29

1.6K 121 31
                                    

Ditët filluan të kalonin ngadalë, zvarriteshin me përtaci, me dhimbje e me shpresa të humbura. Çdo ditë ishte e njëjta gjë, e njëjta rutinë, e njëjta pritje. Lianën s'mund ta shihte, se përmirësime s'kishte edhe aq. E kishte humbur sensin e kohës dhe veten e kishte lënë goxha pas dore, në punë kishte ditë që s'shkonte e madje as që i bëhej vonë nëse atje s'shkonte ndonjë gjë mirë. E dinte se kur të kthehej përsëri, çdo gjë do të normalizohej.

Lili vinte ditë për ditë në spital bashkë me Klaudion. I sillte ushqime Kristianit, se e dinte që po të ishte për të nuk do hante gjë prej gjëje. Pastaj pyeste doktorin për gjendjen e Lianës, qëndronte disa minuta në korridor me Kristianin e largohej. Nuk mërzitej aspak e nuk ankohej për ato që bënte.

Kristiani ndërkohë luftonte me ndjenjën e pendimit brenda vetes e përpiqej të gjente ndonjë shkak që të ndihej më mirë për atë që kishte ndodhur, por asgjë nuk mund ta ndihmonte. Ndihej fajtor për çdo gjë. Sikur ta kishte lënë të lirë Lianën që ditën e parë kur ajo ushqente brenda vetes ndjenjën e largimit, ndoshta gjërat do të ishin ndryshe. E ndoshta do ishte akoma më mirë edhe nëse nuk do ishin martuar. Gjithë këto gjëra s'do të kishin ndodhur. Vetëm në ato momente po fillonte të mendonte se do të ishte më mirë ta largonte Lianën prej vetes.

Tre javë tepër të gjata kishte kaluar deri më tani në spital e i dukej sikur s'mund të priste dot më tepër. Ndiente lodhjen që e kishte kapluar të gjithin e megjithatë s'mund të bënte dot gjumë të rregullt kur kishte shumë gjëra që e mbanin zgjuar natën.

Atë ditë në korridor vështroi të atin e Lianës, Nensin dhe Meganin të afroheshin drejt tij. Papritur ndjeu një inat të flaktë brenda vetes. S'e kuptoi në i kishte urryer gjithmonë aq shumë apo vetëm në ato momente urrejtja po ia vishte sytë.

-Çfarë kërkoni këtu? - iu foli rreptë duke i vështruar ftohtë të tre.

-Erdha për të parë time bijë.

-Më vjen vërtet keq të mendoj se tani e kuptuat që keni një vajzë.

-Puna ime se kur e kuptoj atë gjë. Liana është ime bijë dhe me të sillem si të dua, pa më interesuar ti e askush tjetër.

-Nuk ishte vajza juaj kur e hodhët në shtëpinë time si të ishte leckë?

I vinte mirë kur shikonte inatin në fytyrën e tij, bezdinë në sytë e Meganit dhe frikën te Nensi se mos marrëdhënia midis Kristianit dhe tyre mbaronte.

-Vendosi kufij vetes Kristian. Mesa duket qenke mësuar të mos dëgjosh njerëz që ta kthejnë fjalën.

-Më mirë të ikim baba. Të thashë që në fillim se do ishte e kotë ardhja këtu.

S'ia ndau asaj atë vështrimin e tij mospërfillës që Meganin e bënte të ndihej sikur ia ulte vlerën. Deshi t'i fliste, por doktori që doli prej dhomës së Lianës e bëri të harronte se ç'kishte ndërmend të thoshte. Ky i fundit i vështroi ata me radhë e pastaj, si për t'ia bërë qejfin Kristianit, e mori atë mënjanë e po i fliste me të ulët.

-Në gjendjen e Lianës ka përmirësime. Mund të hyni ta shihni po të keni dëshirë.

Buzëqeshi sikur t'i kishin hequr barrën më të rëndë prej supeve. Ç'çlirim i madh të dëgjonte ato fjalë të shumëpritura.

-Çfarë tha doktori? - pyeti babai i Lianës pasi mjeku u largua dhe Kristiani iu shkoi atyre pranë.

-Asgjë të rëndësishme. Vajza juaj ka të drejtë, kot sa erdhët.

Megani e vështroi njëherë me një nënqeshje në fytyrë, një nga ato nënqeshjet që mbante shpesh kur qëndronin të dy e dukej sikur e ftonte Kristianin të shkonte përsëri me të e të kënaqeshin së bashku.

Nuk i kushtoi vëmendje, u largua disa hapa prej tyre e nxorri telefonin prej xhepit të xhinseve. E ndiente të nevojshme t'i tregonte Lilit se ç'kishte ndodhur që të shuante shqetësimin e saj. I shkroi një mesazh shpejt e shpejt e pastaj hyri brenda dhomës ku gjendej Liana. Kur e vështroi, vuri re zbehtësinë në fytyrën e saj dhe shenjat e vogla që kishte në fytyrë.

Bëri hapa afër, por nuk iu ul pranë, diçka brenda vetes e ndalonte të ndërmerrte një veprim të tillë. Karrigen e vendosi pak larg nga ajo e u ul atje duke e vështruar me imtësi. Buzët i kishte të thara e i kishin marrë një ngjyrë si rozë tepër të çelët, nuk e kishin atë të kuqen e bukur që ajo e kishte pasur gjithmonë. Në qafën e hollë kishte një të çarë të madhe që e kishin qepur e që do t'i ngelte shenjë për disa kohë. Krahët i ishin dobësuar shumë, i kishte të hollë e dukeshin tepër të brishtë.

Psherëtiu thellë e mbylli sytë për pak sekonda. Nuk mund të ndalonte së fajësuari dot veten. Çdo gjë në mendjen e tij po shkonte së prapthi e ai s'dinte se si të vinte rregull, asnjëherë s'kishte qenë i aftë të zbuste demonët që i luanin në mendje. Ishte shumë e vështirë të luftoje kundër mendimeve që janë të vërteta, por që duken tepër të dhimbshme për t'u pranuar.

Art i errësirës Where stories live. Discover now