11

1.8K 121 57
                                    

Atë natë nuk pa makthe të tjera, se nuk mundi të flinte dot.
Kishte qëndruar vetëm duke përqafuar Kristianin, i cili s'kishte mundur të qëndronte zgjuar për një kohë të gjatë. E kishte zënë gjumi nga ora dy e natës. Ajo i kishte hedhur një vështrim të shpejtë fytyrës së tij si të kishte frikë se mos ai zgjohej, pastaj, kur e kuptoi se ishte në një gjumë të thellë, vendosi ta vështronte për të kaluar kohën.

Tiparet e tij s'ishin të ashpra, ai e bënte veten e tij të dukej i tillë. Sillej i ashpër, se ashtu duhej ta kishte pasur të shkuarën. Ç't'i kishte ndodhur vallë, aq sa të mos mundej të sillej me të tjerët normalisht? Duhej të kishte vuajtur. Ajo kishte mësuar se vuajtja e shndërronte njeriun në diçka tjetër, diçka që kishte menduar se s'do të ishte kurrë. Natyra e njeriut është kaq e paqëndrueshme! Mjafton një gjë e vetme që të të tjetërsojë të gjithin.

Trupin e Kristianit filluan ta pushtonin djersë të ftohta dhe frymëmarrja iu shpeshtua. Kraharori po i ulej e ngrihej me shpejtësi.
Edhe ai kishte makthe. Por një mijë herë më të këqija se të sajat e ajo as që ia kishte idenë.

- Kristian, - i pëshpëriti duke i vendosur dorën që i dridhej në faqe.

Por ai nuk po zgjohej. U ngrit për të marrë pak ujë te gota që ishte aty në dhomë dhe u ul pranë tij. Lagu pak dorën me ujë e ia vendosi atë në faqe, ndërsa dorën tjetër ia vendosi në ballin e nxehtë. I lagu përsëri duart dhe ia pozicionoi në qafë.

- Kristian, - përsëriti për të dytën herë emrin e tij.

Atë herë ai reagoi. U ngrit me nxitim dhe po përpiqej të qetësonte veten. Liana vendosi gotën në komodinë dhe me dorë e preku lehtë në faqe.

- Je mirë? - shqetësimi i dallohej në zë. Krejt papritur po interesohej aq shumë për të.

Ai e hoqi ashpër dorën e saj dhe u ngrit prej krevatit duke e shpërfilluar. Kristiani i vjetër po shfaqej përsëri. Por po e kuptonte pak nga pak, ndonëse s'i vinte aspak mirë nga mënyra se si ai e trajtonte atë.
Ndryshimi midis asaj dhe atij ishte se ëndrrat e saj mbaronin kur ajo zgjohej, ndërsa makthet e tij vazhdonin pa ndaluar. Vazhdonin, se ai e kishte tepër të vështirë të ndahej nga diçka me të cilën kishte jetuar për aq shumë vite.

I shkoi nga pas dhe ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur.

- Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa.

Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fortë. Ai po e shtrëngonte çdo herë e më tepër, por ajo s'ndiente dhimbje.

- E di që mund të jetë e vështirë, por po e pate mendjen në të shkuarën nuk mund të ndërtosh dot një të ardhme.

- Ti po m'i thua këto gjëra? - ia ktheu ai me qesëndi kur ktheu trupin për të parë atë. - Ti? Që i thua këto për të tjerët, por nuk kujtohesh t'ia thuash vetes?

Aty e bëri të ndihej keq. E vërteta ishte e urryeshme ndonjëherë. Deshi të hiqte dorën e inatosur prej tij, por ai e shtrëngoi akoma më tepër dhe foli i pari kur pa që ajo deshi të thoshte diçka.

- Është si puna e dy punëtorëve. Njëri i thotë tjetrit: "Puno më shumë, mos u shpërqëndro nga gjërat e tjera. Prioriteti i vetëm është të fitosh mjaftueshëm aq sa të sigurosh jetën." Por kur vete puna tek ai vetë, ç'bën? Ai vetëm qëndron pa bërë gjë, se nuk do të lodhet. Do vetëm të shohë. Dhe ti je si puna e tij. "Jeto më shumë, mos u shpërqëndro nga e shkuara. Prioriteti i vetëm është të ndërtosh jetën tënde." Ti vetëm jep leksione, por për vete as që bëhet fjalë t'i zbatosh ato.

Toni i tij ishte përbuzës e fyes. Dukej sikur donte ta bënte atë të ndihej keq dhe ia arriti. Sytë e saj ishin mbushur me lot inati që ishin gati të dilnin.

- S'ke të drejtë të më flasësh në këtë mënyrë. Vetëm sa po të ndihmoj.

- Ja pra! Edhe tani të njëjtën gjë po bën! Nuk e dua ndihmën nga ata njerëz që s'ndihmojnë veten e tyre si fillim!

- Oh, të lutem! Po e bën të duket sikur do kërkoje ndihmë prej atyre që e bëjnë edhe vetë atë që thonë! E di mirë që s'do ta bëje!

- S'të hyn në xhep ajo punë! S'kam qenë unë ai që ka hyrë në depresion vetëm sepse s'ka dashur të dëgjojë të tjerët!

- Ti nuk di asgjë për gjendjen time!

Tërhoqi dorën e saj nga e tija dhe e shtyu në kraharor me forcë ndërkohë që lotët po i preknin butësisht faqet. E kishte humbur durimin, qetësinë.

- Di aq sa më mjafton për të gjykuar atë që ka ndodhur!

- S'e do njeri gjykimin tënd! Mbaje për vete!

- Në këtë mënyrë do t'i ndihmosh njerëzit? Duke mos i lënë të thonë diçka sipas gjykimit të tyre? - ia priti ai me ironi të thellë.

- Mos i ngatërro gjërat. Në rregull, e kuptova që s'do ndihmë prej meje dhe s'kam ndërmend të të ndihmoj nëse ti s'do. E lemë me kaq këtë punë.

E uli kokën për të fshehur sytë e mbushur me lot dhe bëri të dilte prej dhomës, por përsëri zëri i tij e ndaloi.

- Shëro veten fillimisht, Liana.

Mbylli sytë për pak sekonda dhe u përtyp me vështirësi.

- S'të hyn në xhep ajo punë, Kristian, - qenë fjalët e fundit që i tha para se të dilte nga dhoma e tij e të shkonte tek e saja, për t'u ndeshur përsëri me gjithë demonët që i krijoheshin në mendje.

Art i errësirës Where stories live. Discover now