10

1.9K 131 45
                                    

Nuk mund të flinte dot vetëm. Donte me patjetër prezencën e dikujt tjetër, mjaft që të mos qëndronte e vetme në atë dhomë të errët. Përpiqej të flinte, por çdo herë kur mbyllte sytë, i shfaqej momenti kur Maksi përfitoi prej saj. Donte të ndihej e sigurt. Nuk i interesonte se sa i keq kishte qenë Kristiani me të, s'i interesonte që për shkak të tij qau shumë net me radhë, nuk i interesonte fakti që ai kishte abuzuar me të, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Kishte frikë. Dhe ai ishte i vetmi person në të cilin gjente pakëz siguri. Njeriu për të gjetur siguri arrin në atë pikë sa çuditet edhe me veprimet e veta. Thjesht donte ta përqafonte, të zhdukte çdo thërrime frike, të flakte çdo moment të padëshirueshëm.

Dera u hap ngadalë. Silueta e tij mashkullore u shfaq brenda dhomës. Nuk mund ta shihte mirë, se dritat i kishte fikur kur ishte përpjekur të flinte, por u ngrit ashtu verbazi në errësirë derisa gjeti dritën. Dhoma u ndriçua fort. U kthye për të parë atë e i shkoi afër.

- Çfarë ndodhi?

Ai s'i ktheu përgjigje. E vështroi njëherë Lianën me sy pa shprehje e hapi pak buzët për të thënë diçka, por që s'e tha kurrë. Vetëm vështroi atë e mbylli buzët prapë.
Ajo uli kokën duke ekzaminuar atë për të dalluar ndonjë gjë, të gjente ndonjë shenjë të vogël të asaj që ai kishte bërë.

Në buzë kishte një shenjë të vogël të çarë. Duart e tij ishin të skuqura dhe me njolla të thara gjaku. Këmisha e bardhë i ishte bërë me pluhur e në disa vende disa pika gjaku ishin vendosur rreshtazi. E kishte rrahur.

Disa pyetje filluan ta torturonin. Pse po bënte gjithë këto gjëra për të? S'ishte në natyrën e tij të sillej ashtu me personat që urrente. Dhe ai e urrente atë. Duhej ta urrente. Pse nuk ishte sjellë keq me të kur e kishte gjetur? Le ta merrte si ndihmesë gjendjen e saj të rrënuar. Le ta bënte të ndihej më keq pa e pyetur fare se pse ishte aq e trishtuar. Pse s'e kishte pyetur se pse u largua prej shtëpisë e më pas ta ndëshkonte?

Kristiani bëri disa hapa larg saj duke ia kthyer kurrizin dhe zbërtheu kopsat e këmishës. U fut në tualet pa thënë as edhe një fjalë të vetme.

Ajo fiku përsëri dritën e shkoi me të shpejtë në shtrat. Nuk u mbulua, ndonëse e ndiente trupin e ftohtë. Por përderisa shpirtin e kishte akull, s'përbënte problem të madh nëse ashtu do të ishte edhe trupi.
Sytë i mbante hapur, edhe pse ndiente vërtet gjumë. Ishte lodhur e gjitha, çdo pjesë e trupit i dhimbte. Luftoi të qëndronte zgjuar, por gjumi e mori.

Nuk e ndjeu Kristianin kur ai doli prej dushit, nuk e ndjeu as kur iu afrua dhe u ul në krevat pas saj, as kur e mbuloi me një batanije të ngrohtë.

U shtri në krevat dhe po vështronte Lianën teksa ajo flinte qetë.
Papritur tiparet në fytyrën e saj ndryshuan ritmikisht. Vetullat iu rrudhën në pakënaqësi e frikë, nga sytë filluan t'i rridhnin lotë të nxehtë e trupi po i dridhej. Buzët i lëvizte me çdo frymëmarrje të shpejtë që merrte. Pëshpëriste nën zë ulët, por jo aq sa ai të mos dëgjonte.

- Nuk dua... Jo... Po më lëndon.

Lotët e saj nuk ndalonin.

Afroi dorën e tij pranë supit të saj dhe e lëvizi ngadalë.

- Liana, zgjohu.

- Mos më prek! - bërtiti në ankth dhe aty mbaroi makthi i saj. Ngriti trupin nëntëdhjetë gradë kur hapi sytë dhe mblodhi trupin me duar duke qarë.

- Qetësohu.

Vendosi përsëri dorën e tij në supin e saj që dridhej nga të qarat. Në atë gjendje nuk i pëlqente ta shihte. Kurrsesi jo.

Ajo ktheu kokën nga ai e në momentin tjetër iu hodh në krahë duke plasur akoma më shumë në të qara. Kristiani e mbështolli me krahët e tij për mbështetje, gjë që kishte menduar se s'do ta bënte ndonjëherë.

U shtrinë ngadalë në shtrat duke qëndruar të përqafuar. Hera e parë që tregoheshin aq të afruar me njëri-tjetrin, ndoshta edhe hera e fundit.
Nuk flisnin. Ai vetëm sa dëgjonte të qarat e saj e ia ndiente ulje-ngritjet e kraharorit në kraharorin e tij, ia ndiente të gjithë trupin që i dridhej.

- Më vjen keq që ika, - i tha atij me zërin paksa të çjerrë prej të qarave.

- Mos fol, vetëm qetësohu.

Nuk po e njihte dot veten. Kush të ishte ai njeri që kishte marrë në zotërim trupin e tij? Kush të ishte ai mashkull që donte të bënte bashkëshorten e tij të qetësohej? Cili të ishte qëllimi i tij?

Pyetjet nuk mund t'i ndalonte dot. Torturonte veten me to, se nuk kishte kujt t'i drejtohej tjetër. Nuk kishte ku gjente përgjigje.

Pyetjet ia prenë sërish fillin e mendimeve.
Ç'të kishte menduar vallë Maksi kur e kishte vështruar Lianën? Ç'të kishte menduar kur e kishte prekur? Kishte ndjerë kënaqësi kur dëgjonte të qarat, lutjet e saj?

Një urrejtje e thellë i buronte që nga shpirti kur mendonte të tilla gjëra. Atë s'duhej ta prekte njeri tjetër përveç tij. Ajo s'u përkiste të tjerëve. Ajo ishte e tij. Vetëm e tij.

Art i errësirës Where stories live. Discover now