Çdo herë kur vinte, Lili vendoste në një tryezë të vogël lule të freskëta për të ndryshuar pak ajrin e spitalit, që sipas Kristianit ishte ajër që "të sëmur edhe po qeve në rregull." Kishte sjellë edhe veshje për Lianen që t'i vishte kur të kthehej në shtepi. Tashmë ngelej vetëm që ajo të zgjohej.
Kishte vënë re te Klaudio një shikim të çuditshëm që i hidhte Lilit, një shikim që shprehte pëlqim e kur e kishte parë për herë të parë, kishte çuar ndërmend faktin se ai asnjëherë s'e kishte nxjerrë veten aq zbuluar para Lianës. Gjithmonë i kishte pëlqyer t'i fshihte ndjenjat e veta e me kalimin e kohës kishte mësuar të gënjente edhe nëpërmjet syve.
Ditët u rrokullisën me po të njëjtin ritëm të ngadaltë, melankolik e ai mezi priste që ajo të zgjohej. Ditë për ditë interesohej për gjendjen e saj te doktori e ai rrallë herë i nxirrte ndonjë ndryshim të madh përmirësimi.
Kur ajo u zgjua, ai ishte duke fjetur i lodhur në karrigen që kishte vendosur pranë saj. Puliti disa herë qepallat pa fuqi, lëvizi pak dorën instiktivisht e pastaj hodhi e hutuar një shikim përreth. Vështroi Kristianin pa bërë zë ndërkohë që mendja fillonte e kujtonte gjithë ato që kishin ndodhur. Kujtoi largimin, aksidentin, Arlon, plagët që kishin marrë të dy. Fytin e kishte të tharë e e kishte të vështirë të fliste dhe për më tepër ndihej e këputur dhe tepër e dobët. Vështroi Kristianin për aq kohë sa sytë i mbajti hapur. Vetëm disa minuta mjaftuan që të kuptonte se sa pak fuqi kishte. Sytë iu mbyllën ngadalë e përsëri humbi vetëdijen.
Për herë të dytë u zgjua kur asnjeri s'ishte në dhomë. Duroi më shumë se herën e parë; s'mund të flinte përsëri pa folur me Kristanin, pa e parë njëri-tjetrin sy më sy. Vështrimin ndërkohë e mbante nga dritarja dhe shikonte qiellin e errët mendueshëm e me dhimbje në kraharor, aty në zemër, një dhimbje e pariparueshme.
Kur dera u hap, ktheu kokën ngadalë e vështroi Kristianin, u ndesh përsëri me ata sytë e tij të kaftë të mistershëm, me atë nënqeshje të lehtë që iu shfaq në fytyrë kur vuri re se ajo ishte zgjuar. Mbylli derën ngadalë e shkoi afër saj me hapa të ngadaltë.
Ktheu kokën nga ana e majtë ku vështroi gotën me ujë. Bëri shenjë me kokë e lodhur. Kristiani mori gotën, u ul pranë shtratit të saj, ia ngriti pak trupin butësisht e pastaj ia afroi gotën te buzët. Piu e etur, pastaj ia kapi dorën Kristianit pa forcë kur kuptoi se ai deshi të ulej te karrigia larg saj.
-Qëndro me mua, - i tha ato fjalë me zë tepër të ulët dhe vendosi dorën në shtrat.
Ai e vështroi e pastaj lakoi buzët për të krijuar një buzëqeshje të vogël. U ul pranë saj ashtu siç ajo dëshironte dhe Liana vendosi kokën në kraharorin e tij. Tashmë ishte e vërtetuar se sa herë që do t'i ndodhnin gjëra të këqija, aq më tepër do të afrohej me Kristianin.
Qëndroi ashtu me të pa folur, se e dinte që po të fliste, gjërat me shumë mundësi do t'i dilnin jashtë kontrollit.
Pastaj mendoi për Arlon, por kishte frikë të pyeste për të. S'donte të kuptonte se diçka i kishte ndodhur. Ndonjë ditë tjetër, kur të ndihej më e fortë emocionalisht, do mblidhte guxim e do ta pyeste Kristianin. Për momentin guxim s'kishte e i mjaftonte vetëm të kishte atë afër, të qëndronte shtrirë me të, të ngushëllohej prej pranisë së tij.
I vendosi ngadalë dorën në kraharor për t'ia ndier rrahjet e zemrës. Mbylli sytë në paqe teksa dora e Kristianit luante butësisht me flokët e saj. Buzëqeshi duke ndier lumturi, e la zemrën të rrinte e qetë në prani të tij, të kënaqej prej përkëdheljeve që ai i bënte.
Gjumi e mori ngadalë, por Kristiani përsëri s'lëvizi. E gjeti si justifikim Lianën, edhe pse e dinte se e vërteta ishte se edhe vetë dëshironte të qëndronte ashtu me të.
Po e përkëdhelte në fytyrë ndërkohë që sytë i kishte mbyllur e kokën e kishte mbështetur pas murit. Gjetën paqe aty me njëri-tjetrin. I lanë vuajtjet të qëndronin pas dyerve e brenda në dhomë futën qetësinë, heshtjen mirëkuptuese. Lanë fjalë pa thënë që të mos lëndoheshin, fjetën me lumturinë shpirtërore e ndjenë me thellësinë e shpirtit. E kuptuan të dy se ç'ndienin në të vërtetë, por fjalë s'nxorrën prej buzëve. Ndoshta ndonjë ditë gjerat do ndryshonin, ndoshta ndonjë ditë do ta kishin më të lehtë të shpreheshin. Për momentin çdo gjë mjaftonte.
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...