshte diçka, s'kishte rëndësi nëse i bërtiste, vetëm mjaftonte t'i thoshte diçka, por ajo s'ia kishte idenë se dhimbja e tij ishte sa e sa herë më e madhe se e saja e ai përsëri s'bënte zë. S'e dinte ajo se Kristianin e kishin goditur përsëri të gjitha kujtimet sapo kishte çekur në korridorin e katit të tretë e s'ia merrte mendja se ai ishte përpjekur me vite i vetëm për t'i larguar ato kujtime, ato ngjarje prej mendjes, por që i ishin kthyer vetëm brenda një çasti të vetëm. Lufto sa të duash kundër diçkaje, mohoje me vite, mos e shiko, mos iu afro, mos e ndje, por mjafton vetëm një shikim që të të bëjë të ndihesh në mënyrën që për shumë vite je munduar ta varrosësh. Ndjenjat s'varrosen kurrë, ato vetëm sa presin radhën e tyre.

U shkëput nga përqafimi i tij e u ngrit me këmbët që i dridheshin. Ai bëri të njëjtën gjë.

  - Më bërtit! Çfarë pret? - e pyeti me zërin e dobët teksa sytë i digjnin nga lotët. - Më bërtit që të më zhduket kjo ndjenjë faji që kam këtu!

Goditi gjoksin me dorë aty ku i ndodhej zemra. Dora i dridhej për dreq, i gjithë trupi i dridhej.
Në natën e errët s'e dallonte dot fytyrën e tij, por do të donte ta bënte. Donte t'i shihte ndonjë grimë inati kundrejt saj. Mjaftonte edhe aq pak gjë që ta bënte të ndihej më mirë në një mënyrë të çuditshme.

  - Hajde pra! - përsëriti duke e goditur në shpatull pa shumë forcë. - Më godit po të duash! Vetëm bëj diçka!

Ai iu afrua ngadalë. Fytyrën e tij e vendosi shumë pranë të sajës në mënyrë krejt konfuzuese. Iu duk se pa diçka që fekste dobët në sytë e tij, diçka që ndriçonte dëshpërimthi. Mos ndoshta po qante? Aq shumë ta kishte lënduar?
Bëri një hap mbrapa vetes duke shkundur kokën sa nga njëra anë në tjetrën.

  - Më fal. S'desha që puna të shkonte deri në këtë pikë, - tha me zë të rrënuar.
U mbështet te gjëja më e afërt që gjeti për të mos u lëshuar në tokë.

Pati heshtje të gjatë midis tyre. Kristiani ia kapi dorën butë dhe e udhëhoqi drejt daljes së atij labirinti. S'kishte nevojë për dritë; mendja s'mund t'i harrojë kollaj kalimet e fshehta që dikur të kanë shpëtuar jetën. Po tani? Pse s'po e shpëtonin nga kujtimet? Deri në ç'pikë mund të lidhet njeriu me ato që ka kaluar?

Art i errësirës Where stories live. Discover now