-Nxito, përndryshe do vonohemi, - i tha Arlo asaj që nga dhoma tjetër e ajo mori frymë e nervozuar.
Atë ditë do iknin e Kristiani as që ishte bërë i gjallë, nuk i kishte shkruar më, s'i kishte telefonuar e si dukej as që i interesonte nëse ajo largohej apo jo. Diçka të tillë duhej ta priste prej tij. E kur ishte interesuar ndonjëherë Kristiani për të fundja fundit?
Zvarriti këmbët pa dëshirë drejt daljes e pastaj hipi në makinë së bashku me Arlon. Makina u nis e ndërkohë moti kishte filluar të vrenjtej. U përpoq t'ia mbushte mendjen vetes se po bënte gjënë e duhur, por ato që ndiente i tregonin krejt të kundërten. I dukej sikur s'mund të ndahej prej atij vendi, sikur kishte shumë gjëra që kishte lënë pas, shumë persona pa takuar, shumë fjalë pa thënë, shumë dëshira pa shprehur, por ato mendime s'kishte guxim t'ia tregonte Arlos. E la atë të ishte i lumtur që po largoheshin, të ishte i lumtur që do ndërtonin një jetë të mirë.
-Në fillim do shkojmë te shtepia ku kam jetuar gjatë viteve të kaluara. Pastaj po s'të pëlqeu mund të lëvizim përsëri, s'e kam problem.
-Nuk ka rëndësi vendi, rëndësi ka që do jemi bashkë.
E dinte se po gënjente, e ndiente helmin e mashtrimit t'i rridhte ndër deje, ndiente pendimin t'ia gërryente shpirtin e frikën tek i krijonte iluzione mendjes. Për cfarë kishte frikë? Të largohej? Të linte pas Kristianin? Apo të ndërtonte një jetë me Arlon?
Bashkoi dorën ngadalë me këtë të fundit e ai ktheu kokën nga ajo që t'i buzëqeshte, ku nëpërmjet atij lakimi buzësh ajo mund të dallonte dashurinë e tij kundrejt saj. Por do të donte të mos e kishte bërë atë veprim. Ndonjëherë, veprimet më të vogla janë ato që na kushtojnë jetën. S'arriti ta dallonte në kohë makinën që kishte përballë e Arlo s'arriti të manovronte siç duhej që të mund të shpëtonin pa u lënduar.
Makina filloi të rrotullohej e të përplasej gjithandej e ata të merrnin lëndime pas lëndimi. E kur çdo gjë mbaroi e Liana mundi të hapte sytë për pak kohë, vuri re Arlon që qëndronte si të ishte i pajetë, trupi i tij kishte kudo të çara e lëndime të thella, se kishte harruar të vinte edhe atë rrip sigurimi i cili mund ta kishte ndihmuar sado pak. Ia afroi dorën ngadalë drejt trupit dhe e preku në krah duke dashur ta levizte.
-Arlo, - me vështirësi arriti të shqiptonte emrin e tij , por e pati shumë herë më të lehtë të ndiente lotët t'i rridhnin nëpër faqe. - Zgjohu, - pëshpëriti përsëri e pashpresë.
Kur e pa se ai s'kishte ndërmend të lëvizte, me aq pak forcë që i kishte ngelur e pa kaluar në panik akoma, mori telefonin në dorë që të telefononte Kristianin. Ai ishte personi i parë që i shkonte në mendje e as vetë s'e dinte pse-në. Dora i dridhej e gjaku që i kullonte nëpër gishta ia bënte tepër të zorshëm përdorimin.
E kur më në fund arriti ta telefononte, e kuptoi se s'do kishte dot mundësi të fliste me të; ai nuk përgjigjej. Telefoni i shkau prej duarve e i ra poshtë pa mundur ta mbante dot më. Vështroi përsëri Arlon, pa e ditur se ajo ishte hera e fundit që do ta shihte. Bashkoi përsëri dorën e saj me të tijën e pastaj i ra të fikët, s'kishte më tepër fuqi.
