Gjatë natës s'mundi të vinte gjumë në sy. Vetëm qëndronte pranë Kristianit i cili flinte në të njëjtin shtrat me të. E kishte të vëshirë t'i pranonte vuajtjet që ai kishte përjetuar, se i dukej sikur atë person s'e kishte njohur kurrë.
Orët iu dukën më të gjata se asnjëherë tjetër, ndoshta prej faktit se sa më tepër gjëra që kishte për të menduar, aq më shumë vritej shpirtërisht, dhe për njerëzit që ndiejnë vuajtje, orët janë jashtëzakonisht, tmerrësisht të gjata.
U ngrit kur ora shënoi shtatë fiks, u bë gati me të shpejtë e doli prej dhomës, por brengat s'mundi të mos i merrte me vete. Doli përsëri jashtë që të merrte frymë, që të ndihej më mirë. Si përfundim, i ftohti e bëri më keq. Kishte nevojë të fliste me Kristianin. Vendosi ta priste aty, e dinte që ai do të vinte kur të zgjohej.
Priti mbi një orë jashtë e s'mund të mos e kishte zili faktin që Kristiani flinte qetë edhe duke pasur të shkuarën në mendje. Vështronte derën herë pas here e ngulte sytë atje për disa sekonda. E dëgjoi atë që u hap ngadalë dhe mori frymë thellë nervoze duke menduar fjalët që do të thoshte, edhe pse e dinte se s'kishte për të qenë gjithmonë e aftë për të thënë ato që mendonte.
Kristiani u ul te një kolltuk që mbrohej prej borës nga një strehë e këndshme që shtëpia kishte. Ndoqi me sy veprimet e tij e në fund i shkoi pranë.
Ndonjëherë s'ndihej mirë prej qetësisë së Kristianit, i hipnin të dridhura në trup.-Ndoshta...ndoshta mund të ndiheshe më mirë sikur të më tregoje se prindërit e tu...
U përtyp me vështirësi. Rrahjet e forta të zemrës po e shqetësonin, i ndiente më tepër se zakonisht dhe sytë e kishte të pamundur t'i mbante te Kristiani.
Ai s'reagoi për një kohë. Ishte njësoj sikur të mos i kishte dëgjuar fare fjalet e saj.
-Ose të paktën vetëm një pjesë të së shkuarës, - vazhdoi me zë të ulët. -S'di asgjë për ty.
Vetëm në ato momente filloi të mendonte se vërtet s'dinte gjë për të, as edhe diçka të vogël. I përjashtoi gjërat që i kishte thënë Klaudio, ato s'futeshin në grupin e fjalëve të thëna prej Kristianit. Kristiani edhe kur ndihej keq s'i kishte thënë gjë asaj, edhe kur ishte i shkatërruar s'kishte bërë zë. Njeriu s'duhet t'i mbajë të gjitha gjërat brenda. Është njësoj si të vdesësh.
Për një kohë të gjatë vetëm qetësi mbizotëroi mes të dyve dhe një rreze drite që kishte dalë ironikisht.
-Qëndronim mbyllur, - filloi të fliste ai me zë të ulët, të pasigurt, të mbytur prej kujtimeve. - Rrallë herë dilnim jashtë sa për të parë rrotull. Ata na donin. Por ne donim më shumë lirinë.
Ndaloi për pak sekonda sa të merrte veten, të gjente ndopak fuqi për të folur.
-Ishte faji im për të gjitha. Ata vdiqën për shkakun tim.
Dalloi në sytë e tij një vuajtje të thellë, e kuptoi se sa dëshironte ai të linte pas kujtimet e së shkuarës, por ato e përndiqnin nga pas si hije.
-Jetoja vetëm me tim vëlla pas vdekjes së tyre, por ishte njësoj si të qëndroja vetëm. Ndryshoi. Nuk flisnim më. Ditën s'e gjeja kurrë në shtëpi, ndërsa natën vinte sa për të fjetur pak orë.
Një herë e pashë të hapte derën e katit të tretë. S'e ngacmova, mendova se mos dëshironte që më mirë të ishte vetëm. Shkova atje vetëm të nesërmen kur ai s'po dilte.Zëri i tij u drodh, prandaj ndaloi për pak që të qetësohej. Mori frymë thellë, por më mirë s'u ndje.
-Kishte vdekur.
S'mundi të vazhdonte më, dhimbja s'e linte të fliste. Vuri re se sytë i ishin mbushur me lot. Ai gjithmonë prekej kur kujtonte ato që me gjithë shpirt donte t'i harronte. E përqafoi fort, deshi të merrte pak nga dhimbja e tij e të lehtësonte peshën që ai mbante në zemër, dëshiroi me gjithë shpirt. I dhimbte thellë ta shihte atë në një gjendje të tillë, aq në dëshpërim, pa shpresë.
Do të donte të kishin një jetë tjetër, një jetë ku të mos e dinin se ç'ishte dhimbja, një jetë ku të dashuronin njëri-tjetrin, të buzëqeshnin çdo ditë, se në këtë botë ishte shumë e vështirë të ishin të lumtur. Kjo botë ishte bërë për të tjerët që s'kishin zemër si të tyren. Ishte për ata që kishin zemra çeliku. Ata të dy donin thjesht paqe dhe dashuri. E kur mund të arrinin ndonjëherë atë botë?
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...