Po bëheshin dy ditë që Kristiani ishte larguar. Dy ditë që rrinte vetëm në dhomën e saj e s'donte të vërdallosej në shtëpi. Dy ditë që s'hante ushqim e prapë se prapë s'kishte aspak oreks. Dy ditë që nuk bënte gjumë të rehatshëm. Zgjohej dy-tre herë gjatë natës duke gulçuar e tmerruar e detyrohej të qëndronte më pas zgjuar, e zinte përsëri gjumi dhe përsëritej e njëjta gjë në mënyrë lodhëse.
Lili disa herë kishte trokitur në dhomën e saj. Të paktën nëse s'donte të fliste me të tjerët, të konsumonte ushqim për të pasur energji. Por s'ia kishte hapur derën.
- Liana, nëse nuk hap derën, do më detyrosh të marr në telefon Kristianin për t'i shpjeguar çdo gjë. E bëj pa as edhe një hezitim të vetëm.
Ajo të merrte në telefon Kristianin?! S'e besonte. Lili e urrente aq shumë atë, sa s'donte t'ia dëgjonte as zërin, jo më të bisedonte me të.
- Në rregull, bëj ç'të duash, - iu përgjigj indiferente ndërsa shikonte diellin që bëhej gati të perëndonte.
- Mos kujto se s'i them. Brenda dy orësh ai mund të jetë këtu.
Ajo nuk foli më, por u largua. U ndie mirë që s'po e shqetësonte gjatë shikimit të perëndimit; ishte diçka e mhanitshme të vështroje e vetme diellin teksa perëndonte, teksa linte çdo gjë pas pa u menduar. A mund ta bënin edhe njerëzit diçka të tillë?
Vështroi orën më vonë dhe kur pa që kishte kaluar një orë e ca, vendosi të dilte nga dhoma, se e dinte që s'do ishte askush në shtëpi. Të dielave punonjëset largoheshin më shpejt se zakonisht.
Hapi derën e u bë gati të zbriste shkallët, por ndaloi vetvetiu. Sytë i shkuan te shkallët e katit të tretë. Dëshira për të shkuar atje e tundonte. Donte të shihte atë diçkanë në katin e mësipërm që për Kristianin ishte një makth. Donte të dinte se çfarë e mundonte.
Me hapa të ngadaltë e që s'ndiheshin aspak, filloi të ngjiste shkallët me kuriozitet.
Në krye të shkallëve ishte një derë. Dukej që ajo dikur s'kishte qenë, por ishte vendosur për të mos hyrë njeri brenda. Priste që të ishte e mbyllur me çelës, por ja që Kristiani, duke qenë se mendonte se askush nuk do shkonte atje për shkak të frikës ndaj tij, s'e kishte gjetur të nevojshme të kyçte derën.Sa e hapi, u ndesh me një errësirë të frikshme dhe ajri i korridorit iu përplas i gjithi në fytyrë, si të kishte vite që mezi priste të dilte prej andej.
S'do hynte kurrsesi brenda po të mos ishte për dritën që e gjeti lehtë. Por do të donte të mos e kishte gjetur. Pamja me të cilën u përball, i linte shumë për të dëshiruar.Një njollë e madhe gjaku të tharë gjendej në tapetin e vjetërsuar prej kohës dhe ndanë murit gjendeshin shenja duarsh me po të njëjtën gjë. Por s'kishte gjak vetëm atje; ai vazhdonte dëshpërimisht edhe më tej, vazhdonte përgjatë gjithë korridorit. Tapeti ishte me gjurma të këpucëve, diku ishte i shpuar mespërmes dhe poshtë, ngulur në parketin e fortë, ishte një plumb.
Pranë një dhome në atë korridor gjeti një shuk me flokë të këputur e teksa ngriti kokën, te doreza e derës vështroi përsëri gjak. Dera ishte e sakatuar plotësisht. Ishte vetëm pjesa e dorezës e poshtë, por megjithatë s'merrte dot pamje të qartë të dhomës brenda për shkak të errësirës.Kontrolloi për ndonjë dritë tjetër me shpresën se do të punonin.
Dhoma ishte gati-gati e rrënuar. Çdo gjë ishte e kthyer përmbys; komodinat e prishura, sendet e thyera, krevati përsëri plot gjak e i papastër, koka e tij e shkatërruar e disa zinxhirë vareshin të pashpresë në të. Dritaret ishin të izoluara mirë, të mbyllura me zinxhirë dhe të mbuluara nga perde të zeza.
"Zot, ç'të ketë ndodhur vallë këtu?" - pyeti veten pa zë e tronditur, duke ndier një turbullirë që sa vinte dhe i rritej. Po i përzihej nga ato pamje, madje çuditej me veten se si kishte mundur t'i lëvizte këmbët deri aty ku ishte. Por ashtu siç nuk i bindej truri, nuk i bindeshin as këmbët; doli prej dhomës dhe vazhdoi të shihte dhomat e tjera.
Bënte kujdes ku ecte; disa copa xhami të mëdha e disa të vogla ishin shtrirë përdhe kërcënueshëm.
Dhomën tjetër e gjeti pas disa hapash të vegjël.
"Ndalohet hyrja për të huajt!" - qe shkruar në të me një ngjyrë të trashë të zezë që s'mund të fshihej.Hapi derën me kujdes dhe gjëja e parë që bëri ishte të ndizte dritën. Dhoma ishte më e rregullt. Dukej që në të kishte qëndruar një fëmijë dikur. Kishte qëndruar Kristisni.
Përveç disa objekteve të përmbysura, gjërat e tjera kishin qëndruar në rregull. Siç dukej synimi i shkatërrimit kishte qenë dhoma tjetër. Ajo dhomë që fshihte shumë gjëra.
Në tokë gjeti një fletë fletoreje me disa fjalë në të.
"Ata vetëm shtohen. Kam frikë."
Ndjeu faqet t'i ngroheshin prej lotëve që po binin të gjithë në fletën e vjetër. Mjaft i kishte mbajtur brenda syve. Donte të çlirohej.
Ai kishte vuajtur aq shumë dhe ajo gjatë gjithë kohës as që dinte diçka. Gjithmonë e kishte gjykuar dhe kurrë s'kishte kërkuar të dinte arsyen e sjelljes së tij të egër.Ahh... Sa kujtime të hidhura e të errëta që fshihte ajo shtëpi. Sa lot, të bërtitura, vetmi, sa dhimbje...
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...