Tridhjetë minuta më vonë Kristiani vështroi telefonin dhe pa se ajo e kishte telefonuar. Buzëqeshi me idenë se ajo s'duhej të ishte larguar akoma, se dëshironte të fliste me të. E telefonoi, por pati disa çaste kur askush s'po i përgjigjej. Priti me durim të shtirur, telefonoi edhe disa herë të tjera, deri kur një person i panjohur u përgjigj nga ana tjetër.
-I njohur i zonjushës Liana?
-Po, ti kush je? - e pyeti me inat, ashtu siç fliste gjithmonë me ata që i konsideronte si njerëz të padëshirueshëm për të.
Ai i tha një emër doktori shoqëruar me një emër spitali. Ndjeu diçka t'i ngushtohej brenda në zemër, diçka që filloi ta ngacmonte.
- Çfarë ka ndodhur? - pyeti me një fije zëri duke mos u përgatitur fare për fjalët qe do dëgjonte.
-Kishte ndodhur një aksident në rrugën që të çon në aeroport. Një person ka vdekur, personi tjetër është gjallë. Për më tepër të dhëna, do t'ju lutesha të vinit të spitali që përmenda pak më parë.
Mbylli telefonin në dukje i qetë, por vetëm ai e dinte se ç'luftë po i zhvillohej brenda vetes. Nuk i numëroi dot gjithë ato herë kur nën zë lutej që personi i vdekur të mos ishte Liana.
Pyeti një vajzë truphollë që qëndronte para një kompjuteri për të ditur se ku gjendej Liana. Ajo e vështroi njëherë atë në fytyrë, me shumë mundësi duke bluar nën vete ato fjalët "diku e kam parë këtë person", e pastaj, pa dashur të dukej e pasjellshme, vështroi të dhënat që kishte përpara.
-Vajza ndodhet në sallën e operacionit, kati i tretë, dera në fund të korridorit. Ndërsa djali ndodhet në morg, kati i pestë, dera e tretë djathtas.
Lehtësimin që ndjeu në atë moment, s'mund ta përshkruante dot me fjalë. Lëvizi njëherë kokën si për ta falenderuar e pastaj po ngjiste shkallët me nxitim. S'kishte ndërmend të priste për ashensorin, s'kishte aq shumë durim e nerva. Kur arriti në katin e tretë që ishte i qetë e që s'kishte këmbë njeriu, po gulçonte fort e fryma gati-gati po i mbahej. U ul në një stol aty e po priste. Nuk i pyeste për asgjë infermierët që kalonin, e dinte se ata nuk do t'i jepnin ndonjë informacion. Vendosi të priste për doktorin, edhe pse e dinte se ai do vonohej shumë.
Pritja e lodhi, por nuk u ankua, se ishte tepër i zënë me mendime për të menduar ndonjë gjë për pritjen. Ndoshta priti një orë, ndoshta dy e ndoshta më shumë, rëndësi kishte që më në fund doktori doli prej sallës.
-Si është Liana?
Ai psherëtiu para se të fliste.
-Ka marrë shembje në pjesë të ndryshme të trupit e ka disa të çara të thella që i kanë shkaktuar shumë gjakrrjedhje. Kocka e këmbës i është krisur dhe do kohë derisa të riparohet, por s'besoj se vajza do zgjohet para se kocka të rregullohet plotësisht. Mos prisni të hapë sytë brenda një ose dy javëve. Për gjendjen e mëtejshme do jeni i informuar.
Ai u bë gati të largohej, por Kristiani e ndaloi.
-Po personi tjetër...Arlo, s'kishte mundësi shpëtimi?
-Jo, kishte ndërruar jetë që në çastet e para të aksidentit.
Vendosi duart në fytyrë i dëshpëruar, pastaj e çoi dorën te flokët e u ul përsëri në stol. Liana do rrënohej kur të merrte vesh se Arlo s'jetonte më.
Mori frymë thellë e ndërkohë po priste, edhe duke e ditur se s'do merrte ndonjë lajm në ato momente. Po priste, pa ia patur idenë se ashtu do t'i duhej të priste edhe një muaj e gjysmë.
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...