Mendja e njeriut është gjëja më e frikshme nga të gjitha. A e dini se si është të torturohesh nga vetë mendja jote?
Ajo e dinte më së miri. Një gjë të tillë e përjetonte shpesh. E përjetoi shumë pasi u largua nga Kristiani.Tashmë dita kishte zbardhur, por në shtëpi nuk dëgjoheshin zhurma. Dera e dhomës së Kristianit ishte hapur vetëm një herë e më pas çdo gjë kishte rënë në qetësi, aq sa atë ajo qetësi e trembte.
Shkoi në kuzhinë e lodhur për të parë nëse Lili ishte atje. Ajo s'ishte vetëm. Atje ishin mbledhur gjithë punëtoret e shtëpisë, ku Lili ishte e vetmja vajzë e re midis tyre. Gjithë të tjerat ishin pak të moshuara, por plot energji. Edhe ato kishin më shumë energji se Liana.
Kur vunë re këtë të fundit, heshtën të gjitha. U përpoq t'u buzëqeshte, por asnjë vijë e lakuar s'mundi t'i krijohej në fytyrë. Ato e vështronin me ndrojtje e shqetësim. Mos ndoshta mendonin se edhe ajo ishte si Kristiani? Mendjemadhe, agresive dhe e ftohtë?Para se të mund t'u thoshte ndonjë fjalë për t'i qetësuar, Lili i shkoi pranë, e kapi lehtë nga krahu dhe bashkë shkuan te dhoma e ndenjjes.
- Pse më shikonin punonjëset sikur të ishin të frikësuara prej meje? - e pyeti e trishtuar duke u ulur në divan. Papritur po interesohej shumë për mendimet e të tjerëve.
- Nuk ishin të frikësuara Liana, ishin të shqetësuara prej gjendjes sate. E ke parë veten? Dukesh sikur s'je ushyqyer fare mirë kohët e fundit. Je dobësuar shumë.
I hodhi një sy të shpejtë vetes; nuk i interesonte fare se si ishte. Trupi ishte gjëja e fundit për të cilin mendonte se duhej të kujdesej në ato kohë. Kishte plot gjëra të tjera dhe njëkohësisht asgjë të rëndësishme.
Lili e kuptoi se Liana s'deshi të fliste, prandaj ndërroi temë.- Dje të pashë që u ktheve së bashku me Kristianin. Të gjeti te hoteli? - e pyeti e mërzitur.
- Po, para se të largohesha. Më pa ndërsa isha duke ecur përgjatë rrugës.
- Më vjen vërtet keq.
- Tashmë s'ka më rëndësi. Çdo gjë mbaroi.
- Ndoshta gjen ndonjë mundësi tjetër në të ardhmen.
Nënqeshi ironikisht. Mundësi tjetër? Për çfarë? Që të përdhunohej sërish?
- Do jetë pa vlerë. S'dua ta mbaj veten me shpresë.
- E ç'do bësh pa shpresë? Kujton se do shkosh në rrugën e duhur?
Ngriti supet lehtë si për të thënë se s'dinte gjë e as që i interesonte të dinte.
- Kristiani ku është?
Fytyra e Lilit ndryshoi komplet. Një hije neverie i përshkoi fytyrën.
- S'e dëgjove? U largua këtë mëngjes me Meganin në një nga shtëpitë e tij në një qytet tjetër. Për disa ditë s'do të jetë këtu.
Për një moment ndjeu ankth. Ishte larguar? Do vonohej disa ditë?
Kishte frikë të shihte makthe përsëri. Të paktën të kishte një person me kë të shprehej, një person që e dinte arsyen e maktheve. Nuk i interesonte në debatonte me të apo jo. Rëndësi kishte që po bënte diçka.Lili e vuri re shqetësimin në fytyrën e saj. E çuditur, rrudhi vetullat.
- Mos ndoshta... Ke filluar të ndjesh për Kristianin?!
- Për hir të Zotit! Për të mund të ndiej vetëm mllef, asgjë më tepër.
Diçka te Kristiani e ndalonte të ndiente për të. Ndoshta po të ishte dikush tjetër mund të ndiente një grimcë pëlqimi, por për Kristianin jo. Ndoshta mund të ndodhte në të ardhmen, se me kohën vijnë edhe ndjenjat, por do ta kishte të vështirë gjithsesi. S'mund ta imagjinonte dot pëlqimin, dashurinë që mund të ndiente për të. Ishte diçka me të cilën s'mund të përshtatej.
- Do më pëlqejë t'ju shoh bashkë të dyve vetëm nëse ai ndryshon, të bëhet ashtu siç ka qenë dikur. Ndoshta do mund të ndërtoni një marrëdhënie të qëndrueshme. Por siç është tani... më duket vështirë.
Ishte vështirë, më shumë se ç'mund të dukej. S'ishte aspak e lehtë të dashuroje një monstër pa u bërë vetë një i tillë.
Ndenji edhe disa minuta me të duke biseduar për Kristianin e më pas u largua për te kati i dytë. Ndaloi përballë derës së dhomës së Kristianit. E hapi atë ngadalë e hyri brenda.
Mori kohën e saj për të vështruar çdo gjë me më imtësi. E dinte se ajo që po bënte s'ishte diçka e ndershme, por megjithatë s'mendonte se do gjente ndonjë gjë që do ta bënte të ndihej keq që kishte hyrë në dhomë. Pastaj, nuk është se do t'i kontrollonte çdo gjë, vetëm një sy do hidhte.
Shikoi me radhë gjërat që ishin atje e bëri disa hapa përreth. Nuk kishte ndonjë gjë për të cilën ia vlente të ngulte shikimin kurioze. Kristiani siç dukej nuk kishte qejf të mbante në dhomën e tij gjëra që binin në sy, ama për pjesën tjetër të shtëpisë kishte mendim krejt tjetër.
Ndjeu aromën e fortë të parfumit kur u afrua pranë një komodine të madhe me një pasqyrë të varur sipër. Atje ishin renditur të gjithë parfumet e shtrenjtë që ai përdorte. Nëse ishte diçka që adhuronte të bënte, ishte të ndjente aromën e parfumeve, prandaj dhe filloi t'i nuhaste ata me radhë.
Pastaj vështroi veten në pasqyrë, por jo për shumë gjatë. S'i pëlqente ai reflektim, ishte i shëmtuar, tepër i dhimbshëm për t'u parë. E bënte t'i vinte keq për veten.
Bëri disa hapa drejt krevatit të tij. Poshtë në tokë, fshehur në një cep të krevatit, gjendej diçka që punonjëset s'kishin mundur ta dallonin.
U afrua kurioze për të parë kutinë e vogël, të prishur pak në mes si pasojë e ndonjë shtrëngimi të fortë.E mori ndër duar dhe e hapi ngadalë. Brenda ishte një varëse e bukur që i ngjante e parë; ishte e mamasë së saj. Buzëqeshi ndërsa sytë iu mbushën me lot. Gjithmonë e kishte pëlqyer atë varëse e ia kërkonte shpesh të ëmës ta mbante për pak, por që kur ajo ndërroi jetë, nuk mundi ta vendoste dot më. Mendonte se varësja kishte humbur.
Në kuti ishte edhe një letër e vogël.
"Gëzuar ditëlindjen," - qenë fjalët që qenë shkruar me një stilolaps të zi në të.Të mundej vallë Kristiani të ndryshonte?...
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...