26

1.6K 112 32
                                    

Pas disa ditësh, kur u zgjua në dhomën e saj, vështroi përreth me frikë duke marrë frymë me shpejtësi. I dukej sikur kishte parë një makth të tmerrshëm, ndërkohë që thjesht mendimet që e torturonin gjatë ditës, iu shfaqën natën në formën e ëndrrave. Kishte parë sikur Arlo arrinte ta merrte prej Kristianit, kishte ndier tepër të gjallë dhimbjen që e gërryente e në fund ishte ndeshur me vështrimin e dëshpëruar të Kristianit.

Mbushi mushkëritë me oksigjen e ndjeu nevojën të bënte një dush të gjatë e relaksues, të çlodhej e gjitha, se trupin e ndiente të mpirë. Por edhe kur dushin e mbaroi e po shkonte në kat të parë, s'mund të mos ndiente një farë ndjenje të çuditshme brenda vetes. Vështroi Lilin që e kishte aty pranë e ajo i buzëqeshi.

-Si thua të dalim pak jashtë? Të shkojmë te ndonjë lokal për të pirë ndonjë gjë, se edhe këtu brenda mbyllur mërzitesh.

Liana pohoi me shpejtësi, si të kishte kohë që priste për një ftesë të tillë, aq shumë e ndiente nevojën që të kishte pak liri. U ngjit përsëri në dhomën e saj, veshi disa rroba më të përshtatshme, kapi flokët bisht e pastaj doli jashtë shtëpisë ku takoi Lilin dhë Klaudion, atë truprojën e heshtur që s'para i pëlqente të fliste.

Hipën në makinë e ndërsa Lili i tregonte Klaudios se ku të shkonte, Liana nxorri telefonin prej xhepit të xhupit për t'i bërë të ditur Kristianit se nuk do të ishte në shtëpi për rreth një ose dy orë. E dinte se atij s'i vinte mirë kur ajo vendoste të ikte pa lajmëruar, edhe pse vetë ndodhej në punë e s'ishte se merrej shumë me të.

Hynë të dyja në lokalin e ngrohtë kur makina ndaloi, ndërsa Klaudio qëndroi brenda makinës duke i vështruar ato që prej së largu. Lili bëri porosinë ndërkohë që Liana shikonte telefonin për të parë nëse Kristiani do t'i kthente përgjigje.

-Ke folur me të? - dëgjoi Lilin ta pyeste e ngriti kokën që ta shikonte.

-Me Arlon?

-Po.

-S'kam pasur mundësi të flas.

E gënjeu, se Kristiani shumë herë e kishte lënë vetëm e ishte ajo që s'donte të bënte as edhe një telefonatë. Kishte frikë të fliste më Arlon. Lumturia e tij e frikësonte.

Në tavolinë u vendosën dy kakao të nxehtë të shoqëruar me disa biskota. Gjuri filloi t'i përvëlonte kur Lili padashje lëvizi dorën e gota në tavolinë u rrokullis. Një pjesë e mirë e kakaos përfundoi në gjurin e Lianës.

-Oh, më vjen shumë keq Liana! Nuk desha,- i kërkoi ndjesë ajo duke marrë një shprehi vërtet të shqetësuar.

-S'ka problem, do ta bëj pak me ujë e do kalojë, - iu përgjigj duke u përpjekur t'i buzëqeshte sado pak, por ndërroi shpejt mendje e u nis për në tualet.

Hidhte nga pak ujë në gju që t'i kalonte dhimbja e s'e mbajti mend se sa herë e përsëriti atë gjë. Kur pas disa minutash u bë gati të largohej, para se të mund të dilte, shikoi derën që u hap e aty brenda hyri Arlo. S'e kuptoi në u gëzua apo jo.

Ai i buzëqeshi ashtu siç Kristiani s'i kishte buzëqeshur ndonjëherë. U ndie keq kur solli ndërmend imazhin e tij.

Arlo e përqafoi e koka e saj u vendos në kraharorin e tij, atje ku zemra gufonte prej lumturisë.

-Eja, do largohemi.

Ngriu në vend, pa mundur të kundërshtonte apo të pohonte. Ishte dora e tij e kapur me të sajën që po e orientonte drejt hyrjes mbrapa lokalit. Po shikonte përreth me shpresën thellë në zemër se mos ndoshta do të shihte Klaudion, se vetë s'ishte mjaftueshëm e fortë aq sa për t'i thënë Arlos se donte të largohej prej tij. E vuri re atë që nga larg, por Arlo s'kishte ndërmend të qëndronte më tepër tek ai vend. Hipën në makinë e pastaj u larguan, ndonëse largimi ishte gjëja e fundit që Liana donte të bënte.

Nga ana tjetër, disa minuta më vonë, Lili pretendonte se nuk e dinte se ku ishte Liana e Klaudio s'kishte lënë vend pa kontrolluar aty afër. Ajo ishte zhdukur brenda një kohe të shkurtër e ai s'ia kishte idenë se ku ajo mund të kishte ikur. Mori në telefon Kristianin e i tregoi atij cdo gjë. Priste që të dëgjonte atë të fillonte të bërtiste, të acarohej, ashtu siç i ndodhte gjithmonë kur ndonjë gjë dilte jashtë parashikimeve të tij, por nga ana e tij s'doli as edhe një zë, ndonëse përbrenda po digjej prej inatit. Ia mbylli telefonin Klaudios dhe shtrëngoi telefonin në dorë. E kuptoi menjëherë që ajo ishte larguar me Arlon, s'ishte ndonjë gjë e vështirë për t'u marrë me mend.

Shfryu me të ulët e hodhi telefonin shkujdesshëm në tavolinë pa dashur të ndërmerrte ndonjë gjë për Lianën. Le ta kuptonte vetë ajo se nuk mund të vazhdonte dot jetën me Arlon, le ta kuptonte se tashmë kishte krijuar padashur një të ardhme me Kristianin.
Fati kish shkruar që të qëndronte pranë tij. E kush mund të dilte kundër fatit?

Art i errësirës Where stories live. Discover now