18

1.6K 125 58
                                    

Lili doli prej dhomës së Lianës pa e fshehur dot tensionin që ndiente. Nxorri telefonin e saj nga xhepi i xhinseve dhe e çoi te kontaktet. Shtypi mbi emrin e Kristianit. Ai ishte vërtet egoist, shikonte vetëm mirëqenien e vet, nuk pyeste kurrë për atë të të tjerëve.

Ia hapi telefonin pa ia vonuar shumë.

- Çfarë ka ndodhur?

- Zotëri, më vjen keq që po ua them, por edhe kafshët trajtohen më mirë seç po e trajtoni ju Lianën. Më ka pyetur gjithë ato herë për ju këto dy ditët e fundit dhe në çdo përgjigje negative që i jepja kam dalluar trishtimin e saj. Vajza është dobësuar, është bërë kockë e lëkurë, edhe ndriçimi i syve po i humbet. Nëse vazhdon kështu, ua siguroj se do vdesë brenda javës nga lodhja, energjia e pakët dhe stresi. Nëse nuk jeni i aftë ta mbani siç duhet, atëherë divorcohuni. Ajo nuk meriton vetëm një letër me një nënshkrim sipër, as këtë shtëpi e as paratë që s'kanë fund. Po s'ditët t'i jepni atë që ka nevojë, të paktën mos e lëndoni më tepër. Ajo s'është një kavie me të cilën mund të kryeni eksperimente. Si njeri që s'ju do të keqen, do t'ju këshilloja të vinit këtu e të bënit diçka në të mirën e saj, jo të qëndroni hoteleve me motrën e Lianës. Kuptojeni se nuk mund të vazhdohet më kështu. Të paktën një herë të vetme tregohuni i denjë ndaj ndjenjave të saj dhe asaj vetë. Unë kaq kisha për të thënë. Nëse ju vetë s'keni ndërmend të vini e ta çoni atë në spital, atëherë më lajmëroni kur të keni përgjigjen gati, ose në të kundërt do ta bëj vetë atë punë. Mirupafshim. Sigurisht, nëse ktheheni.

Ia mbylli telefonin e inatosur dhe u ul rëndshëm në kolltuk.

Ndërkohë, disa dhoma më tutje gjendej Liana, e lodhur sa më s'ka, me trurin që po i mpihej ngadalë, me zemrën e përçarë dhe me një të ftohtë përreth që ia shtonte vetminë.
Edhe sa i duhej të priste që ai të kthehej? Ajo po lodhej. Donte ta shihte atë kur të vinte në shtëpi, donte t'i fliste, ta prekte që të kuptonte se ai ishte vërtet pranë saj.

Minutat që pasuan ishin ato më të pakuptimtat e jetës së saj. Ishte gati të mbyllte sytë prej lodhjes që ndiente, por hapat e shpejtë që dëgjoi nëpër shkallë e bënë të merrte forcë nga hiçi.
U ngrit prej shtratit me sytë plot shpresë, edhe pse një marramendje e thellë mezi po e lejonte të qëndronte në këmbë. Po vështronte derën duke pritur që Kristiani të hynte brenda.

Dera e dhomës u hap. Një buzëqeshje e vagullt iu formua në fytyrë. Sytë e tij të kaftë e vështruan duke u përpjekur të fshihnin shqetësimin. Pse ishte i shqetësuar?
Bëri një hap para tij e më pas ndaloi si të kishte ngrirë. Një dhimbje e papërshkrueshme filloi të luante me kokën e saj. Shikimi po i mjegullohej. Nëpërmjet buzëve të hapura lëshoi një rënkim të lehtë dhimbjeje ndërkohë që këmbët po i merreshin me njëra-tjetrën e zemra po ia shqyente kraharorin.

Deshi të mbahej diku para se të rrëzohej, deshi të kishte një mbështetje dhe iu ngroh pak zemra kur ndjeu duart e tij ta kapnin në bel që të mos rrëzohej fort. Ndjeu të ftohtin e parketit dhe shqetësimin e syve të tij. Shikimi iu errësua. E ndjeu akoma më tepër lodhjen. Më pas asgjë. Bosh. I kishte rënë të fikët në krahët e tij.

Në spital shkoi thuajse me shpejtësinë e dritës. Iu duk se dalloi një makinë policie që po e ndiqte nga mbrapa, por iu zhduk diku pa e kuptuar mirë.

- Çfarë i ka ndodhur? - e pyeti doktori teksa po e çonin Lianën me barrelë në një nga dhomat e spitalit.

- Mosushqyerje për disa ditë.

Ç'i kishte ndodhur tjetër? Stres? Ai s'dinte gjë. Dhe vetëm në ato momente po e kuptonte se sa pak ishte interesuar për shëndetin dhe mirëqenien e saj. Mos ishte treguar shumë i ftohtë? Për dreq s'donte ta pranonte atë gjë.

Doktori pohoi me kokë i menduar. Mosushqyerja dallohej qartë tek ajo, ishte diçka që çdokush do ta kuptonte.

- Do t'i bëjmë një kontroll dhe më pas do t'ju njoftojmë për të gjitha.

Kristiani miratoi. U ul në një karrige teke që ishte pranë dhomës ku gjendej ajo dhe po priste në tension. I vinte neveri nga sjellja e tij kundrejt saj, i vinte neveri nga vetja, urrente çdo gjë që kishte të bënte me atë vetë. Do të donte ta kishte më të lehtë t'i shprehte ndjenjat, të sillej ashtu siç do të donte.

Ishte i frikësuar të dëgjonte lajme të këqija për Lianën. Boll ishte ndeshur gjatë jetës me lajme të tilla, kishte nevojë për diçka që do t'ia ngrohte shpirtin.

- Si është? - pyeti menjëherë kur pa doktorin që doli pas gjysmë ore nga dhoma.

- Keq, - iu përgjigj ai në mënyrën më të sinqertë të mundshme. Në zemrën e Kristianit diçka u ndrydh. - Është në stres, e depresionuar, e mosushqyer, pa fuqi dhe e keqtrajtuar fizikisht dhe mendërisht.

Mori frymë thellë që të mbushte mushkëritë me ajrin e neveritshëm të spitalit. E depresionuar? E keqtrajtuar?

- Kontrollet nuk dolën aspak mirë. Ka prishje të gjakut të shkaktuar nga stresi. Trupi nuk i reagon, është i pafuqishëm. Dhe shenjat në trup i ka tmerrësisht keq. Është e mavijosur në pjesë të ndryshme të trupit. Nëse kërkon ta shohësh, të them me keqardhje se s'mundesh. Për disa orë të paktën nuk ka vizita. Nëse do ketë përmirësime ose gjendje më të keqe, do t'ju lajmërojmë menjëherë.

Mjeku u largua, ndërsa Kristiani kishte ngelur në korridor pa lëvizur. Çfarë i kishte bërë ashtu?...

Art i errësirës Where stories live. Discover now