Një dhimbje therëse ndiente vazhdimisht në kraharor. S'mund ta largonte, sidomos kur shikonte Kristianin të shtrirë në tokë duke u përpjekur të duronte dhimbjen e madhe pranë kraharorit, duke duruar gjakun që vetëm rridhte dhe shiun që s'dinte të pushonte.
Përsëri tha emrin e tij, tashmë të shoqëruar me gulçime prej të qarave. Vendosi duart në kokë e dëshpëruar, mbylli sytë me shpresën se kur t'i hapte përsëri nuk do shihte më imazhin përballë dhe shpresoi se gjërat do ishin si më parë.
Këmbët po i dridheshin, rënia në tokë iu duk e pashmangshme. Bëri hapa drejt Kristianit, pastaj u rrëzua pranë tij. Ia kapi fytyrën me duart që i dridheshin dhe fytyrën e vet e afroi pranë së tijës. Lotët mezi e linin të fliste.-Çdo gjë do rregullohet. Ti më premtove Kristian, mos dil kundër fjalës sate.
Vështroi sytë e tij të lodhur. Ai buzëqeshi ngadalë, një shpresë e vagëlluar i dallohej në sy. Ngadalë çoi dorën në faqen e saj, e preku butësisht e ia fshiu lotët. Ia ledhatoi edhe flokët, ashtu siç i pëlqente shpesh të bënte, a thua se s'do gjente dot më mundësi për ta bërë atë gjë përsëri.
-Do bëhesh mirë, - i tha mes lotëve e përsëri me një buzëqeshje në fytyrë, se ideja e largimit të tij i dukej e pamundur. Ai s'mund të vdiste, s'mund të ikte aq lehtë. - Do kemi një jetë të qetë. Më the se s'do më lësh vetëm. Mos më lër.
Vendosi kokën në kraharorin e tij ndërkohë që i gjithi trupi i dridhej prej të qarave.
-Liana, - pëshpëriti ai ngadalë, sikur edhe fjalët që thoshte i shkaktonin dhimbje.
E vështroi në sy me shpresë. Kristiani vendosi dorën mbas qafës së saj dhe e afroi pranë vetes. E puthi ngadalë në buzë. Uli edhe pak më tepër kokën e saj, aq sa buzët i kishte pranë veshit të Lianës. U përtyp njëherë prej dhimbjes, psherëtiu thellë e filloi të pëshpëriste përsëri.
-Të dashuroj.
Sytë e tij u zbutën, sikur donin të buzëqeshnin, pastaj u mbyllën ngadalë.
Diçka shpërtheu në kraharorin e saj.
Ngriti kokën dhe pa Klaudion. Shikimin s'e kishte të qartë.-Bëj diçka, ai s'mund të vdesë! - iu lut atij e dëshpëruar.
-Ambulanca do vijë së shpejti.
Sa shpejt? Sa mund të duronte Kristiani?
Hoqi xhaketën e saj edhe pse mezi po e duronte të ftohtin. E mblodhi shuk të gjithën, e vendosi në kraharorin e tij e po rëndonte sipër plagës që të ndalonte gjakrrjedhjen. Do donte të ishte ajo në gjendjen e tij, ta kishte përjetuar ajo atë dhimbje.Ambulanca mbërriti pas disa minutash. U tremb kur e vështroi, se kujtoi ditën kur me të ia kishin marrë të ëmën, kujtoi ditët që kishte kaluar në spital duke pritur, dhimbjen me të cilën ishte ballafaquar.
S'e lejuan të qëndronte me Kristianin, megjithëse u lut shumë. Klaudio e mori pa dëshirë në makinën e vet. Largoi dorën e tij prej krahut të saj dhe e vështroi e inatosur.
-Është e drejta ime të shkoj atje. Ata s'mund të më ndalojnë!
-Liana, e kuptoj që është e vështirë, po nuk është diçka e zgjuar të sillesh kështu. Ata e dinë ç'bëjnë.
I hodhi një vështrim të ngrysur, po e kuptoi se ai kishte të drejtë. Uli kokën për të vështruar duart. I dridheshin.
Në spital arritën pas dhjetë minutash. Sapo makina ndaloi, doli menjëherë jashtë e po ndiqte me hapa të shpejtë barrelën në të cilën kishin vendosur Kristianin.
Ndaloi përballë derës së operacionit, s'e lejuan të shkonte më tutje. Mori frymë thellë e dëshpëruar, u ul në një karrige atje pranë, vendosi duart në fytyrë dhe filloi të qante pa mundur të ndalonte sado pak.
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...