Brenda ishte qetë. Asgjë e thyer apo e kthyer përmbys. Ndoshta vetëm sa kishte përsosur pak artin e fshehjes së inatit. Uronte që të mos ishte ashtu. S'i pëlqente që papritur ai të dilte e të fillonte të shfrynte gjithë dufin tek ajo.
Filloi të ecte për të shkuar te dhoma e saj me hapa të kujdesshëm në mënyrë që ai të mos e dëgjonte. Nuk donte gjë tjetër veçse të shkonte në dhomë dhe të qëndronte atje e qetë.
Pa arritur të hynte te dhoma e vet, dera e dhomës së Kristianit u hap. Ndaloi këmbët automatikisht.
"Vetëm katër hapa," - mendoi duke parë dhomën e saj në ankth, por këmbët i kishin ngrirë.Një dorë e tërhoqi ashpër e pa pikën e kujdesit. Tashmë ndodhej në dhomën e tij të errët, të mbushur plot me urrejtje dhe ndjenja negative.
- Po më lëndon, - zëri i doli i dobët e me dridhje. Atë ditë s'mund të ishte e fortë. Çdo gjë i ishte kthyer përmbys kur kishte parë atë.
- Ku ishe deri tani? - e pyeti ai rreptë, pa u interesuar se po e lëndonte. Fundja, a s'ishte qëllimi i tij që ta bënte Lianën të ndihej në atë mënyrë?
- Dola me Lilin për të blerë disa gjëra.
- Pse nuk më lajmërove?
Ishte i furishëm. Xhindosja i dallohej qartë në sy si uji i pastër, si dhe në damarin paksa të fryrë në qafë.
- Gjithmonë ty do më duhet të të pyes për të bërë diçka që kam qejf?
Edhe ajo po e humbiste durimin. Nuk e kishte të lehtë të fliste me të kur çdo qelizë e trupit i kërkonte qetësi absolute, kur e vetmja gjë që donte të bënte ishte të mbyllej në dhomën e saj e të qëndronte e qetë.
Ai goditi me grusht derën pas saj prej inatit. Zhurma e krijuar ishte frymë-mbajtëse. Për një moment mendoi se mos do godiste atë vetë.
Dukej që Kristiani s'ishte mësuar që ndokush t'ia kthente fjalën.-Do më informosh gjithmonë mua para se të dalësh.
- Mos ndoshta duhet të të informoj edhe për të marrë frymë?
E dinte që po e sfidonte, por s'donte t'ia dinte për pasojat përderisa po mbronte veten e saj. Donte të dukej trime përballë tij. Le të mos ishte, të paktën të dukej. Ai s'mund ta bënte dot diferencën.
- Mos Liana, mos shko më tepër se ç'duhet.
Zëri i tij shprehte kërcënim. Fytyrën e kishte afruar pranë të sajës, aq sa frymëmarrja e shpejtë prej inatit i përplasej Lianës në fytyrë. Ishte hera e parë që gjendej aq pranë tij dhe ishte po hera e parë që s'u ndikua nga ajo afërsi.
- Nuk jam lodra jote Kristian!
Aty e ngriti zërin më tepër se herët e tjera. Ndoshta u ndie fajtore. S'e mori me mend se ç'ishte ajo ndjenjë.
- Unë nuk jam Megani! Nuk mund të më trajtosh në këtë mënyrë e nëse e bën, shumë lehtë mund të kërkoj divorcin. S'e kam në plan të shkatërroj jetën time me duart e mia.
Faqja i dogji. Një nxehtësi e papërshkrueshme i kaploi trupin, ashtu siç po bënte edhe dhimbja. Trupi iu drodh, ndoshta aq sa të mjaftonte që ai ta vinte re atë gjë e ndoshta edhe të buzëqeshte. Këmbët iu dukën të dobëta, jo aq të forta sa për të mbajtur peshën e saj, por përsëri s'u rrëzua. Dhe të gjitha këto në një fraksion sekonde.
Ai sapo e kishte goditur.Vendosi dorën atje ku faqja po i dhimbte dhe vështroi Kristianin në mosbesim. Sytë e tij ishin bosh; s'kishin as urrejtje e as pendim e ndërkohë sytë e Lianës i përmbanin të gjitha ndjenjat brenda. Lotët ia turbulluan shikimin, jo prej faktit që faqja i dhimbte, por prej dhimbjes që ndiente në shpirt.
- Të urrej, - i pëshpëriti pranë fytyrës e më pas doli nga dhoma e tij për të shkuar te e saja.
Përsëri e mbylli derën me çelës dhe këtë herë s'do ta hapte, kushdo që të ishte. As që i interesonte.
Tashmë i interesonte vetëm të mendonte për ndonjë mënyrë që të largohej nga ajo shtëpi ogurzezë.
Por edhe qartë s'mund të mendonte. Në ato momente donte vetëm të qante. Askush s'do ta ndalonte.U shtri në krevat e ndenji në atë mënyrë deri në orët e vona të natës. Dëgjonte zërin e Meganit në dhomën e Kristianit e ky fakt ishte një shtysë tjetër për të që të mos dilte prej dhomës. Do të donte të zhdukej përjetësisht. Bota s'ishte krijuar për të mbajtur një si ajo. Ose ndoshta ajo s'ishte krijuar për t'iu përshtatur botës.
***
Ditët kalonin. U bë plot një muaj që qëndronte në shtëpi me të. Ishin ditë të errëta, plot vetmi e vuajtje. Kristiani nuk linte rast t'i shpëtonte pa fyer e pa poshtëruar Lianën në sy të të tjerëve, kryesisht në ato të Meganit. Ajo kënaqej me dhimbjen e së motrës.
Nuk mund të duronte dot më. Ishte lodhur shumë prej të gjithëve. Ose do largohej prej asaj shtëpie, ose do përfundonte jetën e saj. Por ndoshta në të ardhmen fati do t'i rezervonte ndonjë gjë të bukur. Ndoshta do arrinte të gjente atë dhe më pas do jetonte një jetë të lumtur.
Do arratisej. Ia vlente ta provonte. Ndoshta çdo gjë do t'i shkonte mirë. Ndoshta do kishte një jetë të lumtur. Po, do arratisej. E kishte ndarë mendjen. S'do pyeste për askënd. Do jetonte vetëm për veten. Do jetonte jetën e saj.
YOU ARE READING
Art i errësirës
RomanceI shkoi nga pas e ia kapi dorën e ftohtë. Ai ndaloi menjëherë pa u kthyer. Arrinte të shihte muskujt e tij të tendosur në bluzën e bardhë që ishte djersitur. - Nuk mund të jetosh pa lënë disa gjëra mbrapa. Shtrëngimi i lehtë i dorës u bë më i fort...