21

1.7K 118 47
                                    

- Për çfarë po bisedonit? Kristiani dukej i acaruar, - e pyeti Arlon e shqetësuar duke krijuar akoma më tepër stres në mendjen e saj.

- Ishte një diskutim i vogël, asgjë për t'u shqetësuar.

Ai i vendosi njërën dorë në faqe duke e përkëdhelur me butësi, por ajo nuk ndjeu më atë që kishte ndier dikur. Nuk ndjeu më të dridhura të kënaqësisë, nuk ndjeu më të skuqej lehtë nëpër faqe, nuk ndjeu asgjë, përveçse një ndjenjë shqetësimi. Kristiani s'ishte më në dhomë.
S'deshi ta jepte veten për asgjë nga ato që ndiente, por aparaturat që imitonin të rrahurat e zemrës së saj e tradhëtonin përbuzshëm.

- Dua Kristianin, - i tha atij me zë të ulët prej fajtoreje dhe më pas uli kokën ngadalë.

Ai hoqi dorën me ngadalë prej faqes së saj. Buzëqeshi lehtë për të fshehur zhgënjimin që po ia gërryente zemrën. Kishte menduar se ajo do ta donte akoma, por ishte budallallëk ai mendim i tillë.

- Do t'i them të vijë.

Doli në korridor. Kristianin e gjeti të mbështetur mbas murit me kokën ulur.

- Liana dëshiron të të shohë.

Ai ngriti kokën menjëherë. Nuk e kuptoi në ishte buzëqeshje gëzimi apo nënqeshje ironie ajo në fytyrën e tij, por përsëri mjaftoi të kuptohej se i bëhej qejfi që ajo dëshironte të shihte atë.

Kaloi mbrapa tij për të hyrë brenda dhomës, ndërsa Arlo qëndroi aty, me nofullat shtrënguar dhe zemrën që i rrihte tepër ngadalë nga zhgënjimi.

Kristiani hapi derën e dhomës dhe direkt u ndesh me shikimin e pandjenjë të Lianës. Ajo u përtyp me vështirësi ndërkohë që ai i afrohej pa folur. U ul në një vend të lirë të krevatit të saj duke pritur që ajo të fliste.
Por nuk i erdhi asnjë fjalë. Ndjeu vetëm një përqafim të lehtë dhe atë që merrte frymë qetësisht me kokën mbështetur në shpatullën e tij.

Nuk ia ktheu përqafimin, s'ndihej në gjendje të mirë për ta bërë atë gjë. Mori frymë thellë për të larguar ndjenjat negative. S'ishte e lehtë. Dhe s'u bë më e thjeshtë as kur ajo largoi krahët nga trupi i tij e zhgënjyer.

- Pse u largove?

Në fillim s'i ktheu përgjigje. Ai ishte larguar shpesh. S'e dinte se për cilin largim e kishte fjalën ajo.

- Kur ishim në shtëpi, - i tha Liana si t'ia kishte lexuar mendimet. - Pse ike?

Duhej ta kishte menduar se prej tij s'do të merrte përgjigje. Priti një minutë, ndoshta u bënë dy dhe buzët e Kristianit as që ishin hapur.

- Bëra diçka gabim, apo jo? Ti gjithmonë largohesh kur s'do të qëndrosh me mua.

- Mjaft e fajësove veten. S'ka të bëjë çdo gjë me ty.

Ai fliste në mënyrë të akullt, duke harruar plotësisht fjalët e doktorit.

- Atëherë më kthe përgjigje. Të paktën...mund t'iu ishe përgjigjur telefonatave të mia. U shqetësova.

Sytë e tij të kaftë për një çast të shkurtër sikur u zbutën fare pak pas fjalëve të saj. Dëshironte ta shihte në sy, por ajo e mbante kokën ulur.

- Mendova mos të kishte ndodhur ndonjë gjë.

Afroi dorën ngadalë drejt fytyrës së saj dhe ia ngriti mjekrën me kujdes. Dalloi sytë e saj të përlotur. Ajo s'duhej të stresohej. Ia fshiu lotët që i rrodhën prej syve duke u përpjekur të qëndronte i qetë.

- Ose edhe mund të më kishe thënë se do qëndroje me Meganin. S'do të të shqetësoja.

Zëri po i dridhej. Vazhdonte akoma të stresonte veten e saj, edhe pse e ndiente keqësimin pas çdo çasti stresi që kalonte.
Iu afrua akoma më tepër, derisa s'ngeli shumë distancë nga trupi i saj me të tijin. Ajo dukej aq e vogël para tij, aq e pambrojtur.

- Harroje Meganin. Tashmë s'ka vlerë të mendosh më për ato që ndodhën.

I la një puthje të lehtë në faqe teksa kënaqej tek dëgjonte rrahjet e zemrës së saj që po shpeshtoheshin. E përkëdheli butësisht në faqe ndërkohë që brenda tij po zhvillohej një luftë. Mendja kërkonte hapësirë, dëshironte të largohej përsëri, donte të qetësohej diku vetëm, ama zemra, ajo dreq zemre e mundonte pamëshirshëm. I kërkonte të qëndronte me Lianën, ta qetësonte atë, ta bënte të ndihej mirë. Ishte duke u çmendur. Por ajo s'kuptonte asgjë. Çdo luftë, çdo betejë që ndodh në mendjen e njeriut, fshihet mbas një qëndrimi të zakonshëm fytyre. Aq shumë ndjenja, kaq pak mënyra për t'i shprehur.

- Më premto që s'do largohesh më, - iu lut duke i shtrënguar dorën, por buzët e tij nuk u hapën për të krijuar ndonjë fjalë. Ishte një premtim që u shpërnda nëpër ajër.

Donte ta kishte Kristianin pranë, donte të qëndronte me të, ta bënin njëri-tjetrin të ndiheshin mirë, por e kishte kaq të vështirë për t'ia thënë atë gjë ballë për ballë pa frikë.
Pse njerëzit e kanë të vështirë për t'i shprehur ndjenjat e tyre të vërteta? Çdo gjë do të ishte më e thjeshtë nëse s'do ekzistonte frika nga të qenit i refuzuar, i përbuzur, i keqkuptuar.
Ngelet heshtja. Dhe shpresa. Po, edhe shpresa. Shpresa se njerëzit mund të na kuptojnë pa folur, se mund të arrijnë të depërtojnë në shpirtin tonë. Dhe ne presim. Pambarisht, pa u lodhur. Ne presim. Derisa lodhemi dhe çdo gjë shkatërrohet në mjerim. Por për momentin presim...

Art i errësirës Where stories live. Discover now